Situata në spitalet Covid alarmante, Manastirliu: Po kalohen kapacitetet

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Situata në spitalet Covid vijon të jetë alarmante. Teksa numri i personave të infektuar me COVID-19 dhe shtrimet në spital vijojnë të rriten çdo ditë e më shumë, rrezikohet ezaurimi i kapaciteteve në dy spitalet e dedikuara .

Mbi 120 qytetarë rezultojnë të hospitalizuar, teksa pritet që numri të rritet më shumë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, paralajmëron hapjen e dy spitaleve të tjera Covid, teksa apelon për mbajtjen e maskës, pasi shifrat e personave të prekur me koronavirus janë në rritje.

Nga Ina Allkanjari

Kapacitetet e dy spitaleve Covid po plotësohen, me mbi 120 të shtruar të konfirmuar dhe disa dhjetëra të dyshuar, të shtruar në këto spitale. Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë nga foltorja e Kuvendit, teksa vijoi apelin për mbajtjen e maskës, duke theksuar se duhet bërë pjesë e rutinës sonë të përditshme.

Teksa numri i personave të infektuar me COVID-19 dhe shtrimet në spital vijojnë të rriten çdo ditë e më shumë, rrezikohet ezaurimi i kapaciteteve në dy spitalet e dedikuara . Ministrja e Shëndetësisë bën me dije se, aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 126 pacientë, 22 janë në terapi intensive dhe 12 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë Ogerta Manastirliu shprehet se do të vijojnë të bëjnë detyrën e tyre për sa i përket forcimit të kapaciteteve spitalore, konkretisht hapjen e spitalit Covid 3 dhe Covid 4.

Nga foltorja e Kuvendit Manastirliu ngre pyetjen: ‘A është kjo zgjidhja më e mirë’, teksa i mëshon apelit ndaj qytetarëve për përdorimin e maskës. “Është më e mira që ne të vijojmë të hapim spitale pa fund, sepse na rriten të prekurit me COVID-19, apo është më e mira që secili të marrë përgjegjësinë individuale, të vërë maskën dhe të ulim të gjithë së bashku riskun për infeksionin, dhe kështu do të ulet numri i të infektuarve, që çon në më pak persona të shtruar në spital dhe në më pak humbje jete”, u shpreh Manastirliu.

Më tej ministrja e Shëndetësisë theskoi se tashmë po jetojmë në një normalitet të ri, ku maska duhet të bëhet pjesë e secilit prej nesh, në të përditshmen tonë. Ministrja nënvizoi se akti normativ që e bën të detyrueshme vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura, kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve.

Duke e konsideruar përdorimin e maskës si një normalitet të ri, Manastirliu u shpreh se tashmë maska duhet të na kthehet në rutinë, deri në shpikjen e vaksinës, ndaj të gjithë duhet të mësohen të bashkëjetojnë me masat mbrojtëse. “Siç vishemi në mëngjes, duhet të vendosim maskën dhe të vazhdojmë jetën tonë në normalitetin e ri, nuk ka më normalitet të vjetër, derisa vaksina të na garantojë të kthehemi në normalitet.

Lexo edhe :  Gripi i shpendëve, shkencëtarët japin alarmin: Fatal për gratë shtatzëna

Por besoj që dhe vaksina kur të dalë, bota do të ketë ndryshuar dhe ne nuk do të jemi më të njëjtët”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend. Ndërkohë Manastirliu kërkoi edhe nga deputetët e Kuvendit të japin shembullin personal për vendosjen e maskës, pasi, sipas saj, kjo është një masë e propozuar nga ekspertët dhe e gjithëpranuar si një domosdoshmëri për ujen e riskut ndaj një infeksioni që është i rrezikshëm dhe vdekjeprurës.

Eksperti i shëndetit publik

Pas deklaratës së ministres së Shëndetësisë, lidhur me hapjen spitaleve të reja Covid, për shkak të rritjes së numrit të personave të prekur me COVID-19, që kërkojnë hospitalizim, ka reaguar eksperti i i Shëndetit Publik, Erion Dasho. Nëpërmjet një postimi në facebook, eksperti shkruan se hapja e spitaleve Covid nuk është zgjidhje. Dasho thekson se rritja e numrit të pacientëve me Covid duhet adresuar nëpërmjet një përafrimi stategjik që kalon nëpër disa faza prioritare.

Konkretisht, eksperti thekson se rol parësor luan parandalimi, ndërsa më tej është i nevojshëm testimi, gjurmimi dhe trajtimi i hershëm. Sipas tij, një tjetër hap i rëndësishëm në këtë situatë pandemie është forcimi i rolit të mjekut të familjes, për të mundësuar trajtimin dhe ndjekjen e rasteve në kushtet e shtëpisë. Ndërkohë nuk lë pa përmendur fokusin që duhet të vihet te forcimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale, për të pritur rastet e komplikuara në nivel rajonal.

“Nëse ndiqen këta tre hapa, që janë baza e çdo strategjie në sistemin shëndetësor, do të ulet presioni edhe mbi “spitalet Covid”, duke reduktuar nevojën për shtretër në nivelin terciar. E kundërta nuk ka vlerë!”, shkruan Erion Dasho. Sipas ekspertit të Shëndetit Publik, nëse nuk adresohet parandalimi, spitalet Covid do të vazhdojnë të mbushen, teksa përmend shembullin e Uhanit, Lombardisë dhe Nju-Jorkut.  /Ra.My. Fjala.al/

 

 

Të fundit

Kleri katolik dhe ortodoks uron besimtarët në prag të Krishtlindjeve

Në Shqipëri, ndërsa besimtarët katolikë dhe ortodoksë janë përgatitur të festojnë lindjen e Jezu Krishtit, udhëheqësit e tyre shpirtëror...

Udhëtarët shqiptarë tejkalojnë vizitorët e huaj! Europa, burimi i flukseve

Instat ka publikuar të dhënat e flukseve hyrëse-dalëse të shtetasve shqiptarë dhe të huaj përgjatë muajit nëntor. Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar...

5 këshilla si të shtroni tryezën e festave

Nga ngjyrat te dekorimet, nga tradita te dizajni, një pjesë e mirë e kujtimeve të festave të ndara me miqtë dhe të afërmit krijohen...

Rama: Ka një arsye kryesore për fitoret e mia! Ndodhi që u bëra kryeministër…

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në darkën e fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri kishte një përgjigje edhe për ata...

Reshjet e dëborës në Kukës, gjysma e popullsisë pa energji elektrike

Moti i keq në vend dhe reshjet e dëborës gjatë mbrëmjes së djeshme kanë sjellë problemet në qytetin e Kukësit. Mësohet se gjysma e popullsisë...

Lajme të tjera

Web TV