“Ramboja” i Kosovës që depërtoi në prapavijat irakiane të luftës së Gjirit Persik. Kongresi Amerikan mbajti një minutë zi për gjeneralin shqiptar pasi u vra nga serbët
Në historinë e përbotshme ushtarake, shquhen jo pak edhe drejtuesit me origjinë shqiptare, të cilët kanë spikatur me vlerat e tyre, jo vetëm në drejtimin e njësive luftarake, por dhe në fushën shkencore. Në këtë kuadër, një vend të rëndësishëm zënë dhe personalitetet ushtarake shqiptarë të hapësirës territoriale të ish-Federatës Jugosllave.
Në të gjithë këto hapësira, gjeneralët shqiptarë kanë shpërfaqur aftësitë e tyre drejtuese. Kështu, ata janë bërë prezentë në Maqedoni, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Një ndikim të madh gjeneralët shqiptarë kanë pasur në luftërat e Kroacisë, Bosnjës Qendrore e pa dyshim Kosovës. Materiali në fjalë i referohet Fjalorit Biografik Ushtarak, i hartuar nga kolonel Kujtim Halili.
“Ramboja” shqiptar i luftës së Gjirit Persik
Bekim BERISHA – Me pseudonimin ABEJA, njihet si krijuesi i shkollës së parë ushtarake në Kosovë. U lind në Shkozet-Grabovc të Pejës, më 15 qershor 1960. Shkollën e mesme e kreu në Pejë, studimet e larta për inxhinieri mekanike në Kroaci. U aktivizua me policinë ndërkombëtare në luftën kundër krimit në Nikaragua, Panama e Kolumbi. U angazhua në ushtrinë amerikane në luftën e Gjirit Persik, në përbërje të trupave komando, në prapavijat e ushtrisë irakiane. Gjatë luftës serbo-kroate arriti në detyrën e komandantit të regjimentit të këmbësorisë. Me këtë njësi zhvilloi një sërë luftimesh të suksesshme kundër ushtrisë serbe. Falë aftësive të shkëlqyera drejtuese, e nxjerr regjimentin e tij nga rrethimi i një divizioni serb pa asnjë ushtar të vrarë, një rast i rrallë në historinë e ushtrisë kroate.
Për këto merita u gradua gjeneral. Me të filluar Lufta Çlirimtare në Kosovë, në mars 1998 hyn në territorin e saj. Mbante pseudonimin ABEJA. Krahas veprimtarive të shumta luftarake, në këtë vit ngre shkollën e parë ushtarake shqiptare në Likoshan të Drenicës. Gjatë luftimeve në Rekën e Keqe, duke u kthyer nga Shqipëria me armatime të shumta për në Drenicë, u vra më 16 gusht 1998, nga ushtria serbe. Me rënien e tij, Parlamenti kroat shpalli tri ditë zie kombëtare, ndërsa ish-sekretari i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dik Çenei, ato ditë i propozoi Kongresit Amerikan për një minutë heshtje në nderim të gjeneral Bekim Berishës.
Deputeti federativ i të gjitha legjislaturave
Fadil HOXHA – Ka qenë komandant i Shtabit të Përkohshëm Ushtarak të Ushtrisë NAÇl dhe Armatës Popullore Jugollave për Kosovën. U lind në Gjakovë, më 15 mars 1916, ku kreu filloren. Nga mesi i vitit 1932 deri në vitin 1936 vazhdoi gjimnazin shtetëror në Shkodër dhe më vonë Normalen e Elbasanit. Mori pjesë aktive në qëndresën kundër agresionit fashist italian më 1939.
Pasi kaloi ilegalisht në Kosovë, në prill 1942, u ngarkua me detyra të ndryshme udhëheqëse në Byronë e Komitetit Krahinor të PK Jugosllave në Kosovë. Ka kryer dhe detyra drejtuese me përgjegjësi në formacionet partizane, si komisar dhe komandant i njësive partizane “Zenel Hajdini” e “Emin Duraku”. Nga vjeshta e vitit 1942 ka qenë njëkohësisht dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇl për Kosovën. Si anëtar i Byrosë së Komitetit Krahinor qe angazhuar deri në çlirim në çështjet ushtarake. Në tetor-nëntor 1944 u caktua së bashku me Shefqet Peçin komandant i Shtabit të Përbashkët të Brigadës së 5-të Sulmuese shqiptare e të formacioneve partizane nga Kosova.
