Nga Florin Zyberaj, ISKK
Havzi Nela nga Kollovozi i Kukësit, një mësues i përkushtuar dhe poet, i cili pas dënimeve të njëpasnjëshme, që nga viti 1967 deri më 1988, pas vuajtjeve të rënda sa në një burg në tjetrin, mbas një gjykimi dhe një vendimi kapital të paargumentuar juridikisht, u dënua me vdekje, me varje në litar në mes të Kukësit, më 10 gusht 1988, kur regjimi ishte dekompozuar tashmë, brenda dy vjetëve do të rrëzohej, për t’u vendosur sistemi i demokracisë liberale në Shqipëri, ende në konsolidim e sipër, sistem për të cilin ëndërroi dhe sakrifikoi H.Nela.
Një fund tragjik ky për idealistin Havzi Nela, i përndjekur dhe i martirizuar përmbi 20 vjet, vetëm e vetëm pse u përpoq për lirinë e fjalës dhe të mendimit.
***
Historia e Havzi Nelës është një rast i rrallë që na bën të reflektojmë, për të kaluarën dhe sistemin totalitarist që kaluam; na bën të gjithëve të mendohemi dhe të pendohemi për fajet tona, për heshtjet tona, por qoftë, thekson Andrea Stefani, “edhe për duartrokitjet që u falëm tribunave të regjimit, për braktisjen masive që i bëmë lirisë, në orët e rënda të skllavërisë, aq më tepër nuk duhet të mendohemi dhe pendohemi sa nuk është vonë”. Përsa i përket pendesës, kjo fjalë pothuajse nuk ekziston.
Ish kasta shtetërore nuk shfaqi asnjëherë pendesë për mbytjen e heretikut, antikonformistit Havzi Nela. Aty nga viti 1993 janë bërë publikë emrat e atyre, që u përfshinë me firmat e tyre në përgatitjen e ekzekutimit të H. Nelës.
Është një përpjekje e jashtëzakonshme e atyre, që e projektuan dhe e realizuan këtë akt barbar, për të shmangur me çdo kusht pendesën, si shenja më e parë dhe më e dallueshme për ta fshehur atë. Këto akte kriminale që ushtroi ish Partia Komuniste Shqiptare, do të mbeten padyshim njolla të zeza të historisë sonë kombëtare. “Vëllau vret vëllaun, Kaini vret Abelin, i çmenduni vret të pafajshmin dhe injoranti asgjëson figurën ma fisnike të racës njerëzore: poetin”.
Në shënimet mbi procesin ndaj Havzi Nelës, shohim protagonistë të ndryshëm si gjykatës dhe prokurorë, të cilët me shpejtësi plotësuan letrat, që t’i merrej jeta kundërshtarit politik të radhës, siç mund të gjesh raportues dhe gjysmë-raportues, raportues vullnetarë apo të urdhëruar, dosjeistë krenarë jo vetëm në çështjen “Havzi Nela”, të cilët pas ndryshimit të regjimit, as e morën mundimin të rrëfenin që ndjeheshin sadopak fajtorë, që ishin pjesëmarrës të një krimi të rëndë. Ndoshta është ndër rastet e rralla në botë i një procesi hetimor kaq të shpejtë, një padurim i pashpjegueshëm.
Çudia shtohet, kur kryegjyqtari formuloi vendimin për vdekje dy ditë para se të zhvillohej gjyqi, ndërsa ditën kur do të zhvillohej seanca gjyqësore, kryegjyqtari e kishte të qartë (dhe të shënuar në letër njëkohësisht), vendimin që do të merrej ende pa u futur në sallën ku do të ndëshkohej poeti.
Studiuesi S. Repishti shprehet se: “Sot, dhimbja jonë është akoma më e madhe, sepse dëshmojmë që gjykatësi katil e servil, pa ndërgjegje, që e dënoi me zbatue urdhërat e një grupi gjakatarësh me thikë e hanxhar në dorë e që nuk lejonte bilbilin të këndoj, lulen të lulëzoj e njeriu të gëzojë jetën e lirë”.
