Nga Ermal Mulosmani
Në blogun letrar “Peizazhe të fjalës” sot u publikua një material mjaft voluminoz me dokumenta arkivore dhe plot arsyetime nëntekstuale që përpiqeshin të implikonin dy nga emrat më të njohur të botës letrare të diasporës antikomuniste, Martin Camajn dhe Ernest Koliqin.
Autori i këtij studimi, Auron Tare, kishte zgjedhur një titull mjaft provokativ, “Mite të rremë”, a thua që pas këtij publikimi miti i tyre si letrarë dhe atdhetarë do të zhbëhej.
Shkrimi merrte shkak nga një aktivitet i përbashkët i dy Ministrive të Kulturës, të Shqipërisë dhe Kosovës, tre vite të shkuara, që promovonte Camajn dhe Koliqin si dy kalorës të mohuar të letrave shqipe. Xhelozia e pafshehur për një aktivitet të tillë, duket e nxiti studiuesin Auron Tare për të gërmuar në arkivë e për të “zhbërë” sa të jetë e mundur mitin e tyre, për të diskretituar aktivitetin e dikastereve më të larta kulturore shqiptare.
“E sa për lëmin e letërsisë më mungon kompetenca për t’i gjykuar këta “shqytarë kalorsiakë”, shpresoj që me analizën e mëposhtëme lexuesit të krijojnë një ide të qartë për “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen nga Ministritë tona të Kulturës”.
Ky ishte edhe paragrafi kryesor i shkrimit në fakt.
Autori shpërfaq inkompetencën për të gjykuar letërsinë e tyre dhe i quan në mënyrë kontradiktiore “Mite të rreme”! Si qenkan të rreme kur ti sapo thua që nuk kam kompetencë për letërsinë? A janë të famshëm si letrarë këta dy “shqytarë kalorsiakë”? A do ishin të famshëm fjala vjen po të ishin zejtarë apo hamenj? Sigurisht që jo! Atëherë përse i ka hyrë autori zgëqeve të arkivave të Sigurimit?
Me këtë paragraf, autori padashje shfaq qëndrim personal ndaj shkrimtarëve, ai premton “demaskimin publik përpara popullit” . Mendova që një inkompetent letrar siç e shpall veten zoti Tare, do të ketë zbuluar që vepra letrare e Camajt dhe e Koliqit do të jetë plagjiaturë e ndonjë shkrimtari tjetër. Vetëm kjo gjë mund të vinte në diskutim mitin e tyre.
Por jo. Tare nuk vinte në diskutim aspak letërsinë ai merrej me jetën personale të shkrimtarëve.
Për këtë qëllim, Tare vijon hulumtimin dhe publikimin duke filluar nga arkiva e dashur e Sigurimit të Shtetit e deri në dokumente të deklasifikuara të CIA-s dhe agjenturave të tjera. Bie në sy zelli për të nxjerrë konkluzione nga veprime apo mosveprime, për të bërë deduksione që kompromentojnë Camajn.
Për çdo veprim të shkrimtarit, “studiuesi” hedh dyshime duke përdorur dokumenta të tërthorta që nuk provojnë asgjë. Ai arrin të diskutojë edhe mundësinë ekonomike të pushimeve për studentin e ri në një resort malor në vitin 1951. Megjithëse pak më lart, vetë Tare, kishte shpjeguar që në atë kohë Camaj ishte dashuruar me Nina Bogdanovitch, vajzën e ish Nënkryetarit të Bashkisë së Beogradit (një arsye e forte ku mund të justifikoheshin shpenzimet e pushimeve), “studiuesi i paanshëm”e harron këtë fakt.
