Sa herë në ditë ndeshemi me papërgjegjshmërinë? Nëse do të jemi të vëmëndshëm, do të shikojmë se kjo papërgjegjshmëri, sa individuale aq edhe publike, ndeshet çdo ditë, madje çdo orë. Papërgjegjshmëria është e keqja jonë më e madhe. Nuk po arrijmë ta kuptojmë dot këtë fakt, sepse papërgjegjshmëria lidhet ngushtësisht me disa elemente të qenësishme të vetëdijes sonë, të ADN-së sonë sociale.
Së pari, papërgjegjshmëria lidhet me detyrën, me atë se çfarë kupton njeriu me detyrë! Puna është se ne nuk kuptojmë dot sensin e detyrës. E keni vënë re se për punët publike interesi i atyre që drejtojnë është vetëm t’i kryejnë sa më shpejt, por jo t’i bëjnë të qëndrueshme? Dikur në Tiranë u vendosën çezma uji publike, u vendosën gjoba për ata që urinonin vend e pavend rrugëve dhe u vendosën WC portative. Sot askush nuk e di fatin e tyre. Pse? Sepse detyrë konsiderohet vetëm dorëzimi në afatin e caktuar dhe “bërja e dukshme” e punës, më tej askush nuk do të dijë.
Të mos flasim për rrugët, për parqet, për pemët e mbjella, për këndet e lodrave, për asfaltet e shtruara brenda natës. Përgjegjshmëria? Zero. Sepse detyrë konsiderohet ajo që ka një afat të caktuar, jo qëndrueshmëria e saj! Detyra konsiderohet e kryer sapo pritet shiriti, më tej… fajin e kanë njerëzit! Dhe këtu ka një të vërtetë. E vërteta është se, pasi kryhet një punë, askush nuk e ndien më përgjegjësinë për të. Faji gjithnjë i përket tjetrit, atij që nuk dihet se cili është!
Të mos flasim këtu për drejtuesit e shtetit, të cilët ndjenjën e detyrës e kanalizojnë në interes vetjak!
Së dyti: Papërgjegjshmëria lidhet me frikën. Frika është pjesë e jetës së njeriut. Pikërisht frika e bën njeriun të përgjegjshëm. Por cila frikë? Kërkesa e llogarisë pothuaj nuk ekziston, sepse në psikologjinë tonë e kemi të rrënjosur ndjenjën e fajit tek të tjerët. Asnjëherë nuk e kthejmë vështrimin nga vetja. Ndaj nuk kanë vlerë edhe ligjet. Një ligj i keq është njëqind herë më i mirë se një ligj i mirë që nuk zbatohet.
Dhe e dini përse? Sepse zhduk ndjenjën e “frikës” përballë detyrës, përballë përgjegjshmërisë! Këtu presidenti, kryeministri, ministri, shefi i opozitës etj., nuk kanë pikën e përgjegjshmërisë, sepse nuk kanë frikë nga ligji, sepse ligji është për “të tjerët”, jo për ata! Ata nuk kanë frikë nga e nesërmja, ndaj janë tërësisht të papërgjegjshëm përballë etikës publike! Frika duhet të vijë nga kërkesa e llogarisë dhe kjo e fundit nga drejtësia. Më tej vjen veprimi, sepse veprimi është në radhë të parë BESIM! Por si mund të fitohet besimi kur ekziston si sundues mentaliteti i papërgjegjshmërisë publike?
A nuk e shikoni se ç’po ndodh me pandeminë? Askush nuk pyet për masa e për gjoba. Sepse kontrolli është me fushata! Askush nuk pyet për distancim fizik, sepse askush nuk ka “frikë” se po shkel një rregull publik, një ligj. Sepse askush nga ata që duhet të jenë në krye të detyrës nuk bën detyrën! Sepse askush nuk u kërkon llogari! Ja kështu e kemi shkatërruar shtetin!
Sa për ne qytetarët, në trashëgiminë tonë gjenetike sociale ne hakmarrjes i shkojmë deri në fund, por “detyrën” e bëjmë “të detyruar” nga faktorë që i lidhim së jashtmi. Ne nuk e konisderojmë detyrë etikën publike, ndryshe nuk do pështynim rrugëve, nuk do shkatërronim mjedisin, nuk do t’i vinim kazmën natyrës! Familja e trashëgon këtë te bijtë dhe shkolla e ka përforcuar me papërgjegjshmërinë e saj edukimin e brezave.
Dhe tani jemi në këtë gjendje: askush nuk mban përgjegjësi e askush nuk kërkon llogari! Në fakt, ata që kanë përgjegjësinë ndaj shoqërisë, ata sillen e veprojnë të parët në mënyrë të papërgjegshme. Duke lënë mënjanë politikën, e cila e gjen veten maksimalisht mirë në papërgjegjshmërinë e saj, drejtësia dhe shkolla mbeten dy polet e mëdha ku duhet edukuar përgjegjshmëria! Kjo nëse duam të mendojmë për të ardhmen.