I sëmuri mendor në Dibër plagos me thikën nënën dhe dy fqinjët

Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në Dibër, ku një person ka plagosur me thikë nënën dhe dy fqinjët e tij.

Ngjarja është shënuar rreth orës 11:00 të ditës së sotme, ku në policinë e Dibrës ka ardhur një telefonatë për ndihmë, pasi në fshatin Kërçisht i Epërm, Maqellarë, po ndodhte një konflikt.

Efektivët e policisë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe falë ndërhyrjes së shpejtë është konstatuar se Florian Abazi, rreth 45 vjeç i sëmurë mendor, kishte ushtruar dhunë dhe me një thikë, ka plagosur nënën e tij shtetasen Shkëndije Abazi.

Më pas kishte dalë në rrugë duke  plagosur fqinjët e tij, shtetasin Bexhet Meda, dhe shtetasen I.Meda,  të cilët ndodhen për ndihmë mjekësore në spital.

Autori i dyshuar i ngjarjes është kapur nga policia dhe aktualisht po trajtohet për ndihmë mjekësore në spital.

Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes./Bl.Ba/Fjala.al