Reportazh/Lëpusha, aty ku s’ka celular, por vetëm njerëz bujarë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala” ofron një udhëtim të pazakontë në fshatin e rigjetur mes Alpeve. Një tur që ka bërë bashkë banorë të zonës, e jo vetëm. Në një aventurë alpine, e cila na sjell momente, copëza jete, emocione, peizazhe dhe vende fantastike.

Nga Alessia Selimi

Pas një gardhi shtatshkurtër po vjen një tjetër ditë, shumë larg të zakonshmes, ritmit shpesh banal të jetës; nuk ka vargëzim automjetesh apo silueta të varura që diç i shqetëson. Këmbëzbathur dhe duarhapur, të krijohet përshtypja se nëse ekziston në të vërtetë parajsa, medoemos që duhet të jetë Lëpusha.

Ati i gjuhës italiane, Dante Aligieri, besonte fort se toka e të gjallëve i ka huazuar të përtejmes, asaj që, sipas tij, u premtohet të mirëve, jo më shumë se tri gjëra: yjet, lulet dhe fëmijët. E këta të fundit, në këtë fshat të vogël të Kelmendit, gëzojnë tjetër karakter; malet e larta të Shenikut e Bjeshkëve të Namuna u bëhen shtëpi, ndonëse përngjajnë si shkallë ahu drejt qiellit.

“Sapo më kishin hequr nga puna dhe nuk kisha kurrfarë burimi të ardhurash. Kështu, vendosa të prisja një grup anglezësh që më trokitën në derë. Bëhet fjalë rreth 4 vjet më parë. Asokohe kisha një shtëpi të vogël, modeste. Megjithatë, nuk mungonte ushqimi i freskët dhe mbulesat e pastra. Ata qëndruan plot dhjetë ditë”, tregon Luigj Cekaj, pronari i bujtinës më të madhe në Lëpushë, duke shtuar se të nesërmen, poshtë jastëkëve, u has për të parën herë me një shumë të majme që i dha shtysën për të investuar në atë çka ka marrë tashmë formën e bujtinës prej druri, me çati alpine dhe dritare të vogla.

Pa harruar gjithashtu traditën e trashëguar nga e shkuara, hapjen e dyerve për “shtegtarët” apo tregtarët, nëse u duhej të pushonin për një natë, përpara se t’i drejtoheshin Malit të Zi.

Ky fshat piktoresk, në lartësinë mbi 1260 m dhe me 5297 ha kullota të gjelbra, ka 4 bujtina dhe pavarësisht se mund të tingëllojë një numër i pakët, vizitorët i ka të shumtë. Duket se të huajt, kryesisht ata që e çmojnë vetminë, e vlerësojnë së tepërmi, si të ishte tempull ku mund të fitohen përgjigje për një varg pyetjesh.

Studiues, historianë, shkrimtarë, si austro-hungarezi Franz Nopcsa von Felso apo britanikja Edit Durham, kanë folur e shkruar të mahnitur nga ajo që kanë parë e prekur në Malësi të Madhe. Deri në vitin 1990 Lëpusha ka pasur rreth 320 banorë. Mirëpo sot nuk ka më shumë se 120 të tillë. Të gjithë thuajse janë larguar drejt Shteteve të Bashkuara. Dhe kush ka ngelur, mbijeton me çka u dërgohet nga kontinenti i largët.

Në katin e parë njihemi me doktorin e fshatit, Ledio Kazazin, i cili, prej katër vitesh, udhëton tri herë në javë drejt Lëpushës. Pasi dëgjon një grup turistësh duke komentuar vështirësinë e ngjitjes në malin e Vajushës dhe Berizhdolit, Kazazi nuk ngurron t’i tregojë rrugën që duhet të ndjekin për të shijuar muzikalitetin natyror të ujvarës së Selcës. Të lë përshtypjen se është banor i zonës dhe se e njeh atë edhe në errësirë.

“Jam njohur me këtë fshat të mrekullueshëm falë një telefonate që m’u bë nga Luigji. Në vitin 2016 i biri i pësoi një aksident me makinë dhe mbeti i paralizuar. Kësisoj, i duhej dikush që t’i qëndronte pranë dhe të kujdesej për të. Nuk e mendova dy herë”, shprehet Kazazi. Ai thotë fjalët më të mira për banorët e Lëpushës dhe, madje, pa e kuptuar, bie në përsëritje. “Janë njerëz të jashtëzakonshëm, nuk janë të ashpër si klima e këtyre trojeve. Më ka ndodhur të trokas në çdo shtëpi dhe kam konstatuar se janë jo vetëm të sjellshëm, por edhe bujarë.” Si një “tirons autokton”, Kazazi nuk ngurron ta krahasojë sofrën e tyre me atë të kryeqytetasve.

