SHBA-ja, BE-ja, OSBE-ja dhe ambasadat evropiane në vend kanë mirëpritur miratimin e djeshëm në Kuvend të reformës zgjedhore, pa harruar të theksojnë që çdo reformë tjetër, në vijim, të bëhet me dialog gjithëpërfshirës
Votimi në Kuvend me 97 vota i reformës zgjedhore ka marrë mbështetjen e kancelarive diplomatike të huaja në Tiranë dhe të institucioneve të tjera. Në reagimet e menjëhershme, pas votimit në Kuvend, ndërkombëtarët e cilësuan një arritje në rrugën e integrimit në BE këtë votim, dhe kërkuan që reformat e mëpasshme të bëhen gjithashtu me konsensus gjithëpërfshirës, duke iu referuar vazhdimit të tryezës së Këshillit Politik për ndryshimet në Kushtetutë, që kërkojnë hapjen e listave të kandidatëve.
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, është shprehur e hapur për ndryshime të tjera në Kushtetutë. Pasi përshëndet kalimin e “5 qershorit” në Kuvend, Kim shkruan se është mirë që Këshilli Politik do të mblidhet sërish, për të rishikuar ndryshimet e tjera. Ajo i fton të gjitha palët politike në vend që të marrin pjesë me mirëbesim në proces, për të shtuar kështu edhe transparencën.
“Marrëveshja e 5 qershorit është tani ligj. Përfshirja dhe transparenca duhet të jenë norma për veprime të rëndësishme kombëtare. Më vjen mirë që shoh se Këshilli Politik do të rimblidhet, për të rishikuar ndryshime të tjera, përveç 5 qershorit. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim dhe të vazhdojnë përfshirjen dhe transparencën,” – shkruan Kim. Diplomatja amerikane u investua drejtpërdrejt në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit që prodhoi reformën zgjedhore, e cila u votua dje.
Në një tjetër deklaratë ambasada amerikane shprehej se “ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian”. “Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare.
Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik, për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike.” – thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.
Komisioni Evropian, në një deklaratë disa orë pas seancës plenare, e cilësoi votimin e djeshëm si përmbushje të njërit prej kushteve kyçe për fillimin e negociatave të antarësimit me BE-në, siç është shpallur edhe në konkluzionet e Këshillit Evropian, të datës 25 mars 2020”. KE-ja shprehet se “ne kemi mbajtur shënim propozimin shtesë për reformë të sistemit zgjedhor” dhe nxisim të gjitha partitë politike të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik, duke theksuar se procesi i ndryshimeve shtesë nuk duhet të nxjerrë nga shinat shpirtin dhe rezultatet e 5 qershorit”.
Në këtë frymë foli edhe komisioneri i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi .“Unë mirëpres miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo përmbush një kusht kryesor të BE-së. Për çdo ndryshim shtesë, unë u bëj thirrje të gjitha palëve të vazhdojnë diskutimet, në mënyrë që fryma dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit të mos shmangen“, shkruan komisioneri. Në të njëjtën linjë ishte dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Ai, gjithashtu, ishte ndërmjetës i kësaj marrëveshjeje, dhe u shpreh se “BE-ja mirëpret miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur në 5 qershor. Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e pranimit të Bashkimit Evropian”. Sipas Soreca-s, dispozitat e reja legjislative do t’i japin Shqipërisë një kornizë zgjedhore me integritet dhe standarde më të larta transparence, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODHIR-it.
Ne kemi marrë parasysh propozimet shtesë për reformimin e sistemit zgjedhor. Lidhur me ndryshimet e reja që prekin Kushtetutën, Soreca shprehet se “ndërsa pranuam rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, të demonstruar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”.
Ambasadori britanik, Duncan Norman, po ashtu pjesë e trojkës së ambasadorëve që ndërmjetësuan marrëveshjen, kërkoi që reformat e mëtejshme të përfshijnë të gjitha palët. “Urime Parlamentit për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit, pas një periudhe të gjatë pune gjithëpërfshirëse, forcimin e procesit zgjedhor dhe perspektivat e integrimit. Diskutimi i mëtutjeshëm i reformave duhet të jetë vërtet përfshirës, me pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve“, shkruan ambasadori Norman.
Miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit u përshëndet edhe nga ambasada gjermane në Tiranë dhe zyra e OSBE-së. “Në pikën e reformës zgjedhore të vendimit të tij të shtatorit 2019, Bundestag-u gjerman fliste për një “dialog të hapur, ku të përfshihen të gjitha forcat politike“. Vendimi i Bundestag-ut është i njohur nga të gjitha institucionet politike shqiptare në vend si një ‘Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave.” – thekson ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf. Ndërsa Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka përshëndetur miratimin në Parlament të marrëveshjes së ‘5 qershorit’ dhe bën thirrje që tashmë të vijojë puna për zbatimin e saj. OSBE-ja më tej, ka garantuar mbështetjen e saj në implementimin dhe zhvillimin e hapave të tjerë të reformës. Gjithashtu OSBE-ja kërkon vazhdimin e dialogut për reforma të mëtejshme.
