Nga Spartak Ngjela
Situata nuk duket e qetë. Zakonisht, situata të tilla, të cilave nuk u kuptohet mirë shkaku, vijnë si pasojë e konflikteve të brendshme që mban në natyrën e vet politika, kur flitet për zgjedhjet drejt pushtetit. Aktualisht, në hapësirën politike që mendohet që do të garojë realisht për pushtet janë tri forca politike: PS, PD dhe LSI.
Por, në të njëjtën kohë, në Shqipëri ka filluar një reformë antikorrupsion që nga viti 2016; domethënë ka 4 vjet që situata politike në Shqipëri kërcënohet nga reforma antikorrupsion. Reforma antikorrupsion ka dy aspekte, të cilat kanë ecur në dy kohë të ndryshme. Aspekti i parë është Reforma në Drejtësi. Na duhet të theksojmë se të gjithë këtë reformë antikorrupsion e ka marrë përsipër ta drejtojë politika amerikane dhe elita e politikës së Bashkimit Evropian.
Fakti që është marrë prej tyre, kuptohet se kësaj lufte antikorrupsion në Shqipëri i është vënë një karakter skematik me dy segmente: Reforma në Drejtësi dhe hetimi i korrupsionit të lartë shtetëror dhe krimit të organizuar. Faza e parë, domethënë Reforma në Drejtësi, ka ecur në 60% të saj; por duhet të theksojmë se pa Reformën në Drejtësi nuk mund të bëhet dot reforma antikorrupsion në nivelet e larta të politikës shqiptare.
Por, çfarë ka ndodhur tani që ka mbaruar rreth 60% e Reformës në Drejtësi? Si pasojë e kësaj reforme janë eliminuar 60% të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe është formuar SPAK-u, domethënë, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme, ndërkohë po pritet të formohet konkretisht dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila ndërkohë e ka zgjedhur kryetarin e vet.
Si pasojë e kësaj situate kërcënuese antikorrupsion, shikohet që palët politike të të tria partive që përmendëm më lart, janë në acarim psikik. Ende ato nuk e kanë të qartë se cili do të eliminohet nga lufta antikorrupsion e SPAK-ut. Në funksion të kësaj pyetjeje të gjithë krerët e tri partive që janë në garë janë naivë; janë naivë, sepse nuk kuptojnë dot ligjin, dhe sidomos Kushtetutën e Re, e cila ka strukturuar juridikisht dhe kostitucionalisht reformën antikorrupsion në Shqipëri.
E gjithë kjo situatë ka krijuar konfliktet e brendshme, nga të cilat kjo klasë potilike, me këtë nivel koshience, e pakulturuar dhe pa profesion, e ka të pamundur që të dalë dhe është normale që të pushtohet nga një frikë e madhe. Që nga ky moment e deri sa të fillojë funksionimi i SPAK-ut, do të shohim frikë të liderëve të Partisë Demokratike dhe të
Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po liderët e Partisë Socialiste, a janë të shqetësuar nga reforma antikorrupsion? Këta nuk duket se janë shumë të shqetësuar, por gjithsesi, filtrit antikorrupsion nuk i shpëtojnë dot. Një gjë është e sigurt: reforma antikorrupsion në Shqipëri drejtohet 100% nga ekspertiza amerikane dhe ajo e elitës së politikës së Bashkimit Evropian.
Ndryshimi kushtetues për pranimin e listave të hapura është reformë cilësore në ecurinë e demokracisë në Shqipëri. Me ndërrimet kushtetutese të vitit 2008, ku u hoq sistemi mazhoritar në Shqipëri, shqiptarët kanë zgjedhur në mënyrë abstrakte partitë dhe kryetarët e partive, dhe nuk kanë zgjedhur individualisht liderët që iu duhen si deputetë në Parlamentin shqiptar.
Kjo solli një përshtjellim të madh në drejtimin e shtetit, pershtjellim ky, që e degradoi me tepër situatën e korrupsionit në Shqipëri, sepse kryetarët e partive që morën pushtetin, zgjodhën falangat e bashkëpunimit korruptiv. Kjo na lë të kuptojmë se të gjitha ndryshimet e vitit 2008 kanë qenë një skemë për konsolidimin tërësor të një qeverisjeje abuzive në Shqipëri. Në funksion të kësaj ideje, nuk kishte rëndësi fare se cila forcë do të fitonte, sepse pushteti ishte kthyer në një mekanizëm fitimprurës abuziv.
