Kemi lexuar intervista aktorësh, regjisorësh, skenografësh, por ndoshta asnjëherë nuk kemi dëgjuar të flasin suflerët, personazhet kërshërindjellës, që tashmë do të bëhen përgjithmonë mistikë, sepse janë duke u zhdukur nga organika e teatrove për t’u zëvendësuar nga menaxherët e skenës, asistentregjisorët, kushdo tjetër ose askush. Dhe në një çast të tillë, regjisorja e Teatrit Metropol, Sonila Kapidani, nuk e ka humbur rastin për të sjellë portretin e një suflereje. Servete Kryeziu, suflere në Teatrin e Gjakovës apo pëshpëritëse, siç edhe një herë tjetër në Kosovë kanë gjetur fjalën shqipe në vend të huazimit, tregon 37 vitet e pëshpëritjeve të saj dhe si ndihet në kohën e shuarjes së tyre
Nga Sonila Kapidani
Për sa kohë unë hulumtoj dhe praktikoj teatrin, profesionin e pëshpëritësit apo suflerit, emërtime të përdorura herë njëri e herë tjetri në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, e kisha imagjinuar gjithmonë si në ato pikturat e kohëve të shkuara, ku një njeri (patjetër i gjinisë mashkullore) shumë i durueshëm, me portret plot rrudha që vijëzojnë durim dhe sytë plot dritë, qëndron në një kënd me të gjitha shqisat ‘të ndezura’ e gati për të kapur ritmin, por si një pikturë, jo si një realitet.
Imagjinata ime u jetësua me takimin me znj. Servete Kryeziu, në profesionin e pëshpëritëses/sufleres në teatrin ‘Hadi Shehu’ në Gjakovë. Imagjinoni të marrë jetë ‘Mona Lisa’ e Da Vinçit apo ‘Motra Tone’ e Kolë Idromenos… me atë kërshëri të entuziazmuar po e nisja bisedën e asaj dite në karriget e sallës, ndërkohë që në skenë zhvilloheshin provat e shfaqjes ‘Sakati i Inishmanit’ nga Martin Mc Donagh, me regji nga Shkëlzen Berisha.
Znj.Servete e ka nisur këtë përvojë në vitin 1983, ndërsa fillesën e punës në këtë teatër e ka nisur në vitin 1978 (vit kur u formua teatri profesionist) si aktore amatore me shfaqjen ‘Toka e përgjakur’ me regji nga Sulejman Lokaj. Një rol, përballja e parë, me të cilin edhe u vlerësua me çmimin e parë si aktorja më e mirë femër, në Festivalin e Teatrove në Ferizaj. Çmimi ishte një mundësi për një pjesëmarrje prej 12 ditësh në Festivalin Federativ të Dramës në afërsi të Dubrovnikut.
Prej kësaj përvoje të parë nxitëse dhe të bukur, ajo ka luajtur edhe role të tjera në atë periudhë, në shfaqje për të rritur (Karnavalet e Korçës, në rolin e Nastës etj.), por edhe në teatrin për fëmijë. Pra, imazhi im i pikturës nga kohëra të tjera, u bë i gjallë, duke më befasuar me fuqinë e frymëmarrjes së saj – e lehtë dhe e përplotë – dhe aftësisë për t’i përdorur të gjitha shqisat dhe intuitën në shërbim të njërës prej dashurive të saj, Teatrit.
E pyes si fillim se çfarë mund të më rrëfejë për fillimet profesionale në këtë teatër dhe e ndiej në zërin e saj të ngrohtë një drojë të lehtë tek përzgjedh imazhet në kujtesën e jetës së saj 42-vjeçare në këtë hapësirë. Më rrëfen se në rininë e hershme i kishte dy dashuri për atë që mund të bëhej profesioni i saj: Teatrin dhe Mjekësinë, mirëpo nuk zgjodhi as njërën, as tjetrën.