Fehmi Abdiu, ish kreu i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe një ndër firmëtarët për ekzekutimin e H. Nelës, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me Medaljen “Naim Frashëri të Klasit të Parë”, rrëfehej në shtypin shqiptar: “Unë, 30 vjet gjyqtar fatkeq”; “Kam gjurmë dhe gabime, por s’kam asgjë që të ma brejë ndërgjegjen”.
Kjo do të thotë se dënimin me vdekje të Havzi Nelës e ka dhënë me ndërgjegje të plotë. Asllan Nela, vëllai i Havziut, ka reaguar menjëherë pas dekorimit të tij. Ai u shpreh se “nuk di ç’të them më shumë vetëm se Moisiu po ia kalon edhe Ramiz Alisë. Demokracia na solli fatin që ta rivarrosim me të gjithë nderimet Havzinë, pa e menduar kurrë që një ditë e zezë si ajo e 8 janarit 2004, Alfred Moisiu do ta dekoronte vrasësin e tij, Fehmi Abdiun. Ditë ma e zezë për ne si kjo nuk mund të ketë”.
Ndërkohë që po jepej intervista e Asllan Nelës në televizion, Presidenti A. Moisiu, bëri një deklaratë për të zbutur këtë akt të turpshëm duke thënë se: “Fehmi Abdiu ka merita, por ka bërë edhe gabime”. Menjëherë ka reaguar edhe ish lideri demokrat Sali Berisha duke thënë se, “është e drejtë kushtetuese e presidentit përsa i përket dekorimeve, por nuk mund të dekorohet edhe xhelati edhe viktima. Moisiu ndan të njëjtat vlera me Abdiun”, shprehet Berisha.
Njëzet vjet pas vrasjes së poetit Nela, F. Abdiu u shpreh se, “ne e kemi dënuar për agjitacion e propagandë, e kemi dënuar për tentativën e arratisjes dhe terror, jo si poet”. Ai u shprehu “keqardhjen familjarëve”, por shtoi se koha dhe rrethanat ishin të atilla, dhe ai bashkë me kolegët e tij, kishin qenë vetëm shërbëtorë të ligjit.nNdonëse në atë kohë kjo dukej krejt normale, aktualisht sot çështja mund të shihet me keqardhje se në veprimtarinë e këtij personi të gjykuar, “kanë spikatur edhe dëshirat për demokraci dhe vullneti për të, sepse ka kryer veprime që nuk ishin të pajtueshme me pushtetin në fuqi.”
Ndërkohë një tjetër firmëtare e atij vendimit famëkeq është edhe gjyqtarja Fatmira Laskaj, ish Kryetare e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurive, edhe kjo e dekoruar nga Presidenti “Për merita të veçanta”. F. Laskaj në 20-vjetorin e varjes së poetit Nela, deklaroi se, “gjithë ajo çka ka ndodhur ishte fatkeqësi.
Fatkeqësia e tij ishte se nuk e duroi atë sistem”. Havzi Nelën nuk e vrau thjesht gabimi apo ekstremizmi i A. Hoxhës, prokuror atëherë në Kukës, F. Abdiut, F. Laskës apo L. Robo etj., por “logjika tiranike e një regjimi që i kish detyruar të gjithë të rrinin sus. Kjo nuk nënkupton se, të gjithë ata që vunë firmën në dënimet me vdekje, burgimet apo internimet, ata që spiunuan (edhe vetë të afërmit e H. Nelës), janë pa përgjegjësi dhe faj”.
Studiuesi Sami Repishti me të drejtë në shkrimet e tij bën thirrje: “luftoni kundër harresës, sepse harresa është vdekja e dytë e viktimës. Komunistët kanë vrarë me mijra vëllezër e motra tona. Me rikujtimin e tyre ne shpëtojmë nga vdekja e përhershme herojt, dëshmorët dhe viktimat”.
