Vera e re në fuçinë e vjetër/ Roland Qafoku: Hapja e dosjeve të shkrimtarëve dhe 10 kontradikta për “poliagjentët” Camaj e Koliqi

113 563 lexime

77,479FansaPëlqeje

Nga ROLAND QAFOKU, posaçërisht për Gazetën Fjala

Në zhegun e verës, hapja e dosjes për Martin Camajn dhe Ernest Koliqin ishte për Shqipërinë një virus i dytë pas të tmerrshmit COVID-19. Auron Tare publikoi një studim të shoqëruar me prova shkresore, sipas të cilit, dy korifenjtë e letrave shqipe kanë qenë agjentë të disafishtë të shërbimeve sekrete shqiptare, jugosllave, italiane, amerikane, gjermane etj.

Kaq mjaftoi që reaksioni kimik të ishte në kulmin e tij.Vlera e këtyre dy figurave ra ndjeshëm për ata që i adhuronin dhe i vlerësonin për letërsinë e tyre. Por aq e pështirë u bë për disa të tjerë, për të cilët u duk sikur fërkuan barkun që armiqtë dhe disidentët e periudhës së komunizmit rezultuan poliagjentë.

Prandaj, zgjidhja e vetme për të qartësuar se çfarë ka ndodhur me letërsinë dhe artin gjatë komunizmit mbetet hapja e dosjeve, e cila nuk duhet parë si një gjëmë, por si një transparencë. Kjo situatë i jep të drejtë edhe një herë shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cili, në një intervistë që i mora para dy viteve, tha se nuk është tragjedi kombëtare hapja e dosjeve.

Sipas tij, tragjedi kombëtare është moshapja e dosjeve. Fakti që për dosjen Camaj dhe Koliqi debati merr rrjedha nga më të çuditshmet, më irrealet dhe më absurdet, të shtyn të mendosh se hapja dhe jo moshapja e dosjeve i shërben letërsisë, artit dhe gjithë shoqërisë shqiptare.

Sigurisht, që kjo hapje të bëhet mbi bazën e ligjit dhe rregullave, por që të jesh partizan i ndalimit të hapjes së dosjeve është pothuajse një krim i dytë. Dhe sikur ta dinte që një ditë do të vinte ky diskutim, vetë Camaj në poezinë “Zanat apo Orët” shkruante: Zanat apo Orët janë qensa pa kokë/ase gjarpij me gjuhë të helmueme/që jetojnë nji verë…Nga materialet, por edhe nga reagimet pas publikimit të studimit të Auron Tares dalin në dritë disa kontradikta që lidhen me aktivitetin e dy personazheve, por më shumë se me këto, lidhen me problemet që kemi ne si shoqëri. Ja cilat janë këto kontradikta.

  1. POLIAGJENTËT E DOKUMENTUAR CAMAJ DHE KOLIQI

Diskutimi në këto 30 vjet nëse dikush ishte apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit është bërë zakonisht me fjalë në kafene. Përgojimi ka shkuar deri atje, sa nuk janë të pakta rastet kur përgojohej dikush se kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit kur, në fakt, Sigurimi e kishte survejuar atë. Në rastin e shkrimtarëve Marin Camaj dhe Ernest Koliqi ne jemi përballë fakteve në dosje.

Të paktën, sipas botimit të pjesës së Martin Camajt, rezulton se ai e ka firmosur me dorën e vet bashkëpunimin me Sigurimin dhe ka të dhëna se ka qenë në shërbim edhe të UDB-së, edhe të SIM-it, edhe të CIA-s, por edhe të shërbimit sekret gjerman. A është marrë kjo firmë nën presion apo nën ushtrimin e dhunës? Ne nuk e dimë këtë. Duhen fakte dhe prova të pakundërshtueshme që ta vërtetojnë këtë. Por ama ne kemi një firmë dhe një dosje që e implikon Camajn dhe të thuash që kjo nuk është e vërtetë, i bie që të mos jemi seriozë. Pyetja e rëndësishme në këtë situatë është: a solli pasoja bashkëpunimi i Camajt me Sigurimin e Shtetit? Pa dyshim që është një gjë shumë pozitive që Camaj “nuk ka marrë njeri në qafë” nëpërmjet Sigurimit.