“Zgjodha familjen në atë kohë, ishte më e rëndësishmja për mua, – thotë duke anuar qafën me elegancën e mjellmës, si për të përforcuar zgjedhjen e duhur që kishte bërë, – dhe familja e bashkëshortit tim ishte familje e madhe, me një shtëpi të madhe, me histori në këtë qytet – pasardhësit e Abdullah pashë Drenit, të familjes Kryeziu, dhe përkushtimi e realizimi i parë në rrugën e jetës, si e rritur, ishte dashuria me bashkëshortin tim, fëmijët e mi. Atëherë ka qenë tjetër kohë, nuk ishin mundësitë që janë sot. Mundësitë për të shkuar në shkollë nuk ishin, dhe mundësitë për të zgjedhur gjithashtu. Sot është krejt ndryshe. Atëherë u zhvillua një konkurs për aktore, por unë ditën e audicionit u tërhoqa, vendosa ta lë. Ishte koha kur femrat… shumë pak kanë mundur.’
Mirëpo me sa duket, dashuria për Teatrin e kishte destinin të mos mbetej një histori e ndërprerë rinie, që do të kujtohej me melankoli në vitet që do të vinin. Në 1983-shin, u hap një pozicion pune në Teatër dhe znj. Servete nisi punë me kontratë në fillim si statiste-episodiste, për të kaluar shumë shpejt në përvojën e pëshpëritëses, pasi zonja Shqipe Lokaj që e kryente këtë punë atëherë, kishte dalë në pension. Puna si pëshpëritëse, pohon ajo, është një punë shumë e vështirë, me përgjegjësi të madhe, është një punë që mbështetet në besim.
Zëri i saj, ndërkohë që kërkon ndër kujtime, merr ngjyrat që sjell sfondi i rinisë së saj: “Më pëlqente teatri, muzika, arti, më bënte të ndihem mirë. Kam pasur një lehtësi, pasi e kisha provuar skenën dhe e kuptoja nevojën e aktorëve dhe ndihmën që mundesha t’u jepja. Më kujtohet pas shfaqjes së parë, m’u afrua regjisori Muharrem Qena e më thotë “largohu prej këtij vendi pune, largohu, se është vend shumë i vështirë dhe ka shumë probleme” dhe ishte e vërtetë, dhe kurrë s’e kam harruar”.
Znj. Servete thotë se puna që bën është punë e përbashkët dhe vetëm kështu funksionon, vetëm me dëgjim dhe besim. Edhe pse e ka kuptuar se është një punë shumë e vështirë, ajo ka vendosur të vazhdojë, sepse e do teatrin, por edhe sepse përpara luftës ky ka qenë një pozicion i paguar mirë.
“Para luftës, rrëfen ajo, ligji ishte i thjeshtë dhe i kuptueshëm e në mbrojtje të individit. Dhe kur ligjet janë kështu, atëherë gjërat ecin mbarë”. Ndërsa tani: një ligj sot, një ligj nesër, rregullat kanë ndryshuar, madje, shpesh, nuk merren fare parasysh, edhe pse përshkrimi i rendit të punës është me shumë rëndësi. Pozicioni i përshpëritësit është hequr me ligjin e ri, ndërsa në Teatrin Kombëtar është shtuar në përshkrimin e punës së menaxherit të skenës. Ndërsa në këtë teatër ajo punon me projekte dhe është pjesë e secilës shfaqje që realizohet në repertor.
E ndoqa me vëmendje mënyrën e saj të punës. Me të arritur në teatër, me një dinamikë prej drenushe, ajo vendos në cilën anë të skenës do të qendrojë varësisht skenës që është për t’u punuar. Nuk ka një vend të përcakuar, as ndonjë mbështetëse teksti në nivelin e duhur, që të mos përjetojë pengesa fizike.
Ndërkohë që në kultura të tjera, e djathta e publikut dhe e majta e aktorit njihet si vendi i pëshpëritësit, ajo thotë se e zgjedh duke vlerësuar raportin me vendndodhjen e aktorëve në hapësirën skenike.
“Ka raste, thotë ajo, që gjatë shfaqjes vrapoj me tekst në dorë për të qenë në pozicion më të favorshëm, për t’i ndihmuar aktorët që të mos i lëmë të mbeten keq”. E pyes për rastet që i kanë mbetur në kujtesë për nga vështirësia dhe ato që i kanë mbetur për nga gëzimi. Kujton me ngrohtësi bashkëpunimin me aktorin Hadi Shehu, emrin e të cilit mban sot teatri i Gjakovës, të cilin e përshkruan si një njeri të vëmendshëm dhe shumë të kuptueshëm dhe me komunikim të respektueshëm.
