Premto Gogo: Duhet një vendim unanim politik për disa ndryshime teknike

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Këtë muaj ka hyrë në fuqi Kodi i ri Zgjedhor ose ajo që njihet si marrëveshja e 5 qershorit, së shpejti hyjnë në fuqi edhe ndryshimet kushtetuese, të miratuara nga mazhoranca. Këto ndryshime në Kushtetutë imponojnë ndërhyrje të reja në Kodin Zgjedhor, sipas këndvështrimit, tuaj sa nene dhe cilat preken konkretisht prej këtyre ndryshimeve?

Në datën 19 gusht hynë në fuqi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të dakordësuara nga marrëveshja e gjerë politike e 5 qershorit 2020. Ndërkohë ndryshimet Kushtetuese, në gjykimin e KRIIK, të miratuara në mënyrë të njëanshme dhe nëpërmjet një procesi të parregullt ligjor, hyjnë në fuqi në datën 8 shtator 2020, një ditë pas çeljes së sesionit të dytë të Kuvendit për këtë vit. Këto ndryshime kushtetuese diktojnë ndryshime të reja në Kodin Zgjedhor, të cilat, sipas praktikës politike dhe parlamentare të vendosur dhe angazhimit më të fundit të mazhorancës socialiste, do të duhet të bëhen nëpërmjet një konsensusi të gjerë politik, paçka se një gjë e tillë, në mënyrë absurde, nuk u pa e nevojshme për ndryshimet kushtetuese.

Bazuar në këtë angazhim politik dhe institucional të deklaruar, ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor do të duhet të miratohen prej katër palëve të përfshira në Këshillin Politik. Pra, praktikisht do të jetë sërish Këshilli Politik që do të bëjë diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve të cilat më pas do të miratohen në Parlament, duke ndjekur të njëjtën procedurë parlamentare, si ndryshimet e miratuara në datën 23 korrik 2020. Nisur nga deklarimet e deritanishme të palëve, por edhe niveli i thellësisë së ndërhyrjes, puna në Këshillin Politik do të jetë jo e vogël, ndërkohë që duket se problematik mbetet konvergimi i palëve lidhur me hapjen tërësore apo pjesore të listave.

Mungesa e kohës dhe presioni i partnerëve ndërkombëtarë mendoj se do të shfrytëzohen sërish nga të gjitha palët për të bërë vetëm ndërhyrje të vogla dhe tërësisht teknike, si rregullim e saktësim terminologjie e të tjera të kësaj natyre. Nëse u referohemi diskutimeve të bëra në komisionet parlamentare, si dhe relacionit që shoqëron projektligjin për ndryshimet kushtetuese, vërehet se në tërësi ka një qasje “në kuptim të ngushtë” ndaj koncepteve thelbësore, mbi bazën e të cilave propozohet dhe paraqitet si i përshtatshëm për kontekstin e vendit tonë, ky sistem zgjedhor, në kuptimin e të tërë mekanizmit të parashikuar. Madje, edhe referimi që bëhet në të gjitha dokumentet ndërkombëtare është po i kësaj natyre, duke u evidentuar lehtë si një përpjekje e sforcuar për të përligjur këtë imponim të njëanshëm të mazhorancës socialiste.

Në qoftë se qasja do të vazhdojë të jetë sërish e tillë, sikurse ka shumë gjasa të ndodhë, atëherë mazhoranca do t’i peshojë dhe do të mjaftohet veç me ndryshimin e disa prej neneve të Kodit Zgjedhor, në pjesën e regjistrimit të subjekteve zgjedhore, mënyrës së votimit dhe në atë të shpërndarjes së mandateve, duke i shitur si të mjaftueshme për të siguruar kryerjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Ndërkohë që ndryshimet e domosdoshme, si reflektim i duhur i konceptit dhe përmbajtjes në nivelin politik dhe teknik, i dispozitave tashmë kushtetuese që parashikojnë lista të hapura, do të kërkonte një punë kolosale prej Këshillit Politik, duke prekur gati tërë mekanizmin zgjedhor. Veçanërisht elemente që kanë të bëjnë me transparencën dhe kontrollin e financimit të fushatës së kandidatëve, veçmas dhe krahas asaj të partive politike, mënyrën e informimit të publikut, median dhe fushatën zgjedhore, e deri te ndryshime edhe në ligjin e partive politike për mekanizmin e përcaktimit të kandidatëve që do të përfshihen në lista, rolin e forumeve të brendshme të partisë, madje, edhe parashikimin e mundësisë për marrjen e pëlqimit prej publikut, përpos anëtarësisë.