Por angazhimi dhe bashkëpunimi i tij me Komitetin e Prizrenit, një shoqatë dhe komitet që investohej nga UDB-ja ta hedh poshtë të gjithë piëkvështrimin pozitiv që mund ta kesh si perceptim. Një studiues i njohur të cilin unë e vlerësoj, deklaron që mënyra poliagjente për një personazh si Camaj dhe Koliqi ishte normale. Madje, edhe ai mund të kishte bërë ashtu, nëse do të jetonte në kohën e tyre.

Me këtë sinqeritet që shpreh studiuesi, kjo edhe mund të ndodhte. Por ne nuk kemi asnjë deklaratë publike të Camajt dhe Koliqit që ata ta kenë pranuar në të gjallë që kanë bashkëpunuar me disa shërbime sekrete, përfshirë edhe Sigurimin dhe UDB-në. Nobelisti gjermanolindor, Gunter Grass, e pranoi me gojën e vet që kishte bashkëpunuar me shërbimin sekret komunist. Sigurisht që la me gojë hapur një popull të tërë, por në një farë mënyre qetësoi shpirtin e vet, duke e thënë publikisht.

  1. HIJA E SIGURIMIT TË SHTETIT

Nuk është hera e parë që hapen dosjet e shkrimtarëve që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit dhe shkaktojnë debat publik. Unë që kam shkruar me dhjetëra në mos qindra artikuj për këtë temë, nuk e mendoja se në vitin e 30-të të rrëzimit të komunizmit kjo temë do të dilte sërish në sipërfaqe, por në formën që disa e quajnë të mbyllur dhe që, sipas tyre, kjo gjë nuk duhet bërë.

Jemi një shoqëri që ende nuk e kemi bërë pastrimin nga e kalura dhe turpi është se ende mes nesh, në politikë, në letërsi, art, kulturë dhe media bëjnë karrierë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Por ky rast duhet vlerësuar që ka vetëm një të mirë: pastrimin e ndërgjegjes së një shoqërie. Përsëri i referohemi nobelistit Gunter Grass që me pranimin publik shokoi, por ama edhe lehtësoi një shoqëri të tërë.

Në Shqipëri, i vetmi rast publik që një shkrimtar pranon një bashkëpunim, është ai i Fatos Kongolit, i cili ka pranuar që ka bërë deponim në gjykatë. Kongoli tha publikisht: Më falni, unë kam dëshmuar në gjykatë kundër një përkthyesi, i cili u dënua me burg. Pyetja është: Ku janë ata dhjetëra e qindra shkrimtarë, përkthyes, artistë, këngëtarë, kompozitorë etj. që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe që nga aktiviteti i tyre janë dënuar sa e sa persona? Është më e rëndë që të vazhdojë të na ndjekë hija e Sigurimit se ta ndërpresim këtë hije duke i bërë publike dosjet.

  1. SPIUNËT DHE KATOLIKËT

Ka një linjë debati këto ditë, sipas së cilës jo vetëm studiuesi AuronTare, por edhe të tjerë po sulmojnë Camajn dhe Koliqin, pikërisht për faktin se i përkasin besimit fetar katolik. Kjo integligjencë nuk i shkon për shtat statusit social dhe shkencor të atyre që e kanë thënë. Sigurisht që nuk ka asnjë synim fetar dalja dhe publimi i kësaj dosjeje.