Bashkëpunoi aktivisht me gazetat: “Zani i popullit”, “Zani”, “Liria”. Pas çlirimit kreu detyra me përgjegjësi në Kosovë dhe në ish-Federatën Jugosllave, deri si nënkryetar i RSFJ-së. Ishte deputet federativ në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Këshillit të Mbrojtjes me gradën “gjeneralmajor”. Është dekoruar me urdhrin e lartë: “Hero i Popullit”, “Trim i Punës Socialiste”, etj. Ka botuar librat: “Kur pranvera vonohet”, “Jemi në shtëpinë tonë”.
Kundëradmirali që drejtoi flotën
Xhemal BAJRAKTARI – Ka mbajtur postin e kundëradmiralit të Ushtrisë Jugosllave. Rrjedh nga një familje atdhetare nga Gostivari. Qysh në bankat e shkollës u mor me organizimin e rinisë në Luftën Antifashiste. U rreshtua në Brigadën e VII Sulmuese në Maqedoni. U ngarkua me detyrën e drejtuesit të rinisë pranë kësaj brigade. Pas çlirimit kaloi në disa shkolla ushtarake. Kreu detyra të rëndësishme dhe mori gradën e lartë të kundëradmiralit të Ushtrisë Jugosllave. Mbrojti me fanatizëm vlerat e Luftës Antifashiste derisa vdiq tragjikisht në vitin 1994, në Beograd.
Një shqiptar “Hero i luftës Kroate”
Rahim ADEMI – Ishte inspektor i Ushtrisë Kroate me gradën e gjeneralkolonelit, si dhe mbante titullin e “Heroit të luftës atdhetare Kroate”. U lind në Karaçë të Vushtrrisë, më 30 janar 1954. Më 1975 mbaroi Akademinë Ushtarake në Beograd. Më 1986 u dënua me një vit burg me akuzën: “për rrënimin e Republikës Federative të Jugosllavisë”. Gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në vitin 1991, u rreshtua në radhët e forcave mbrojtëse kroate në luftimet me forcat ushtarake serbe. Në vitin 2000 u gradua gjeneralkolonel i ushtrisë kroate. Është shpallur “Hero i luftës atdhetare Kroate”. Pas luftës kryen detyrën e inspektorit të ushtrisë kroate.
Komandant në mbrojtje të Bosnjës Qendrore
Bislim ZYRAPI – U lind në Studençan të Therandës në Suharekë (Kosovë), më 8 maj 1960. Shkollën e mesme ushtarake e ndoqi në Beograd, ndërsa Akademinë Ushtarake e përfundoi në Sarajevë (Bosnjë). Në vitin 1992 mori pjesë në luftën e Bosnjës, ku u aktivizua për mbrojtjen e Sarajevës. Ka luftuar heroikisht për të mos lejuar rrëmbimin e presidentit Alia Izetbegoviç në aeroportin e Sarajevës nga trupat serbe. Më vonë mori pjesë në luftimet në Bosnjën Qendrore. Arriti në detyrën e komandantit të divizionit me gradën madhore kolonel.
Në maj 1998 u angazhua në Luftën për Çlirimin e Kosovës, fillimisht si shef i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, në korrik 1998, emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Pas mësymjes dymujore ndaj ushtrisë serbe, ai vlerësohet të ketë meritë të veçantë në organizimin dhe ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në prill 1999, me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, dhe sipas marrëveshjes të të gjitha forcave politike kryesore të Kosovës, pjesëmarrëse në Konferencën e Rambujesë në Paris, u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes për politikat e mbrojtjes. Në këtë periudhë u nis në Shqipëri për përgatitjen dhe drejtimin e operacionit “Shigjeta”, planizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Pas çlirimit të Kosovës, emërohet drejtor i Departamentit të Sigurisë në Këshillin e Përgjithshëm Administrativ të Kosovës.