Kthimi në individualizimin e personave, të cilët do konkurrojnë për deputet në zgjedhjet e vitit 2021, na kthen sërisht te karriera individuale në politikë. Ku mund të ketë politikë demokratike dhe shtet ligjor dhe moral, në rast se karriera politike nuk është garë masive me individë konkretë dhe të identifikuar? Pa këtë karakter individualist drejt karrierës politike, nuk mund të këtë shtet të drejtë.
Duhet të kujtohemi se të gjitha diktaturat e kanë karrierën politike anonime dhe dominon gjithmonë vetëm një emër: emri i diktatorit. Ja pra, ky ishte dhe ligji i vitit 2008, i formuluar nga dy liderë që nuk kanë lidhje fare me shtetin shqiptar: Sali Berisha dhe Edi Rama. Por, tani do të presim risinë e ligjit me lista të hapura, i cili, kemi shpresë, se do ta kthejë luftën karrieriste me individë të identifikuar përballë opinionit publik; dhe, shqiptarëve, pas 12 vjetëve iu dha e drejta të zgjedhin individin dhe jo të rikonfirmojnë diktatorin, siç ka qenë situata politike zgjedhore që nga viti 2008.
Për sa i përket çështjes së koalicioneve parazgjedhore, ajo, sigurisht, është brenda natyrës së listave të hapura, sepse në një sistem me lista të hapura, koalicionet nuk mund të paraqesin dot lista të hapura për të gjitha partitë që marrin pjesë në një koalicion, sepse do të ishte non sens juridik.
Koncepti perëndimor i koalicionit parazgjedhor është që, ky koalicion hyn në garë me një listë të përbashkët dhe me një kryetar, i cili konkurron për kryeministër. Me anë të kësaj, kuptojmë që, rikthimi tek individi dhe tek individualizmi zgjedhor në Shqipëri, do të na sillte dhe koalicionet me një listë dhe me garë për një kryeministër, përballë koalicioneve ose partive të tjera. Por, kjo nuk do të thotë që partitë nuk kanë të drejtë të bëjnë marrëveshje juridike parazgjedhore, që nuk kanë lidhje me listën e përbashkët, por me listat individuale të çdo partie, të hapura për ta vijuar koalicionin me numrin e deputetëve që kanë zgjedhur, pavarësisht nga njëri-tjetri.
Aktualisht, nuk duhet folur a ka konflikt politik, por a ka konflikt juridik. Në qoftë se marrëveshja e 5 qershorit nuk preket fare nga ndryshimet kushtetuese, dhe hyn në fuqi siç është vendosur në 5 qershor, nuk ka asnjë konflikt të brendshëm juridik, të dyja ligjet nuk kanë koneksion me njëri-tjetrin, sepse nuk kanë hyrë në dispozitat e njëri-tjetrit.
Ndryshimet e reja kushtetuese nuk kanë prekur asnjë dispozitë të marrëveshjes së 5 qershorit. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: a ka pasur shtesë juridike që nuk është përfshirë në marrëveshjen e 5 qershorit? Ne nuk shohim asnjë konflikt të tillë që, të dyja aspektet ligjore nuk godasin njëri-tjetrin, por zgjerojnë hapësirën e Reformës Zgjedhore në Shqipëri. Me një logjikë fëminore e priti PD-ja konceptin e listave të hapura, aq sa liderët e saj u bënë qesharakë, por kthesa e tyre drejt pranimit të kësaj reforme, tregon që i janë nënshtruar procesit të ri demokratik në Shqipëri.
Megjithatë, si pasojë e asaj që thamë më lart, kuptohet se reforma antikorrupsion i prek të gjitha palët politike. Gjatë muajve që vijnë, në funksion të SPAK-ut dhe hetimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, do të kemi qarkullim të elitave në Shqipëri nëpërmjet forcës së ligjit antikorrupsion, sepse mbi 80% e lidershipit politik që ka drejtuar shtetin shqiptar në 15 – 20 vitet e fundit ka qenë i korruptuar dhe e ka degraduar juridikisht shtetin shqiptar, në funksion të pasurimit individual.
Faktori ndërkombëtar ka vetëm një filozofi aktuale: eliminimin e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri. Për sa i përket Reformës Zgjedhore, faktori ndërkombëtar perëndimor nuk mund të ishte kundër rritjes së spektrit të demokracisë në Shqipëri nëpërmjet amendimit cilësor të Kushtetutës dhe të ligjit elektoral.