Lexo edhe :  Spiropali: Mesazhi dhe mësimet e Besëlidhjes së Lezhës, 2 mars 1444, aktuale edhe sot

Në Lëpushë nuk ka valë telefonike. Tingëllon diçka absurde për ditët moderne që po jetojmë, edhe pse e domosdoshme për të gjithë ata që kanë harruar të komunikojnë sy më sy, sikurse e bën më së miri një çift të moshuarish në Berizhdol. Teksa këmbët shtyjnë tutje në mënyrë të pavetëdijshme gurë të vegjël të bardhë dhe sytë shohin një hapësirë të pamatë, thuajse surreale, hasemi me ata të dy, pasuria e të cilëve ndodhet përballë një kasolleje thuajse të rrënuar.

U referohemi disa derrave të pistë që ndjekin njëri-tjetrin me noçkën e zhyer në baltë, si dhe jo më shumë se 30 deleve, të zhurmshme dhe kurioze, që nuk i heqin sytë nga ne, të panjohurit. “Jetojmë këtu vetëm gjatë muajve të verës. Në dimër është thuajse e pamundur”, thotë çifti, ndërkohë që të dy mbajnë veshur bluza me mëngë të gjata. E tillë është klima e këtij fshati. Ndonëse jemi në muajin korrik, nëse futesh nën hijen e pyjeve apo u ngjitesh maleve, të duhen me patjetër rroba të trasha. Sa i takon dimrit, bie kaq shumë borë, saqë të duket se qielli dhe toka bëhen njësh nën një bardhësi drithëruese.

Rrugëtimi ynë nuk ndalet për asnjë çast. Këmbët përshkojnë hera herës edhe fusha të bleruara. Por, ka edhe duar që mbahen ku të kenë mundësi, që të shmangin rrëshqitjen apo rënien. Janë po të njëjtat duar që mbledhin boronica; të mëdha, të vogla, si dhe paksa të thata. Nuk ka shenja udhëzuese për këtë ecje dhe aq më tepër kasolle ku mund të ofrohet ujë dhe djathë i bardhë, të bërë vetë.

Strehëza e të moshuarve që hasëm, ishte ndoshta e vetmja e llojit të saj. “Kjo që shihni (i referohet kasolles) për pak sa nuk u shemb vitin e shkuar. Një ortek i fuqishëm i shkaktoi jo pak dëme”, tregon Faiku zëulur. Për t’u rikthyer në bujtinën e Luigjit, nga ku do të nisemi për në Tiranë, rimarrim terrenin shkëmbor. Do të na duhet të ecim plot tri orë. Ora shënon 12:00. Trupi bën lojëra, herë djersitet, herë përshkohet nga mornicat. Megjithatë, nuk kursehen batutat, as vështrimet drejt maleve hijerënda. Ashtu, të djersitur, të gërvishtur, rifillojmë ecjen uniforme, që nuk do të vonojë të ndryshojë karakter. Një rrugë tërësisht e asfaltuar drejt Tiranës po na pret, si për të na kujtuar dallimet therëse të një qyteti kaotik nga një fshat si ai i Lëpushës, plot magji.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Blegtoria shqiptare në krizë! Qumështi serb vjen më i lirë se ai vendas

Blegtoria nuk është në ditët e saj më të mira, kjo shihet nga rënia drastike që po pëson numri i...

Kaosi në Parlamentin e Serbisë, tre deputetë plagosen nga hedhja e bombave tymuese

Të paktën tre deputetë u plagosën të martën pas kaosit që në parlamentin e Serbisë, ku u hodhën bomba tymuese. Politikanët ishin planifikuar të votonin...

Bashkimi rreth koalicionit opozitar, Rama ironizon Berishen: Fronti i Noc Rrokut!

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, kreu i qeverisë e ka quajtur bashkimin...

Apple prezanton emoji të rinj me iOS 18.4

Apple ka njoftuar se iOS 18.4 do të sjellë një grup të ri emoji, të bazuar në standardin Unicode 16. Përditësimi do të përfshijë emoji...

Me shishe alkooli në dorë dhe totalisht i dehur, gjendja e yllit anglez para Botërorit

Jack Grealish nuk po kalon një periudhë aspak të mirë me Cityn në fushë. Forma e tij mesa duket është reflektuar dhe në jetën...

Lajme të tjera

Web TV