Gjithë sa më sipër nuk është as më shumë e as më pak, por minimumi i kërkuar për informimin e duhur, ndikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues prej vetë qytetarëve, parim mbi të cilin mazhoranca përligji ndryshimet e njëanshme kushtetuese. Madje, në këtë këndvështrim, shihet problematik edhe hapësira e lënë në Kushtetutë për moshapjen e plotë të listave, pra që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore. Reflektimi i duhur i parimeve të propaganduara do të kërkonte një hapje të plotë të tyre. Në këtë rast është e nevojshme që Kodi Zgjedhor të parashikojë kuota të përcaktuara gjinore në listat e kandidatëve dhe në listat fituese. Kjo do të siguronte liri më të plotë zgjedhjeje prej qytetarëve e, nga ana tjetër, edhe garë midis vetë kandidatëve, por brenda së njëjtës gjini.

– Ka një debat të madh publik për çështjen e formulimit të koalicioneve parazgjedhore, konkretisht çfarë ndalojnë dhe çfarë lejojnë në këtë kontekst ndryshimet kushtetuese? Për çfarë do të luftojnë palët në formulimet ligjore që do të bëhen në Kodin Zgjedhor?

Një nga mangësitë më të mëdha prej të cilave vuan sistemi ynë politik dhe proceset zgjedhore është shterimi apo edhe mungesa e ofertave elektorale. Duhet theksuar se ofertat elektorale jo domosdoshmërisht lidhen me numrin e partive politike që marrin pjesë në zgjedhje, sikurse shpesh është ngatërruar si koncept gjatë diskutimeve të bëra për ndryshimet kushtetuese. Madje, praktika e deritanishme në vendin tonë ka faktuar të kundërtën. Një numër i madh partish politike të vogla, që mblidhen rreth dy partive kryesore, dhe që paraqiten si alternativa të vetme për t’u zgjedhur prej qytetarëve. Ndërkohë, sistemi politik dhe ai zgjedhor për alternativat e reja është i pamundur, për të mos thënë i mbyllur tërësisht. Inekzistentë janë edhe mekanizmat që fuqizojnë qytetarët në kuptimin e kërkimit të lloga

Lexo edhe :  Dita e lindjes së Ismail Kadaresë, Spiropali: Gjeniu, më i madhi dhe më i ndrituri ynë!

risë, të zbatimit të programit elektoral me të cilët është mandatuar qeverisja, apo edhe ata të ushtrimit të demokracisë direkte. Në këto kushte, heqja e koalicioneve parazgjedhore, sikurse parashikohet në ndryshimet kushtetuese të miratuara, në gjykimin tonë, nuk ka të bëjë aspak me cilësinë e ofertës elektorale apo me pastrimin e terrenit politik prej partive politike inekzistente. Për të dyja këto problematika KRIIK ka bërë propozime konkrete, duke evidentuar një sërë mekanizmash apo edhe thjesht zbatimin e duhur, në germë e frymë, të dispozitave aktuale të parashikuara, për të siguruar qoftë platforma elektorale, qoftë edhe nxitjen e partive politike funksionale e përfaqësuese. Në gjykimin tonë, heqja e të drejtës së koalicioneve është cenim i së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur.

Por jo për të zgjedhur parti apo grupime partish, por oferta elektorale, programe qeverisëse, të cilat mund të vijnë nga një parti politike, apo nga një grupim partish politike, si ndërthurje prioritetesh zhvillimore, politike e kohore. Jo vetëm kaq, por ky ndryshim heq mundësinë e qytetarëve për të ndikuar dhe nxitur oferta të përshtatshme elektorale, që synojnë platforma qeverisëse që më shumë përfaqësojnë interesat e qytetarëve se sa u rrinë besnike kostumeve politike përkatëse, ideologjike ose jo.

Në kontekstin e gjendur, ky ndryshim prek drejtpërdrejt alternativat e reja dhe ruan status quo-në e establishment-it politik. Madje, nisur nga sistemi i patronazhit politik të krijuar, korrupsionit zgjedhor në konceptin e gjerë të termit dhe në problematikat e tjera, të cilat e bëjnë të pasigurt leximin e drejtë dhe të pandikuar të votës së qytetarit, ky element i jep avantazh mazhorancës sot në pushtet për krijimin e koalicionit qeverisës apo qeverisë së re pas zgjedhjeve të ardhshme. Mendoj se këto elemente do ta rëndojnë mbarëvajtjen e diskutimeve në Këshillin Politik. Ndryshimet që do të propozohen, qoftë edhe të dakordësuara, do të jenë të imponuara nga një sërë rrethanash që nuk kanë lidhje me realizmin cilësor të procesit të ardhshëm zgjedhor.

– Si mund të realizohen këto ndryshime me konsensus politik në Këshillin Politik, kur jemi 8 muaj para zgjedhjeve të reja parlamentare, të parashikuara në prill 2021, dhe a rrezikohet të rrëzohet pakti politik i arritur, në vjeshtën e këtij viti, me një miratim të njëanshëm nga mazhoranca të ndryshimeve në Kodin zgjedhor?