“Aktorët e vjetër që janë në pension, kur kanë qenë më të rinj, nuk kanë pasur probleme me tekstin gjatë shfaqjeve. Për shembull, Hadi Shehu, vetëm kur i kanë nisur problemet shëndetësore, pati nevojë në një çast për t’i kallëzuar, edhe tri herë u mundova, edhe herën e tretë më ka dëgjuar, ngaqë herën e tretë e kam gjuajtur… E pasi shfaqja mbaroi, erdhi e më tha: ia paska vlejtur puna e gjithë këtyre viteve vetëm për këtë çast!” Ndër vështirësitë kujton më së shumti ato me aktorët që nuk janë të sigurt me mbamendjen e tekstit, por nuk e kanë dëgjimin apo vetëdijen skenike aktive kur i përfshin emocioni, dhe një rast kur aktori kishte kaluar krejt një skenë dhe ajo nuk kishte mundur ta ndihmonte, apo kur përpiqet ta thotë me fjalët e veta dhe bëhet e vështirë vazhdimësia.
Bisedojmë për aftësitë që duhet të ketë një pëshpëritës, si p.sh. shpejtësia. “Unë lexoja shumë shpejt, por duhet edhe përqendrim, përkujdesje gjatë provave se ku e ka krisjen më të madhe aktori dhe kjo mbërrihet vetëm nëse bashkëpunon gjatë shfaqjes. Sepse nuk është aq e rëndësishme prova krahasuar me shfaqjen, sepse aty ke për të dalë para publikut”.
Mënyra e saj e komunikimit me zë të qetë, të qartë dhe sytë plot prezencë më bën për vete dhe biseda jonë zgjat plot dy orë. Thuhet se karakteri njerëzor është i trashëguar, por edhe i përshtatur me ambientin ku jeton, por ambienti i rrëmujshëm i ndryshimeve nuk ia ka zbehur asaj fuqinë e rregullit, përpjekjen për të qenë ndihmuese, qetësinë, përkushtimin.
“Prej ditës së parë e kam parë kështu, është si një objekt që është në lëvizje dhe ke për të ndenjur, ke për të pritur gjithë kohën kur ndalet ai objekt dhe tap ta gjuash. Mendoj se është punë me përgjegjësi dhe njeriu ndihet shumë keq, nëse nuk mundesh ta kapësh atë moment”.
E pyes nëse ndonjë e re apo i ri është interesuar të mësojë apo ta mendojë si vend pune dhe më thotë: Jo, nuk ka pse! Ndërkohë që ajo flet mbi trashëgiminë, mendja më shkon te një brez i ndërmjetëm: më kujtohet se në vitin e kaluar kishim ftuar në Teatrin Metropol një tjetër portret femëror plot thjeshtësi e produktivitet, Wendi Palmer-in, menaxhere skene nga Atlanta prej 25 vitesh, për të trajnuar të rinj të interesuar në këtë profil pune, kështu që mora edhe një përgjigjie nga një tjetër hapësirë mbi atë se kush e bën pëshpëritësin: “Po, ndihma e aktorëve me tekst është pjesë e punës së një menaxheri në skenë, por kryesisht vetëm gjatë provave. Aktorët nuk mund të kërkojnë më për tekst kur dalin në premierë.
Sigurisht, nëse do të kishte ndonjë rast urgjence mund të jepja tekst me mikrofonin tim nga kabina (të cilën audienca nuk do të ishte në gjendje të dëgjonte), por kjo nuk ka ndodhur kurrë në 25 vitet e mia në punë. Unë ulem në kabinën në pjesën e prapme të sallës, atje ku ulen operatorët e dritës/zërit. Hapësira e asistentëve është në prapaskenë gjatë shfaqjeve dhe gjithmonë do të ketë një tekst të hapur, në mënyrë që aktorët ta kontrollojnë nëse u duhet.