I vetmi dokument që implikon Martin Camajn në publikimin e Tares është nënshkrimi i tij në Maj të 1948-ës për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit. Ai u burgos më 5 Maj 1948 pasi dyshohej “për lidhje me një bandë të arratisurish pro-jugosllavë” dhe u lirua me datën 10 Maj të atij viti, pasi firmosi bashkëpunimin me Sigurimin. Pra ndenji në burg vetëm 5 ditë. Gjatë periudhës së burgimit ai jep deponime kundër disa mësuesve të tij fretër-jezuitë që ishin pushkatuar ndërkohë nga regjimi komunist.
Katër muaj më vonë Camaj arratiset nga Shqipëria në Jugosllavi. Studiuesi nuk sjell asnjë provë të bashkëpunimit me Sigurimin gjatë periudhës Maj-Shtator 1948 apo edhe më vonë. Gjithçka sillet si provë nga ky moment e në vijim është tendencioze, keqdashëse dhe e pavërtetueshme.
Më shumë se kudo vihet re kjo tendencë në interpretimin që i bëhet letrës së Camajt për Lazër Sheldinë në Romë. Kjo letër, e nisur nga Camaj prej postës së Vjenës më 1956 (i trembur se posta e Beogradit kontrollohej nga agjentura jugosllave) tregon një student të frikësuar, të trishtuar dhe në panik për ekzistencën e tij. Në letrën e publikuar, ndërmjet të tjerash, thuhet :
“ NJë person i rëndësishëm ka dhënë urdhër të mos botohen shkrimet e mia dhe të më ndalohet puna në Universitetin e Beogradit të cilin e fitova me aftësinë time. Jam në një gjendje të rëndë ekonomike. U interesova për të mësuar për të gjitha këto dhe njerëzit thonë që Camaj dëmton rininë me punën e tij nacionaliste dhe irredentiste. Unë kam pasë mbrojtës ekselentë por tanii më thonë Tani je vetëm. Kam frikë se do më kthejnë në Shqipëri ashtu siç bënë me Selman Rizën apo intelektualë të tjerë. Prandaj, nëse mendon sado pak për mua, mundohu të më nxjerrësh jashtë këtij vendi”.
Çdo njeri normal kupton panikun për rrezikun që i kanoset letrarit të ri. Ai po jeton në një ambient ku me sot me nesër mund të kthehej në Shqipëri dhe mund t’i rrezikohej jeta pa le karriera letrare…
Mirëpo Tare sheh gjëra të tjera, të errëta. Me arsyetimin e tij “të përseve” dhe “sepseve” pa asnjë dokument të drejtpërdrejtë, ai konkludon:
“Dyshimi se Mërgata shqiptare ishte depërtuar nga Sigurimi Shqiptar e bënte të domosdoshme depërtimin e agjentëve amerikanë edhe në Bllokun Indipendent për të kontrolluar çdo hap të saj. Për të njëjtat arsye, edhe jugosllavët që ishin të angazhuar në operacionet anti Hoxha kërkonin të depërtonin në Komitetin “Shqipëria e Lirë” por edhe Bllokun Indipendent që mbronte politikën italiane për Shqipërinë!
Kjo si logjikë do të linte pa fjalë edhe Kastriot Myftarajn, aftësitë e të cilit për konspiracion janë të mirënjohura. Pra UDB-ja po çonte në Itali një rekrut për të depërtuar në Komitetin “Shqipëria e Lirë”!
Një analizë kaq pa bazë e kaq tendencioze nuk kisha lexuar ndonjëherë.
Si përfundim, mendoj se aktiviteti i Ministrisë së Kulturës që promovon letrarët më të shquar të diasporës ka qenë për çdo lavdërim. E shkrimi haluçinant, i pabazë i Tares shpreh mendësinë e historianëve të komunizmit sipas të cilëve “lufta ndaj komunizmit në Shqipëri është luftë ndaj Shqipërisë”.
Nuk është se jam njohës apo simpatizues i madh veprës së Camajt apo Koliqit por analiza e Tares më shumë se për shkrimtarët flet për autorin e saj./gazetaexpress/
la.mi/Fjala.al