Nga Katerina Tafa
Realizuesi i tripletës në ndeshjen e fundit të Flamurtarit, Ardit Hoxhaj, ka folur së fundmi në lidhje me rrëzimin nga Superliga të skuadrës vlonjate, si dhe për rezultatin e papritur të takimit me Luftëtarin.
Sulmuesi ka thënë se skuadra e tij arriti që në përballjen me gjirokastritët të tregonte veten, ndërsa ka shprehur keqardhje për rezultatin e këtij sezoni.
“Me thënë të drejtën, ia kemi dalë të realizojmë disa ndeshje të mira këtë periudhë, dhe me Luftëtarin arritëm të merrnim fitore. Megjithatë, më vjen keq që nuk kemi arritur të bëjmë mirë që në fillim, por tani duam ta mbarojmë kampionatin në mënyrë dinjitoze dhe jo t’u hapim rrugën ekipeve të tjera. “ – u shpreh vlonjati, në një intervistë për gazetën “Fjala”.
Ndërsa ka folur për gjendjen e skuadrës gjatë këtij kampionati, Hoxhaj ka thënë se ndikimi erdhi nga një sërë faktorësh bashkë, ku theksin e ka vënë te mungesa e përgatitjes në fillimin e sezonit.
“Të analizosh ekipin është pak e vështirë, por janë bërë shumë faktorë bashkë. Dihet që ne e filluam kampionatin me vetëm një javë stërvitje dhe kishim shumë ndeshje të dobëta në fillim. Ekipet e tjera krijuan diferencë pikësh nga ne dhe në këtë kampionat, me këtë skemë, është shumë e vështirë t’i rekuperosh pikët.” – vijoi ai.
Sipas Hoxhajt, mungesa e lojtarëve me eksperiencë, po ashtu, pati pasojat e veta, duke penguar arritjen e rezultateve të dëshiruara.
“Pengesa jonë kryesore këtë vit në mosarritjen e rezultateve të dëshiruara ka qenë sepse jemi mbledhur një grup me lojtarë të rinj, dhe nuk kemi qenë shumë të stërvitur.” – u shpreh sulmuesi.
Për një lojtar si Ardit Hoxhaj e ardhmja duket se nuk është aspak problem, dhe këtë gjë e ka thënë edhe vetë ai. Futbollisti ka theksuar që nëse nga klubi i Flamurtarit nuk do të ketë projekt serioz, atëherë ai do të shikojë mundësitë e tjera.
“Kontrata më mbaron këtë vit. E kam përsëritur gjithmonë që do të ulem, do të flas me presidentin, nëse do të kemi një projekt serioz për ta rikthyer Flamurtarin aty ku i takon. Nëse po, do të jem pjesë e Flamurtarit, në të kundërt, do të shikoj ofertat që kam.” – shtoi sulmuesi, i cili bëri me dije se ka dy oferta nga klube jashtë Shqipërisë.
Intervista Ardit Hoxhaj
Çfarë ndodhi në ndeshjen më Luftëtarin, që skuadra vlonjate arriti të merrte një fitore aq të thellë, pas një sezoni plot vuajtje?
Takimi me Luftëtarin ishte një ndeshje që ne e kishim përgatitur mirë. Kemi zhvilluar paraqitje të mira këto kohët e fundit dhe arritëm që me Gjirokastrën të merrnim një rezultat të pëlqyer.
Pse pikërisht tani ky “zgjim”, nëse mund ta quajmë kështu, i Flamurtarit, pasi ju tashmë jeni të rënë nga Superliga?
Me thënë të drejtën, ia kemi dalë të realizojmë disa ndeshje të mira këtë periudhë, dhe me Luftëtarin arritëm të merrnim fitore. Megjithatë, më vjen keq që nuk kemi arritur të bëjmë mirë që në fillim, por tani duam ta mbarojmë kampionatin në mënyrë dinjitoze dhe jo t’u hapim rrugën ekipeve të tjera.
Çfarë e solli, sipas jush, këtë performancë kaq të ulët te skuadra juaj këtë sezon? Pra, cili ishte problemi kryesor?
Të analizosh ekipin është pak e vështirë, por janë bërë shumë faktorë bashkë. Dihet që ne e filluam kampionatin me vetëm një javë stërvitje, dhe kishim shumë ndeshje të dobëta në fillim. Ekipet e tjera krijuan diferencë pikësh nga ne dhe, në këtë kampionat, me këtë skemë, është shumë e vështirë t’i rekuperosh pikët.
Po ju vetë si e komentoni atë takim, duke qenë se realizuat edhe 3 nga 6 golat e atij takimi?
Personalisht për mua dhe për ekipin ka qenë një ndeshje shumë e mirë, ekipi ishte i vendosur mirë në fushë dhe nuk i lamë hapësirë kundërshtarit. Ia dolëm të zhvillonim lojën tonë dhe ta kishim atë nën kontroll. Jam i lumtur për 3 golat që bëra, sepse deri në ato momente kisha realizuar vetëm dopietë, kjo ishte tripleta e parë.
Arditi ka qenë nga ata lojtarë që gjithmonë kanë dhënë maksimumin dhe kanë bërë një lojë të bukur. Pra, a nuk mendoni se ju vetë do të kishit pasur rezultate më të mira, po të kishit qenë pjesë e një tjetër ekipi?
Siç e kam përmendur edhe më lart, pengesa jonë kryesore këtë vit në mosarritjen e rezultateve të dëshiruara ka qenë sepse jemi mbledhur një grup me lojtarë të rinj, edhe nuk kemi qenë shumë të stërvitur. Jemi mbledhur në momentet e fillimit të kampionatit dhe kemi qenë pa fazë përgatitore. Nuk mund t’i bëj analizë teknike ekipit tim, atë e bën trajneri. Mendoj se kur kemi rezultate negative të gjithë kemi pjesën tonë të fajit, ashtu sikurse edhe kur fitojmë, të gjithë marrim meritat.
A do të vazhdoni të jeni më pjesë e Flamurtarit, pas mbarimit të këtij sezoni?
Personalisht mendoj se në një ekip ku ka lojtarë me kualitet edhe loja del më e mirë, sidomos për sulmuesit, sepse dalin më shumë përpara portës dhe shënojnë.
Na flisni pak për planet e së ardhmes, kur do të mund t’ju shohim në një kampionat më të fortë se ky i yni?
Kontrata më mbaron këtë vit. E kam përsëritur gjithmonë që do ulem, do të flas me presidentin, nëse do të kemi një projekt serioz për ta rikthyer Flamurtarin aty ku i takon. Nëse po, do të jem pjesë e Flamurtarit, në të kundërt do të shikoj ofertat që kam.
A jeni në bisedime me ndonjë skuadër aktualisht dhe, nëse po, cila është ajo?
Momentalisht kam dy oferta nga jashtë. Do të flas më konkretisht për ato kur të jenë mbyllur disa detaje që janë në bisedime.
A pritet të ketë largime pas mbylljes përfundimtare të këtij sezoni?
Po, normalisht, si në çdo merkato ka largime dhe afrime. Shpresoj që për Flamurtarin të mos ketë largime me peshë, sepse nuk do t’i bënte mirë ekipit.
Si mund të ringrihet sërish në Superligë ekipi juaj, pas këtij sezoni të vështirë?
Për ta ngritur ekipin në Superligë mendoj se baza është te grupi. Do të na duhen 3-4 afrime cilësore. Kështu, do të kishim një ndërthurje të elementëve të rinj dhe atyre me eksperiencë, dhe do të kishim një grup shumë dinjitoz.
/En.Br./Fjala.al