Fakti që nuk ulën kryet asnjëherë për atë që kryen, të lë përshtypjen se qenë të vetëdijshëm në atë që kishin kryer. nShkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare shprehet se, për fat të keq, asokohe, bashkëjetesa me të keqen u kthye në një përditshmëri, u shndërrua në psiqikë, në një bashkëjetesë thuajse patologjike, dhe liria, qe kthyer thjesht në iluzion. Për Kadaren: poète Havzi Nela est une choche qui sonne encore pour la sociètè albanise. Ne pas entendre cette cloche significe continuer á fouler aux pieds la liberté de l’ Albanie.
Sot është vështirë të mos perceptohet si krejtësisht i papërgjegjshëm justifikimi i gjykatësit F. Abdiu, lidhur me dënimin me vdekje të poetit disident Havzi Nela, në vitin e 44-t të diktaturës komuniste, ku cinizmi shfaqet ulëritës: “nuk është dënuar me vdekje për shkak të veprimtarisë së vet si poet, por për terrorizëm”.
Kështu është shprehur, F. Abdiu, një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë, që në vitin 1988 vlerësoi si të drejtë varjen në litar të poetit. Andrea Stefani, thekson se, nëse Havzi Nela ka terrorizuar dikë, ky ka qenë vetëm regjimi i terrorit dhe i skllavërimit të njerëzve, regjimi i Partisë dhe liderit që kish varur edhe “drejtësinë”.
Prandaj edhe “drejtësia” e vari atë. Havzi Nela nuk mbijetoi dot në një sistem pa liri, ku sikundër shkruante në vetmi, “kot kam mbetur gjallë”. Sistemi ia mori jetën, sepse nuk e bëri dot skllav.
Sipas Sadik Bejkos “gjyqi ndaj Havzi Nelës ngjan i montuar, ngjan me një gjyq formal. Vendimi i varjes në litar ishte marrë që më parë se ai të hetohej e gjykohej”. Dhe, siç është trajtuar më lart, studimi i të gjitha dosjeve të tij, këtë përshtypje të lë. Procedurat e përshpejtuara, duke kapërcyer të gjitha afatet ligjore nga hetuesia tek gjykata e rrethit, dhe nga Kolegji Penal tek Presidiumi i Kuvendit Popullor, flasin për një gjykim tejet formal. Për të fshehur gjurmët gjoja është kaluar në të gjitha hallkat e drejtësisë së kohës.
Havzi Nela ka qenë i paragjykuar që kur u cilësua si armik i rrezikshëm i partisë e i shtetit. Dhe sipas ligjit të kohës, armiqtë e rrezik-shëm vareshin në litar. nNë sytë e opinionit publik drejtësia shqiptare së bashku me aktorët e saj e kanë dhe do e kenë në kurriz gjithë jetën e tyre dënimin me varje të H. Nelës.
Deklarimet e herëpas-hershme të F.Abdiut dhe aktorëve të tjerë se, gjoja kanë qenë konform ligjit të kohës mbasi ka qëlluar policin (që sipas ekspertizës mjekoligjore rezultonte plagosje e lehtë), janë thjesht dhe vetëm publicistikë e kohës së sotme. Po t’iu referohemi ligjeve të kohës, Kodit Penal të miratuar nga Kuvendi Popullor më 15/06/1977, neni 93, plagosja e lehtë me dashje dënohej me riedukim nëpërmjet punës, ose me heqje të lirisë gjerë në tre vjet.
Por, kur kjo vepër kryhej më shumë se një herë ose kundër disa personave, dënohej me heqje të lirisë gjerë në pesë vjet. Është e qartë se të gjithë ata, që kanë miratuar me firmat e tyre dënimin më ekstrem, me varje të Havzi Nelës, kanë dhënë një vendim jashtëzakonisht të padrejtë, në kundërshtim edhe me ligjet e asaj kohe. “Procesi gjyqësor i poetit Nela, thekson P. Palushi, u deformua tragjikisht, dhe në rast se ndonjëherë ky proces gjyqësor i tij do rihapet, jam i bindur që banda shtetërore që dërgoi në litar poetin martir do të dalë krejt e zbuluar.
la.mi/Fjala.al