Shtyhet për 13 korrik seanca për ish- kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku

Gjykata e Tiranës vendosi të shtyjë për të hënën seancën e verifikimit të kushteve të masës se sigurisë për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun.

Shkak është bërë mosprania fizike e Kajmakut në seancë. Në sallën e gjyqit avokati ka pretenduar se deri pasditen e djeshme Kajmaku ka qenë në spital.

Ndërsa prokurori i çështjes ka kërkuar shpallje të moskompetencës dhe dërgim në Gjykatën e Apelit.

Ish-kryetari i bashkisë së Vorës Agim Kajmaku ka lënë ambientet e spitalit privat mbrëmjen e djeshme (8 korrik), ku prej 3 ditësh po kurohej për problemet e tij shëndetësore.

Ai është dërguar në banesën e tij dhe kanë qenë familjarët e tij që kanë bërë nxjerrjen nga spitali, ndërkohë kanë qenë të shoqëruar edhe nga forcat e policisë.

Duke qenë se Gjykata e Apelit të Tiranës vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga ”Arrest me burg” në ”Detyrim paraqitje”, Kajmaku do të duhet të paraqitet 2 herë në muaj në prokurori. Seanca gjyqësore e radhës do të jetë më 13 korrik./Bl.Ba/Fjala.al