“Filtrat” e rremë të Lulzim Bashës, PD si Partia Komuniste e Kinës

Nga Halit Valteri 
Prej rreth dy muajsh jemi bërë dëshmitar të një procesi “ndryshe” që ka nisur Partia Demokratike, për të zgjedhur të ashtuquajturit “kandidatë për deputetë” dhe pushtetin vendor, bashkitë. Jo pak njerëz me kontribute në PD e besojnë vërtetë se Lulzim Basha do t’ia lërë në dorë bazës të zgjedhë kandidatët e ardhshëm. Mes tyre janë edhe figura e personalitete të cilët për javë të tëra janë munduar dhe orvatur për të mbledhur firmat e duhura me qëllim që emri të mbërrijë si i propozuar nga baza në selinë qendrore të PD-së. Por çfarë po ndodh në të vërtetë? Ka të dhëna të besueshme, por edhe denoncime të përditshme nën zë nga demokratët se fazën e parë e kanë kaluar emra që nuk janë propozime të bazës. Çfarë emri t’i vendosim kësaj, veçse tallje ditën për diell me mbështetësit e t’u?
Në fakt, që në start procesi ka qenë i kompromentuar dhe nuk bëhet fjalë për të drejtë legjitime të bazës demokrate në përzgjedhjen e kandidatëve të preferuar. Pse? Shihni komisionin e vlerësimit të figurave në PD. Që nga Bujar Nishani, ish-presidenti që e ka për nder të jetë ushtar jo vetëm i Sali Berishës, por edhe beniaminit të tij, Lulzim Basha. Këtu besueshmëria e procesit ka rënë. Sepse nuk mund të flasim për trajtim me bazë meritokracinë e kandidatëve, pra të firmave që ata kanë marrë te anëtarësia, kontributi dhe formimi profesional, por vlerësim pozitiv do të marrin ata që i pëlqejnë kryetarit.
Kemi edhe një figurë tjetër, siç është Mark Marku i cili në momentet e krizave dhe kur sulmonte PD-në jo shumë vite më parë, e krahasonte Lulzim Bashën dhe Sali Berishën me Ramiz Alinë dhe Enver Hoxhën, ndërsa për PD-në shprehej se prej vitit 1992, nuk ka qenë kurrë parti e shumicës. Flasim për një ish-deputet të PD dhe njeri që ka përfituar jo pak gjatë qeverisjes 8-vjeçare.
“Drejtuesi i ri i kësaj partie zoti Basha mban ndaj paraardhësit të tij, zotit Berisha, të njëjtin qëndrim që mbante Ramiz Alia ndaj Enver Hoxhës, paraardhësit të tij. Zoti Basha duket se ka stil tjetër të të bërit politikë, ashtu sikurse e kishte edhe Ramiz Alia, në raport me Enver Hoxhën, por e mbylli karrierën politike pa guxuar të shqiptonte ndonjë kritikë ndaj tij”, janë fjalët e Mark Markut të bëra në vitin 2014, kur PD ishte në momentet e saj më të vështira, pasi ishte larguar nga pushteti një vit më parë. 6 vjet më pas Mark Marku ka në dorë fatet e kandidatëve të ardhshëm të PD dhe fatin politik të partisë mes dilemës për t’u rikthyer në pushtet dhe instalimit në opozitë edhe për një mandat tjetër. Kush beson se do bëhet kandidat në zgjedhjet e ardhshme duke i besuar Mark Markut nuk bën gjë tjetër veçse sheh ëndrra me sy hapur.
Tjetri është Besnik Mustafaj. Publicisti i njohur është në vendin e duhur në lëmin e letërsisë, por përzierja e tij me politikën njollos atë në radhë të parë. Edhe zoti Mustafaj nuk ofron asnjë lloj besueshmërie se procesi i zgjedhjes së kandidatëve do të jetë ai që besojnë mbështetësit e PD. Jo se Mustafaj nuk ka redibilitetin e duhur për të përcaktuar se ky apo ai kandidat vlen ose jo, sepse për hir të vërtetës ka ditur të jetë kritik ndaj PD në momentet e duhura si dhe vlen të kujtojmë se është larguar nga politika në një moment të lavdishëm për të, si ministër i Jashtëm, por se vetë procesi është i rremë. Mëkat është që Besnik Mustafaj ka pranuar të bëhet pjesë e një farse të turpshme.
Genc Ruli është një tjetër personazh që ka një të shkuar në PD të ngjashme me atë të Mark Markut, ndonëse edhe më radikal në qëndrimet e tij ndaj Lulzim Bashës. Papritur ky i fundit e rikthen në PD në mes të lumit të akuzave dhe morisë së sulmeve personale ndaj njëri-tjetrit për vite me radhë. Dakord që Ruli ka përfituar shumë në PD si ish-ministër në qeverinë “Berisha” dhe duhet t’i rikthejë PD-së atë që ka marrë prej saj. Por përdorimi i një instrumenti fake sic është komisioni i vlerësimit të figurave, për të rehabilituar Rulin në PD, është tallje ndaj këtij të fundit. Dhe merreni me mend sesa do t’i marrë për bazë Lulzim Basha emrat që do t’i rekomandojë Genc Ruli si kandidatë për deputetë apo edhe për bashkitë.
Për pedagogen e Historisë, Enriketa Papa nuk kemi shumë për të thënë për faktin e vetëm se politikisht është e panjohur dhe merret me mend se çfarë kontributi do të ketë ajo në procesin e rremë të Lulzim Bashës.
Në përfundim, të gjithë simpatizantët e PD e dinë se Lulzim Basha nuk mund të bëjë garë demokratike brenda partisë për faktin e vetëm se i del skema jashtë kontrollit. Votën e lirë e ka frikë edhe ai, po njësoj siç akuzon kundërshtarët politikë. Prandaj, demokratë mos merrni të mirëqenë një proces që ka rënë që në krye të herës dhe është i kompromentuar në tërësi. Edhe Partia Komuniste e Kinës pretendon se Kina është demokratike, por në fakt nuk është kështu. Mbizotëron diktati i “njëshit” në të dyja rastet.
La.Mi/Fjala.al