8 nga ndryshimet më të rëndësishme në Kodin Zgjedhor:
1 Riformatohet nga themelet KQZ-ja, duke krijuar Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Komisionin Rregullator dhe Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. Të gjitha këto struktura përbëjnë KQZ-në, ndërsa KQZ-ja aktuale shkrihet.
2 Komisioni Rregullator zëvendëson KQZ-në aktuale dhe miraton aktet për zhvillimin e zgjedhjeve. Përbëhet nga 5 anëtarë me mandat 5-vjeçar. Anëtarët zgjidhen nga Kuvendi.
3 Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zgjidhet nga Kuvendi me mandat 7-vjeçar dhe drejton administratën e KQZ-së.
4 Kolegji Gjyqësor Zgjedhor përbëhet nga 8 gjyqtarë të Apeleve, me kushtin që të kenë kaluar Vetting-un. Ata zgjidhen me short nga KLGJ-ja.
5 Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje i lihet në dorë KQZ-së. KQZ-ja ka kompetencën të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin e teknologjive në zgjedhje.
6 Partive dhe kandidatëve u ndalohet të mbulojnë shpenzime fushate apo të kryejnë veprimtari përmes personave të tretë.
7 Pasqyrimi i fushatës zgjedhore në mediat audiovizie bëhet vetëm në edicionet e zakonshme dhe të posaçme të debatit politik.
8 Media audiovizive mund të shfrytëzojë material filmik të servirur nga subjektet zgjedhore, në rast se nuk disponon material të vetin filmik, me kushtin që ta shoqërojë lajmin me shënimin “materiali filmik i servirur nga subjekti…”
2021 – Për herë të parë emigrantët do të ketë të drejtë vote
Ndryshimet e djeshme të Kodit Zgjedhor, të miratuara në Kuvend, u kanë dhënë për herë të parë të drejtën e votës emigrantëve. Sipas ndryshimeve, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ka për detyrë drejtimin dhe mbikëqyrjen e procesit të votimit në zgjedhjet e ardhshme.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë të bëjnë me të drejtën e votës për zgjedhësit që kanë vendbanim të përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Është KQZ-ja që do të vendosë rregullat dhe procedurat e votimit për shqiptarët jashtë vendit, duke ruajtur votën, fshehtësinë dhe informacionet. Dy nenet kryesore për të drejtën e votës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit, miratuar në Kodin Zgjedhor, me konsesusin e të gjitha palëve politike, të mazhorancës dhe opozitës, janë neni 24 dhe neni 25.
Neni 24
Kompetencat e KQZ-së lidhur me votimin nga jashtë vendit
KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile adresën e vendbanimit të përhershëm jashtë vendit dhe kërkojnë nga KQZ-ja që të pajisen me dokumentacionin e votimit nga jashtë. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij ligji. KQZ-ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së.
Neni 25
Procedura e votimit nga jashtë vendit
Pavarësisht nga procedura e votimit, manuale ose elektronike, votat e votuesve nga jashtë vendit administrohen nga KQZ-ja, duke garantuar integritetin e votimit dhe fshehtësinë e votës, nga çdo ndërhyrje mbi fletët e votimit ose mbi informacionin elektronik të votimit që administrohet prej saj. Votimi nga jashtë vendit quhet i çelur nga dita që KQZ-ja nis procedurat për dërgimin e dokumentacionit të votimit ose, sipas rastit, dokumentacionit udhëzues në adresë të zgjedhësve nga jashtë vendit.
Votimi nga jashtë vendit mbyllet në ditën e votimit, në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit. Me mbylljen e votimit nga jashtë vendit, KQZ-ja nuk mund të pranojë dhe përfshijë më në numërim asnjë fletë votimi të mbërritur më pas. Nëse votimi nga jashtë vendit bëhet elektronik, sistemi elektronik i votimit mbyllet në orën e caktuar nga ky ligj për mbylljen e votimit në qendrat e votimit.
Rregullat për administrimin e materialit zgjedhor ose të informacionit të votimit, të regjistruar dhe ruajtur nga sistemet e teknologjisë informatike, për votimin nga jashtë vendit, si dhe për testimin parazgjedhor dhe verifikimin paszgjedhor të sistemeve, janë pjesë e rregullave të përgjithshme që KQZ-ja miraton për administrimin e materialit zgjedhor apo për përdorimin e sistemeve të teknologjisë informatike në zgjedhje. Garancitë ligjore për vëzhgimin, monitorimin dhe aksesin në KQZ gjatë administrimit të votave nga jashtë vendit, si dhe për testimin, verifikimin dhe sigurinë e materiali zgjedhor apo të sistemeve të teknologjisë informatike që përdoren për këtë votim, nuk mund të jenë më të ulëta sesa ato për votimin brenda vendit.
VOTAT PËR MARRËVESHJEN E 5 QERSHORIT
97 pro
6 kundër
6 pa votuar
4 abstenim
/Ra.My.Fjala.al/