Bërja e saj publike, saktësia dhe aktiviteti i tyre, është dhe vlen t’i diskutosh dhe debatosh, por që Auron Tare e ka bërë këtë për të denigruar katolikët, kjo është absurde. Kjo ngjan me atë që shkruan profesori italian Roberto Morozo Della Rocca në librin e tij “Kombësia dhe feja në Shqipëri”, sipas të cilit, një pjesë e shqiptarëve e përdorin fenë për t’u mbrojtur. Unë besoj që, nëse Camaj dhe Koliqi do të ishin myslimanë apo ortodoksë, nuk do të kishte fare ndryshim që në ide dhe në trajtimin e studimit. Ky nuk është një argument i forte, por një kontradiktë që i jep avantazh studiuesit.

  1. OSE TË KËQINJ, OSE TË MIRË

Ndarja ose i mirë, ose i keq është sport dhe kulturë tipike e shoqërisë shqiptare. Deri në vitin 1990 Camaj dhe Koliqi jo vetëm ishin të ndaluar të lexoheshin, të botoheshin dhe të studioheshin, por ata cilësoheshin armiq. Si të këqinj të dy jetuan te ne për 50 vjet. Pas vitit 1990 jo vetëm iu hoq kjo damkë, por për 30 vjet ata u cilësuan si korifenj të letërsisë, talente të jashtëzakonshme etj. Tani që doli studimi i Auton Tares dhe dosja e bashëkpunimit, i kthyem sërish të këqinj.

Por të gjithë harrojmë se të dy, përveç talentit dhe krijimtarisë në letërsi ishin njerëz. Kishin aftësi, por edhe dobësi. Kishin mendime të larta, por kanë marrë edhe vendime të gabuara në jetë. Kurrë dhe askush nuk mund të cilësohet dhe vlerësohet dikush si i mirë për të gjitha. Gjeni për gjithçka dhe pozitiv në të gjitha aspektet.

Lexo edhe :  Veteranët e UÇK-së kërkojnë ndryshimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme

E pra, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi ishin njerëz dhe si të tillë kishin aftësi, por edhe dobësi si ky i studimit tëAuron Tares. Po për nga vlera si shkrimtar, mjafton t’i referohemi vlerësimit të Ismail Kadaresë në parathënien e 10 veprave të Camajt, të cilin e vlerëson si shkrimtar të lartësive. Edhe vetë Koliqi, që ishte adhurues, por edhe mentor i Camajt, lartësitë e Bjeshkëve kishin gjetur më në fund mjetin e tyre shprehës. Më bukur nuk thuhet.

  1. HESHTJA E SHKRIMTARËVE

Është bërë e zakonshme që për çdo debat publik analistët dhe gazetarët janë ata që japin mendimet e para. Ndoshta kjo është normale në një shoqëri demokratike. Por habia është se si për një studim të tillë, ku akuzohen dy shkrimtarë nga më të njohurit dhe nga më të talentuarit që kanë qenë agjentë të disafishtë shkrimtarë të rinj dhe të vjetër të fshihen dhe të mos flasin.

A kanë arsye të heshtin? Nuk e dime, por kur ata nuk flasin, sigurisht që do t’u lënë hapësirë inkompetentëve të japin mendimet e tyre. Për të mos folur për përrenjtë psikikë në rrjetet sociale, që rrjedhin jo vetëm atje ku ka rënë shi.

  1. NDARJA E MEDIAS

E kuptoj shumë mirë ndarjen e medias në çështje politike në kësi rastesh. Të djathtët kanë versionin e tyre dhe të majtët versionin e tyre. Por që edhe media dhe gazetarët të ndahen siç ndahen për partitë për një çështje që nuk është fare politike, kjo është jo vetëm aprofesionale, por tregon se çfarë kulture kemi si shoqëri. Gati-gati kemi disa gazetarë që i quajnë Martin Camajn dhe Ernest Koliqin si të djathtë dhe kundërshtarët e tyre të majtë deri komunistë. Lëre pastaj Auron Taren. Tare mund të jetë i majtë.

