Emrat/OFL iu kërkon tre personave “llogari” për pasurinë

Tre persona, pasuria e të cilëve dyshohet se është produkt i aktivitetit kriminal, duhet të deklarojnë origjinën e saj.

Bëhet fjalë për tre persona të dënuar për vjedhje me dhunë, të cilët duhet të japin “llogari” para Operacionit Forca e Ligjit.

Operacioni Forca e Ligjit ka vijuar zbatimin e detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Xhesio Hajdari, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim;

-Gentian Shehaj, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim;

-Eno Barolli, banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë./Fjala.al/Ke.Ba