Shkarkimet e njëpasnjëshme nga vetingu dhe dorëheqjet e gjyqtarëve për t’i shpëtuar këtij procesi, po e çojnë drejt kolapsit Gjykatën e Apelit të Tiranës. Kjo gjykatë tashmë ka mbetur me vetëm 13 gjyqtarë nga 31 që duhet të ketë.
Numri i dosjeve për t’u shqyrtuar është mjaft i lartë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, i cili është një nga institucionet e drejtësisë më të rëndësishme në vend. Janë rreth 13 mijë dosje që presin të shqyrtohen, një numër shumë i lartë ky për numrin e gjyqtarëve që ka aktualisht në dispozicion kjo gjykatë. Kjo e ka çuar këtë institucion drejt kolapsit.
Të gjitha këto dosje presin të shqyrtohen, por me situatën e krijuar ende nuk dihet edhe sa kohë do të duhet që këto çështje të marrin zgjidhje. Me gjasë, situata në Gjykatën e Apelit pritet të përkeqësohet edhe më shumë, për shkak se jo të gjithë gjyqtarët kanë kaluar në veting dhe pritet që edhe këtu të krijohet një stok i konsiderueshëm dosjesh të pazgjidhura. Sipas ligjit, Gjykata e Apelit duhet të ketë në përbërjen e saj 31 gjyqtarë, gati 3 herë më shumë nga sa ka aktualisht në këtë institucion.
Shkarkimet e gjyqtarëve
Vetëm gjatë këtij viti nga nga procesi i vetingut janë shkaktuar plot tetë gjyqtarë, të cilët kanë qenë pjesë e Gjykatës së Apelit Tiranë. Në 4 mars të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin Andi Civici. Vendimi për shkarkimin e gjyqtarit u mbështet në vlerësimin e vetëm kriterit të pasurisë. Komisioni ka hetuar pasurinë kryesore të gjyqtarit, një apartament me vlerë 155 mijë euro, të blerë në vitin 2011, në Tiranë, me burim shitjen e një apartamenti në Vlorë dhe një hua prej 40 mijë eurosh nga vjehrri.
Gjatë seancës dëgjimore Civici akuzoi trupën gjykuese për mungesë paanshmërie, ku dha si argument pasjen si shoqe klase të njërit prej anëtarëve. Tri ditë më pas radhën për t’u përjashtuar nga sistemi i drejtësisë e pati gjyqtari Fatri Islamaj.
Sipas KPK-së gjyqtari nuk e justfikonte dot pasurinë. Relatorja Valbona Sanxhaktari dhe anëtarja Pamela Qirko, ranë dakord ta shkarkonin Islamajn, për deklarim të pamjaftueshëm mbi një apartament të blerë nga i ati për 65 mijë euro në vitin 2010, duke arsyetuar se babai nuk kishte pasur burime të ligjshme dhe se apartamenti ishte përdorur vetëm nga gjyqtari, duke nënkuptuar mundësinë e një pasurie të fshehur.
Në 18 qershor Komisioni i Rivlerësimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren Fatmira Hajdari. Shkarkimi i saj u bë pas problemeve që ky komision gjeti në lidhje me pasurinë e gjyqtares. Gjithashtu, një tjetër shkelje ishte dhe mosdeklarimi i revokimit të dy vizave amerikane në kriterin e figurës. Vetë Hajdari, pas seancës e konsideroi të pritshëm vendimin për shkarkimin e saj nga detyra, ndërsa avokati i saj, Maks Haxhia, aludoi se “KPK-ja po pastronte me lista”.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten e kaluar nga detyra gjyqtaren e Apelit Shpresa Beçaj, pasi nuk ka dorëzuar deklaratat e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës për procesin e vetingut. Ditët e para të korrikut, një tjetër gjyqtare do të dilte jashtë sistemit të drejtësisë. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pohoi se zonja Beçaj nuk i ka paraqitur tri deklaratat kryesore për procesin e vetingut, atë të pasurisë, atë të figurës dhe të anës profesionale.
KPK-ja argumetoi se mosparaqitja e këtyre deklaratave sjell humbjen e statusit të gjyqtares dhe komisioni nuk mund të vazhdojë hetimet ndaj Beçajt. Një javë më pas gjyqtari i radhës që nuk do t’i kalonte filtrat e vetingut ishte Hysni Demiraj. Ai nuk arriti ta bindte trupën gjykuese të komisionerëve për pasuritë e tij, për vendimet që ka dhënë gjatë punës si gjyqtar, pavarësisht se ai i kundërshtoi të gjitha gjetjet që kishte përgatitur trupa gjykuese e komisionerëve. Gjithashtu, gjatë këtij viti Kolegji i Posaçëm të Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatos Qato.
Qatoja u shkarkua nga KPK-ja, pasi nuk arriti një nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë. Sipas komisionit, ish-gjyqtari nuk ia doli të justifikonte shpenzime në vlerë 5,4 milionë lekë. Një gjyqtar tjetër që u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ishte edhe Ervin Metalla. Vendimi u dha nga trupa gjykuese Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj. Në vendimin për shkarkimin e tij kolegji argumentoi se janë gjetur probleme në lidhje me pasurinë e gjyqtarit. Organet e vetingut gjatë vlerësimit për tri kriteret e gjyqtarit Metalla, konstatuan se ai kishte nënshkruar kontrata fiktive dhe kishte përfituar kredi të butë në shkelje të ligjit.
Dorëheqja e Gjin Gjonit dhe Alaudin Malajt
Sikur të mos mjaftonin shkarkimet e njëpasnjëshme nga procesi i vetingut i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të kryeqytetit, tri javë më parë kjo gjykatë do të merrte dy goditje të njëpasnjëshme. Dy gjyqtarët Gjin Gjoni dhe Alaudin Malaj dhanë dorëheqjen, duke kërkuar largimin e tyre nga sistemi i drejtësisë. I pari që paraqiti dorëheqjen ishte gjyqtari Gjin Gjoni, i cili me anë të një shkrese i kërkoi KLGJ-së të tërhiqej nga detyra që ai mbante aktualisht në Gjykatën e Apelit. Gjoni, më 17 korrik, me anë të një shkrese drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, paraqiti dorëheqjen me argumentin se procesi i vetingut nuk është i barabartë për të gjithë, pasi e kalojnë vetëm ata që i shërbejnë politikës.
Gjoni është nën hetim administrativ, por ende nuk është përballur me trupën e vetingut, ndërsa e cilëson atë të paaftë dhe të varur politikisht. Dhjetë ditë më pas, më 27 korrik të këtij viti, ishte gjyqtari tjetër i Apelit, Alaudin Malaj, i cili kërkoi që ta mbyllë kapitullin e tij në sistemin gjyqësor. Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit iu drejtua KLGJ-së me një shkresë, me argumentin se do të angazhohej në një profesion tjetër.
Në shkresën dërguar këtij institucioni Malaj theksonte se 27 vitet e punës së tij në gjyqësor kanë qenë një sfidë për shkak të përplasjeve me krimin e organizuar dhe presionet, por shprehet me bindje se kurdoherë i ka qëndruar besnik Kushtetutës së vendit. Kujtojmë se në vitin 2019 Malaj u vu në qendër të vëmendjes, për shkak të një përplasjeje publike me ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët edhe i kallëzoi për “grup të strukturuar kriminal”./Bl.Ba/Fjala.al