Ka nisur sot java e 34-t e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e cila ka luajtur dy ndeshjet e para. Tirana nuk ka gabuar në shtëpi ndaj Flamurtarit, duke fituar të shtunën me shifrat 2-0 dhe duke hedhur edhe një hap tjetër drejt titullit “kampion”. Kurse Skënderbeu fitoi me një gol të vetëm në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.
Tirana mposhti me rezultatin 2-0 Flamurtarin në sfidën e vlefshme për javën e 34-t të Kategorisë Superiore, teksa tashmë do t’i mjaftojnë 3 pikë në 2 sfidat e mbetura për t’u shpallur zyrtarisht kampion. Ishin 2 talentet e akademisë bardheblu Muçi dhe Ismajlgeci, autorët e golave në triumfin e sotëm të bardhebluve, që i dhuruan fitoren 24-herë “kampiones” së Shqipërisë.
Vlen të theksohet paraqitja dinjitoze e Flamurtarit, edhe pse se ka rënë prej kohësh nga Superiorja. Një fitore e përvuajtur, por një fitore që sidoqoftë vlen Evropën, natyrisht, nëse ajo do të bëhet e mundur jashtë fushës së blertë. Kjo është ajo që mund të thuhet për fitoren me një gol të vetëm që Skënderbeu mori të shtunën në Gjirokastër përballë Luftëtarit vendas, të rënë prej javësh edhe matematikisht nga Kategoria Superiore.
Skënderbeu fiton 1-0 dhe ngjitet për momentin në vendin e 4-t të renditjes, duke shpresuar për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, natyrisht, në varësi të vendimit të Gjykatës Federale të Zvicrës. Të shtunën luhen 3 ndeshjet e tjera dhe duke nisur nga ora 17:45, Bylisi pret në Ballsh Laçin, në një ndeshje ku të dyja skuadrat e kanë të qartë që, për vetë dinamikën e fundsezonit, edhe një pikë mund të mos mjaftojë.
Dy takimet e fundit luhen duke nisur nga ora 20:45 dhe padyshim përqendrimi më i madh do të jetë në Shkodër, atje ku Vllaznia do të presë në Stadiumin “Loro Boriçi” Kukësin, në një përballje ku rezultati përfundimtar mund të vendosë edhe fatin e titullit “kampion”. Me fitoren e Tiranës ndaj Flamurtarit, verilindorët e kanë të qartë që, as edhe një pikë e vetme mund të mos mjaftojë.
Bardheblutë kryesojnë të shkëputur në kuotën e 69 pikëve, 7 më tepër sesa Kukësi, që duhet të fitojë për ruajtur largësinë pre 4 pikësh e për të mbajtur gjallë shpresat për titull, teksa do të mbeten edhe 6 pikë në lojë. Një humbje e skuadrës së trajnerit Orges Shehi në Shkodër do të shpallte matematikisht Tiranën “kampione”, ashtu sikundër edhe një barazim do të kishte thuajse të njëjtat pasoja.
Por edhe shkodranët, nga ana e tyre, e duan fitoren për të mos iu ndarë Bylisit dhe për të shpresuar ende për të shmangur vendin e 8-të, e bashkë me të, edhe “play-off”-in me më të mirën e vendeve të dyta të Kategorisë së Parë. Ndërkaq, në takimin tjetër, që nis në të njëjtën orën, Teuta pret në Durrës Partizanin, në një duel të drejtpërdrejtë për Evropën.
Për të kuqtë kryeqytetas, një humbje do të nënkupton kapitullim edhe matematikisht në betejën për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm, ashtu sikundër edhe një barazim mund të mos mjaftonte. Edhe durrsakët duan të mbeten në zonën e Evropës edhe në kampionat, pasi nuk kanë garanci që mund ta sigurojnë atë në Kupën e Shqipërisë, ku përballen në finale me Tiranën. Ka.Li/fjala.al