Ndonjëherë menaxheri i skenës mund të qëndrojë gjithashtu në prapaskenë, por rrallë”, ka thënë Wendi Palmer. Për dijen time, pëshpëritja ka qenë pjesë e menaxhimit skenik që nga fillimi i këtij pozicioni i cili është zhvilluar disi prej pozicionit të pëshpëritësit. Pëshpëritësit dhe menaxherët e skenës kanë qenë pjesë e sindikatës së aktorëve që nga viti 1920.
Kohë më parë, në katin e poshtëm të skenës ka pasur vendet e pëshpërtiësve, por asnjëherë nuk kam parë një të tillë aty. Pëshpërtësit mund të përdoren ndonjëherë në opera. Dhe me sa unë di, në Angli kanë atë që ata e quajnë ‘vendi i pëshpëritësit’ për shkak të vendit ku ulen.
Në ditët e sotme nëse aktorët vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmë gjatë një shfaqjeje, zakonisht për shkak të moshës, ata përdorin kufje. Kjo ndodhi me një shfaqje që punoja vitin e kaluar. Aktori diku në fund të të ’70-ave po luftonte me tekstin, kështu që teatri punësoi një pëshpëritës të caktuar të ulej në kabinë pranë meje dhe të mbulojë aktorin me tekst përmes një mikrofoni që përcillte zërin direkt në veshin e tij. Publiku nuk e dinte këtë. Thjesht dukej se aktori kishte një aparat dëgjimi.
Një transformim gradual i një profesioni dhe perceptimi se për një vit nis faza e re e jetës, pensioni, po e takon znj. Servete me një perspektivë të re. Perspektiva e daljes në pension nuk do të shtrihet në pushim, por do të rikrijojë një ambient pune të ri. Pas luftës, ajo e kishte zbuluar edhe një formë takimi me Mjekësinë, dashurinë tjetër të rinisë, përmes njohurive dhe ndryshimit të kulturës së të ushqyerit.
7 vite me ushqim vegjetarian dhe 7 të tjera vegan të papërpunuar. Burimin kryesor e ka vendosur ta marrë në shkencë. Bazuar te një kërkuese shkencore nga Rusia (burim i drejtuar prej njohurive gjuhësore), që kishte si bazë hulumtimi shimpanzetë, kishte zgjeruar njohuritë dhe praktikën në një mënyrë mahnitëse. Përmes shumë trajnimesh online (me të cilat e ndihmonte në përkthim djali e më pas mbesa) ajo tashmë ka krijuar recetat e saj dhe një libër me njohuri për ata që janë të interesuar të ndryshojnë mënyrën e të ushqyerit si pasojë e ngarkesave dhe sëmundjeve prej ushqimeve të përpunuara.
‘Të kisha ditur ato që i di sot për rëndësinë e dritës në ushqim, ndoshta mund ta kisha shpëtuar nënën time, e tani dua që vajza ime Lena ta mësojë djalin (Albulena Kryeziu Bokshi, është aktore në Teatrin Kombëtar të Kosovës) e kështu jetëgjatësia mundet të rritet gradualisht”. Edhe një vit dhe del në pension, dhe ka vendosur të rikrijojë një kulturë të re pune me një restorant vegan me recetat e saj, shoqëruar me një bibliotekë të thjeshtë me njohuri mbi kulturën ushqimore të papërpunuar. Kështu, shoqëria reformohet, rikrijon, krijon praktika të reja duke reflektuar mbi ato të zbehurat, secila kulturë jeton në një labirint të ndërlikuar përvojash.
Në një takim mbresëlënës dyorësh, mori trajtë reale piktura ime romantike e pëshpëritësit/suflerit, duke më kujtuar përsëri se kontaktet e ndërsjella të qartësojnë rrëmujat që mund të krijojë stuhia e ndryshimeve, dhe qartësia mund të vijë kur di dhe praktikon struktura funksionale me bazë interesin e përbashkët. Mekanizmat e stabilizimit, thonë studiuesit e kulturës, realizohen sipas një dialogu të vështirë dinamik dhe proceset graduale zotërojnë një kapacitet të fuqishëm progresi. Uroj që nga rrëfimi i këndit të pëshpëritësit të mbërrijë pamja e një substance jetike që do të sjellë një prodhim të ri kulturor!ka.ta/Fjala.al/