Ai ka punuar në administratën e PS-së për jo pak kohë dhe kjo nuk është e fshehtë, por që të thuash që Tare është komunist, mua që e njoh që fëmijë, më vjen vetëm të qesh. Më vijnë në mendje çapkënllëqet e tij në shkollë, që dilte jo rrallë si rebel ndaj dogmave dhe rregullave që për atë kohë ishte si ta qëlloje regjimin me grusht në fytyrë. Kështu që ndarja e kësaj çështjeje në të djathtë dhe të majtë jo vetëm nuk vlen, por bëhet edhe më qesharake.

  1. SHKRIMTARËT E BURGOSUR

Visar Zhiti ishte një nga shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që u dënua me burg, për shkak të krijimeve të tij. Si ai ka jo pak. Por kush e spiunoi Zhitin? Kush e spiunoi Sherif Merdanin? Kush i spiunoi ata shkrimtarë dhe artistë që u ndaluan të krijojnë dhe botojnë e deri të burgosen?

Shkrimtarët e burgosur janë dëshmia e gjallë se në artin dhe letërsinë shqiptare kishte talente, por kishe edhe djaj të futur në shishen e Sigurimit të Shtetit. Atëherë ne nuk duhet që për shkak të talentit të dissave, të ndalojmë të thuhet pjesa e errët e tyre. Shkrimtarët e dënuar janë dhimbja e letërsisë dhe e artit shqiptar.

  1. AKADEMIKËT DHE GJUHËTARËT

Për disa duket sikur u është prekur ai që është vlerësuar për të mos thënë idhulli i tyre. Nuk kanë qenë të paktë ata që kanë reaguar për këtë cenim. Të parët ishin Akademia e Shkencave që deklaroi se nuk vihej në diskutim vlera e Camajt dhe Koliqit si shkrimtarë. Por edhe studiues dhe profesorë të veçantë nuk kanë mbetur pas.

Një prej tyre është Ledi Shamku Shkreli e cila shkruan: “Mrekulloheni me Martinin poet, por do dashunoheshit me Camajn gjuhëtar, e ah sa shumë du un që t’ju zejë ky i bukur qymyr me të. Po ju shtij në ngasje me nji pohim të tij prej gjuhëtari, kur thotë se: “ngjarjet që i kanë ra për hise gjuhës time, qenë edhe shkaku ma i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar mbi gjuhën”.

Kush don shqipen, nuk ka si s’e don Martinin e shqipes”. Por ama janë shumë e shumë të tjerë që “nuk janë përzier me këtë çështje” a thua se po flitet për një temë që nuk ka lidhje me ta. Po si mund të quheni profesorë, intelektualë e gjithëfarësoj titujsh akademikë dhe nuk jepni mendimin tuaj për këtë temë kaq sensitive? Profesorë, flini gjumë! Kjo nuk është puna juaj. Vazhdoni të jepni leksione shabllone, siç bëni prej dekadash. Camaj dhe Koliqi s’kanë lidhje me ju!

  1. CENSURË PËR HAPJEN E DOSJEVE

Ka një presion jo të vogël ndaj Autoritetit për Informim të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit pas publikimit të studimit të Auron Tares. Madje, ka edhe akzua se ka abuzuar dhe i ka kaluar kompetencat. Unë mendoj se kjo nuk qëndron. Në këtë vend ka ndodhur dhe ndodh çudia. Kur nuk hapen dosjet, ulërihet përse nuk hapen. Kur happen, me të njëjtin ton ulërimash, shoqërohet shprehja pse hapen. Ky absurditet shkon deri atje, sa të akuzohen publikisht dhe me emra anëtarët e këtij instituconi.

Unë nuk marr përsipër të gjykoj punën e tyre, por realisht ndihem mirë që shteti shqiptar sot ka një institucion që funksionon dhe anëtarët e tij janë pjesë e këtij funksionimi. A ka problem? Pa diskutim, por nuk e besoj kurrë që anëtarët e tij të kenë abuzuar me detyrën dhe të kenë dhënë një dosje pa u mbështur në ligj. Kryetarja, Gentiana Sula, ndoshta edhe formalisht, por edhe për të qenë korrekte, ka firmosur një urdhër për hetim administrativ lidhur me këtë rast.

