FSHB i jep fund ngërçit, sezoni i ri pritet të nisë më 15 nëntor 2020, me një kategori të vetme. Kishte përfunduar “de fakto”, por tanimë ka përfunduar edhe “de jure”. Sezoni i basketbollit shqiptar, i cili ishte pezulluar në mesin e muajit mars, për shkak të shpërthimit të epidemisë së virusit korona dhe masave që u morën, është mbyllur zyrtarisht të martën, pasi Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris këtë sport në vendin tonë, mori vendimin përfundimtar.
Sipas këtij vendimi, që ende nuk është shpallur zyrtarisht, por që konfirmohet për RTSH Sport nga burime zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), sezoni 2019-2020 i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, por edhe për grupmoshat, deklarohet i mbyllur, pa kampionë. Po kështu, nuk ka rënie nga Kategoria, në rastin e meshkujve, ndërsa, ashtu siç ka ndodhur vjet me femrat, sezoni i ri i Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për meshkuj do të zhvillohet me një kategori të vetme, pra, me 10 skuadra.
Ndërkohë, mësohet se si datë paraprake, por që mbetet në varësi të rrethanave dhe kushteve, për nisjen e sezonit të ri të koshit shqiptar, është vendosur 15 nëntori 2020. Ndonëse me vonesë, edhe basketbolli i bashkohet kështu volejbollit në mbylljen e sezonit pa kurorëzuar “kampionë”, por edhe duke e nisur sezonin e ri me një kampionat me një kategori të vetme, si për meshkuj, ashtu edhe për femra.
Ndërkohë, mbetet për t’u mësuar fati i Ligës Ballkanike të Basketbollit për Meshkuj, aty ku mori pjesë Vllaznia, teksa në skenë ka dalë ideja e një lige rajonale midis Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Ru.Do/ Fjala