Gjeneralkoloneli i kërkimeve strategjike
Ramiz ABDYLI –Shkencëtar e akademik, me gradën e gjeneralkolonelit. U lind në Pejë, në vitin 1928. Aty mbaroi dhe shkollën fillore dhe disa klasa të gjimnazit. Pastaj mbaroi shkollën normale në Prishtinë. Në vitin 1947 mbaroi Akademinë Ushtarake në Beograd. Në vitin 1952 u specializua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në vitin 1959 në Suedi. Në vitin 1962 mbaroi fakultetin e inxhinierisë së makinave e të anijendërtimit në Zagreb. Në vitet 1970-1971 kryen specializimin shkencor për teknikën e regulacionit në Universitetin Teknik të Gotenborgut në Suedi. Inxhinier makinash, i diplomuar, doktor i shkencave teknike, pedagog i Akademisë Ushtarako-Teknike në Zagreb, shef i qendrës së kërkimeve strategjike të Kroacisë. Ka publikuar 33 punime shkencore, profesionale e pedagogjike, veçanërisht nga fusha e servosistemeve hidraulike e të tejçimit, si dhe të drejtimit automatik në armatim. Autor i librit “Modulimi analogjik e shifror (digjital) i sistemit automatik me tejçues hidrostatikë”, më 1976. “Sistemet për drejtimin automatik në teknikën ushtarake”, “Elemente të automatikës” etj. Arriti gradën e gjeneralkolonelit në ushtrinë kroate, ndërsa Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës i ka dhënë titullin “Akademik” në vitin 1983. Vdiq në vitin 1996, në Zagreb.
Në drejtimin e armatës
Fadil ÇURANOLLI – Ka mbajtur postin e lartë ndihmëskomandant armate me gradën gjeneralmajor. U lind në Pejë në vitin 1926. Para Luftës II Botërore ishte nxënës i shkollës pedagogjike. Në Luftën Antifashiste NAÇl, nga viti 1945 ishte komandant divizioni, ndihmëskomandant armate, komandant i Shtabit Krahinor të Mbrojtjes Territoriale të Krahinës Autonome të Kosovës etj. Ka kryer Akademinë e Lartë Ushtarake të Ushtrisë Jugosllave.
Në akademinë ushtarake të Zagrebit
Tom BERISHA – U lind në Podgoricë të Malit të Zi, më 26 korrik 1923. Gjimnazin e kreu në vendlindje. Më 1941-1943 merr pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, ku arriti në detyrën e komisarit të batalionit. Pas lufte ishte sekretar i Këshillit NAÇl për Malësinë e Madhe dhe deputet i Malit të Zi. Në vitin 1946 fillon Fakultetin Teknik të Zagrebit dhe e mbaron në vitin 1953. Në Lubjanë kryen detyra në Armatën Popullore Jugosllave deri në rangun e Shefit të Sektorit Projektues Teknologjik në ofiçinën kryesore të artilerisë të armatës. Më 1955 ishte mësimdhënës në Qendrën Shkollore Teknike të Armatës Popullore të Jugosllavisë, në Zagreb (Akademia Ushtarake). Pas specializimit në Belgjikë, më 1957 në L’ecole Aoyale Militare – Division Politechnique Bruxelles, vazhdon me mësimdhënien në Akademinë Ushtarake të Zagrebit. Më 1964 drejton seksionin teknik të Zonës së Pestë të Armatës Popullore Jugosllave. Më 1968 gradohet kolonel. Më 1978 i jepet titulli “Profesor-doktor”. Më 1979 del në pension. Ishte zotërues i pesë gjuhëve të huaja. Në 1990 krijon në Zagreb Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve të Kroacisë. Ka përgatitur në gjuhën shqipe dhe atë kroate librin “Motorët reaktivë”.
Përgatiti për botim: Leonard Veizi
la.mi/Fjala.al