Duhet thënë se jemi shumë vonë në terma kohorë për procesin e ardhshëm zgjedhor. Partitë politike përveç se duhet të merren me ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor, në zbatim të ndryshimeve kushtetuese, duke u përfshirë në të tëra çështjet që cekëm më lart, duhet që brenda 18 shtatorit të nisin punën për zgjedhjen e Komisionit të ri Qendror të Zgjedhjeve. Pra, të Komisionerit dhe dy trupave, Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Ligji parashikon ngritjen e KQZ-së së re deri në datën 18 tetor 2020, ndërkohë që, nga ana tjetër, i ka ngarkuar kësaj të fundit që brenda një afati 6-mujor, deri në 19 shkurt 2021, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të Kodit Zgjedhor, ku më të rëndësishme përmendim ato lidhur me teknologjinë, votimin nga jashtë vendit, financimin, etj. Praktika e deritanishme e funksionimit dhe e punës së Këshillit Politik nuk është aspak premtuese për përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe angazhimeve. Megjithatë, kjo është dhe mbetet rruga e vetme për realizimin e një procesi konsensual në vendosjen e rregullave të lojës për procesin e ardhshëm zgjedhor. Partitë politike që janë të përfaqësuara në Këshillin Politik dhe, veçanërisht, dy partitë e mëdha, duhet të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë e madhe që kanë mbi supet e tyre në përvijimin e rrugëtimit demokratik të vendit. Ashtu sikundër duhet të pranojnë qartazi përgjegjësinë e dështimit të tyre për tërë krizat dhe ngërçet e krijuara, por, mbi të gjitha, për pamundësinë për të shënuar në tërë rrugëtimin 30-vjeçar realizmin me sukses të një “procesi” të vetëm reformues, të vërtetë dhe të plotë demokratik, në realizimin e reformave të bëra.

Edhe në ndryshimet e dakordësuara të Kodit Zgjedhor, në bazë të marrëveshjes politike të 5 qershorit, ka një sërë problematikash të paprekura apo të prekura përciptazi. Me qasjen dhe vullnetin e deritanishëm të treguar, tërë procesi i amendimit të kryer dhe perspektivat e shtruara, duket se përbëjnë një “deja-vu” të reformës zgjedhore, qasjes dhe vullnetit të treguar në procesin reformues të vitit 2011-2012. Vazhdimi i një qasjeje dhe sjelljeje të tillë politike e institucionale, e limituar në interesa të ngushtë të partive kryesore politike, në një proces të mbyllur, pa transparencë dhe jo gjithëpërfshirës, do ta rrezikojë akoma më shumë tërë procesin reformues ligjor në vazhdim, si dhe atë përgatitor të procesit të ardhshëm zgjedhor, duke rënduar dhe mbajtur vazhdimisht të tensionuar situatën politike në vend. Duhet pranuar se procesi i ardhshëm zgjedhor do të jetë thjesht një proces i pranuar politikisht me dobinë më madhore, kthimin në shtratin institucional parlamentar të aktorëve politikë, ndërkohë që vendit do t’i duhet të nisë një proces të ri reformues, për një Kod Zgjedhor të ri, ligj të veçantë për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore, ligj për partitë politike, për referendumet etj./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Gripi i shpendëve, ministrja Denaj: E kemi situatën nën kontroll

“Për të shkuar drejt sigurisë ushqimore është bërë një punë kolosale”, kështu u shpreh ministrja Anila Denaj gjatë intervistës...

Siguria ushqimore, a jemi gati për BE? Paralajmërimi i ministres Denaj

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, foli për sigurinë ushqimore dhe për rastin e ngarkesave me mandarina, ku një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht nga...

Shorti i ‘Eurovision 2025’, ja kur do shfaqet Shqipëria në gjysmëfinale

Ditën e sotme u zhvillua një short në City Hall të Bazelit për të ndarë 31 vendet gjysmëfinaliste të ‘Eurovision 2025’ në dy netët...

Punonjësit e Ambasadës Amerikane largohen nga Kongo/ Sulme e plaçkitje në zyrat e OKB-së

Departamenti i Shtetit ka urdhëruar stafin e ambasadës amerikane në Kinshasa të largohet nga vendi pasi protestuesit sulmuan disa misione diplomatike sot, duke protestuar...

FOTO/ Rezarti me akuza të forta për produksionin e BBVK

Ish-banori i Big Brother VIP Kosova, aktori i njohur i “Portokalli” Rezart Veleshnja, ka bërë së fundmi një reagim të ashpër në rrjetet sociale,...

Lajme të tjera

Web TV