Por jam i bindur që në asnjë rast dikush aty, duke përfshirë edhe anëtarët e Autoritetit, të ketë tejkaluar kompetencat. Unë jam i prirur t’i kërkoj zonjës Sula që, siç u dha ky urdhër, në fund të  hetimeve të tij të bëjë publike edhe rezultatet dhe jo vetëm, por t’u kërkohet ndjesë të gjithë atyre ndaj të cilëve u hodh baltë, jo vetëm ndaj mënyrës së marrjes së kësaj dosjeje, por edhe anëtarëve të këtij Autoriteti.

  1. DUHET TË HAPEN APO JO DOSJET E SHKRIMTARËVE

Ka një debat 30-vjeçar për hapjen ose jo të dosjeve të Sigurimit për shkrimtarët dhe artistët. Kjo ka qenë pothuajse në të njëjtën nivel sa edhe pushtetarëve dhe politikanëve. Aktualisht që ne kemi një Autoritet, ligji përgjithësisht është kufizuar ndaj pushtetarëve dhe politikanëve.

Por si mund të pastrohet një shoqëri, kur ata që e kanë propaganduar atë me vepra, letërsi, art e kulturë, mund të kenë qenë agjentë të Sigurimit? Sa e trishtueshme është historia e Dhora Lekës që, në një letër drejtuar Enver Hoxhës, i kërkonte t’i jepej edhe një herë mundësia për ta futur në kurth shkrimtarin Ismail Kadare, duke bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit.

Nëse gazetarja Admirina Peçi nuk do ta kishte zbulur atë letër, a do ta mësomin ne se kompozitorja dhe artisja e famshme kishte qenë bashkëpunëtore e Sigurimit dhe kishte synuar të shkatërronte një figurë si Ismail Kadareja? Dhe të mendosh që emrin e Dhora Lekës sot e mban një shkollë në Tiranë dhe për të ende thuren vlerësime në stilin komunist, siç ajo thurte këngë partizane me motive jugosllave.

Po sa e sa dokumente janë ende të hapaura në arkiva që tregojnë se shkrimtarë dhe artistë kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Moshapja e tyre është një turp për artin dhe kulturën shqiptare dhe, sigurisht për shoqërinë. Dosjet e shkrimtarëve dhe artistëve duhet të hapen, sepse vetëm kjo do t’i qetësojë shpirtrat e atyre që u përndoqën dhe u dënuan e që nuk jetojnë më.

la.mi/Fjala.al

 

 

 

Të fundit

Ndërron jetë nga Covid-19 zyrtari i Partisë Socialiste

Bëhet fjalë për Ndue Ndocin, kreun e PS-së në njësinë numër 11 në Laprakë. Lajmi është konfirmuar nga miqtë dhe kolegët e tij, të cilët...

Parid Turdiu: Katunarët në Shqipëri kanë shpërthyer zinxhirët

Parid Turdiu, djali i Qazim Turdiut dhe vëllai i Silva Turdiut, i cili banon në SHBA prej 30 vitesh, në një intervistë ekskluzive për...

Parashikimi i motit, e shtunë 15 gusht 2020

Territori Shqiptar gjatë paradites do të jetë me kthjellime dhe vranësira të lehta në zonat malore. Por orët e mesditës dhe pasdites shtojnë vranësirat në...

Ronaldo ndan në Instagram një foto nga pushimet, bie në sy komenti epik i mikut të tij

Cristiano Ronaldo është me pushime. Olympique de Lyon nxori Juventusin nga Torino jashtë Champions League në raundin e 16 dhe ylli portugez ka vendosur...

Lajme të tjera

Web TV