Një ditë pas marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është pritur në një takim nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.
Hoti ka shpërndarë një foto nga takimi në rrjetet sociale ku shkruan se SHBA është e gatshme për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut.
“Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderova SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, ndërsa duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, theksova gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.”- shkruan Hoti ne postimin e tij, ku nga shpejtësia apo emocionet ka ngatërruar emrin e sekretarit amerikan nga Mike në Michael.
Postimi i plotë:
Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam pritur në takim nga Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, i cili më uroi për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, marrëveshje kjo që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
Në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës, falënderova SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës, ndërsa duke vlerësuar rëndësinë që ka marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, theksova gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, që çon në njohje reciproke ndërmjet të dyja vendeve.
Po ashtu, mora mbështetje sekretari Pompeo, i cili theksoi gatishmërinë e SHBA-ve për të mbështetur Kosovën në procesin e dialogut dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Ra.My.Fjala.al/