Kukësi përballë Volfsburgut, Gega e sheh të vështirë, gjermanët i tremben “Covid-19”

Ka qenë mbase një nga kundërshtarët më të vështirë të mundshëm dhe padyshim më i vështiri me të cilin do të përballen 3 skuadrat shqiptare në turin e dytë eliminator të Ligës së Evropës. Goglat e shortit të hedhur në Nion të Zvicrës e kanë vendosur Kukësin përballë një skuadre të vështirë siç është ajo e Volfsburgut, që zuri në përfundim të sezonit të shkuar, vendin e 7-të në Bundesligën e parë gjermane. Një kundërshtar padyshim me emër, por edhe me një buxhet shumëfish më të madh sesa verilindorët, nënkampionë të Shqipërisë sezonin e shkuar.
Dhe trajneri i Kukësit, Skënder Gega, duke folur shkurtimisht pas njohjes së kundërshtarit, nuk e fshehu se përballet me një sfidë të fortë. “Jemi përpara këtij fakti dhe tanimë nuk ka rendësi se me kë unë do të dëshiroja të përballeshim nga të 3 skuadrat që kishte parashikuar shorti, – ka deklaruar kreu i stolit të verilindorëve. – Po u njoha me shortin. ekip shumë i fortë. Padyshim dua më të mirën dhe ecurinë e ekipit, por do të na duhet të punojmë fort që të jemi në 100% të formës, siç kërkohet përballë një kundërshtari të tillë”, – përfundoi Gega.
Ndërkohë, Kukësi ka marrë edhe vëmendjen e skuadrës kundërshtare, teksa edhe e përditshmja e mirënjohur “Bild” ka vënë në dukje faktin se ka një paralajmërim sa i përket udhëtimit drejt Shqipërisë, për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi “Covid-19”. Sipas të përditshmes gjermane në fjalë, “Faqja në Internet e Ministrisë së Jashtme vazhdon të paralajmërojë ndaj “udhëtimeve të panevojshme të turistëve drejt Shqipërisë”, – shkruan “Bild”-i.
“Sipas Ambasadës Gjermane në Tiranë, masat e emergjencës, për shkak të epidemisë së virusit korona, vazhdojnë të jenë në fuqi në Shqipëri”, – thekson ndër të tjera shkrimi i të përditshmes së njohur gjermane, që ndër të tjera thekson se Volsfburgut do t’i duhet t’i kalojë 3 ture për të arritur deri në fazën e grupeve, duke dhënë edhe datat e ndeshjeve si dhe të hedhjes së shorteve. Mbetet për t’u parë nëse skuadra gjermane do të krijojë ndonjë çështje për të shmangur të luajturit në Shqipëri.
Tirana udhëtoi drejt Dinamos së Tbilisit për të luajtur atje ndeshjen e saj të turit të parë të Ligës së Kampioneve, ashtu sikundër udhëtoi edhe Laçi drejt Azerbajxhanit në turin e parë të Ligës së Evropës. Po kështu, edhe Kukësi, Tirana apo Teuta, pritën në fushën e vet përkatësisht Sllavian e Sofias, Crvena Zvezdën dhe Beitarin e Jeruzalemit, kështu që skuadra gjermane e Volfsburgut nuk mund të pretendojë sa i përket luajtjes në kryeqytetin shqiptar të ndeshjes me Kukësin.

Lexo edhe :  CHAMPIONS LEAGUE: Formacionet zyrtare, debuton Isak, Esposito zëvendëson Martinez

La.Mi/Fjala.al