Vetingu/Sistemi i drejtësisë në kolaps, “shkrihet” Gjykata e Apelit Tiranë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gjykata e Apelit të Tiranës, e cila ishte e ndarë në dy sektorë, për shkak të numrit të madh të dosjeve që presin të shqyrtohen, si dhe për shkak të numrit të vogël të gjyqtarëve që ka në dispozicion, vendos shkrirjen e Kolegjit Penal dhe të Kolegjit Civil. Që nga e hëna e tutje në këtë gjykatë nuk do të ketë më ndarje mes dosjeve penale dhe civile, për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve, ku nga 31 që duhet të ishin në organikë, kanë mbetur vetëm 13.

Nga Elvis Myrta

Në një shkrim të një muaji më parë, nisur nga situata që po kalon së fundmi sistemi i drejtësisë, pas bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, gazeta “Fjala” paralajmëroi edhe mbylljen e “qepenave”, të gjykatave të apelit në vend. Me përfundimin e pushimeve dhe nisjen e sezonit të ri, sinjali për futjen në kolaps të gjykatave të apelit u dha nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi të mos ketë më Kolegj Civil dhe Kolegj Penal.

Shkarkimi nga vetingu i gjyqtarëve të Apelit mund t’i fusë në kolaps këto institucione, duke krijuar një kaos të madh, pasi zëvëndësimi i këtyre gjyqtarëve do të dojë një kohë të gjatë, dhe qytetarët mund të mbeten për shumë kohë pa marrë zgjidhje. Momentalisht Gjykata e Apelit të Tiranës ka mbetur me vetëm 13 gjyqtarë, nga 31 që duhet të ketë. Numri i dosjeve për t’u shqyrtuar është mjaft i lartë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, i cili është një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë në vend.

Janë mbi 13 mijë dosje që presin të shqyrtohen, numër ky shumë i lartë, krahasuar me numrin e gjyqtarëve që ka aktualisht në dispozicion ky institucion. Duke qenë se numri i dosjeve për t’u shqyrtyar është kaq i madh, për t’u dhënë zgjidhje qytetarëve Apeli i kryeqytetit vendosi shkrirjen e dy sektorëve. Në këtë mënyrë, nga e hëna e tutje, një gjyqtar që ka shqyrtuar vetëm çështje civile, tashmë do të shqyrtojë edhe ato penale dhe anasjelltas.

Kjo është një zgjidhje afatshkurtër, për shkak se përpara vetingut, gjatë kësaj periudhe përpara Komisionit të Rivlerësimit do të dalin vetëm gjyqtarët e Apelit. Me shumë gjasë, situata në Gjykatën e Apelit pritet të përkeqësohet edhe më shumë, për shkak se jo të gjithë gjyqtarët kanë kaluar në veting dhe pritet që edhe këtu të krijohet një stok i konsiderueshëm dosjesh të pazgjidhura.

Sipas ligjit, Gjykata e Apelit duhet të ketë në përbërjen e saj 31 gjyqtarë, gati 3 herë më shumë nga sa ka aktualisht në këtë institucion. Vendimet e Apelit janë të një rëndësie të veçantë, për shkak se janë të formës së prerë. Ndërkohë që, nëse ka vendime që nuk merren në kohë, personat e dyshuar për krime dhe të arrestuar mund të dalin të lirë, për shkak të mbarimit të afateve.

Gjyqtarët e Apelit të shkarkuar nga vetingu

Gjykatat e apelit në vend u futën në ngërç, pasi puna e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit gjatë muajve maj, qershor dhe korrik u fokusua te gjyqtarët e këtyre gjykatave, ku shumica prej tyre nuk mundën t’i kalojnë filtrat e vetingut. Gjatë këtyre tre muajve ishin 8 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Tiranës, të cilët mbetën në “klasë”, për shkak se nuk i justifikonin burimet e pasurisë. I pari që u përball me vetingun nga togat e zeza të Apelit të kryeqytetit ishte Andi Civici.

Lexo edhe :  Kreu i KQZ, apel partive politike: Respektoni ligjin për të dhënat personale

Më 4 mars të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra, pasi nuk i justifikonte të ardhurat. Komisioni hetoi pasurinë kryesore të gjyqtarit, një apartament me vlerë 155 mijë euro, të blerë në vitin 2011, në Tiranë, me burim shitjen e një apartamenti në Vlorë dhe një hua prej 40 mijë eurosh nga vjehrri. Gjatë seancës dëgjimore Civici akuzoi trupën gjykuese për mungesë paanshmërie, ku dha si argument pasjen si shoqe klase të njërit prej anëtarëve. Tri ditë më pas radhën për t’u përjashtuar nga sistemi i drejtësisë e pati gjyqtari Fatri Islamaj. Sipas KPK-së gjyqtari nuk e justfikonte dot pasurinë.

Relatorja Valbona Sanxhaktari dhe anëtarja Pamela Qirko ranë dakord ta shkarkonin Islamajn, për deklarim të pamjaftueshëm mbi një apartament të blerë nga i ati për 65 mijë euro në vitin 2010, duke arsyetuar se babai nuk kishte pasur burime të ligjshme dhe se apartamenti ishte përdorur vetëm nga gjyqtari, duke nënkuptuar mundësinë e një pasurie të fshehur. Në 18 qershor Komisioni i Rivlerësimit shkarkoi nga detyra gjyqtaren Fatmira Hajdari. Shkarkimi i saj u bë pas problemeve që ky komision gjeti në lidhje me pasurinë e gjyqtares. Gjithashtu, një tjetër shkelje ishte dhe mosdeklarimi i revokimit të dy vizave amerikane në kriterin e figurës.

Vetë Hajdari, pas seancës e konsideroi të pritshëm vendimin për shkarkimin e saj nga detyra, ndërsa avokati i saj, Maks Haxhia, aludoi se “KPK-ja po pastronte me lista”. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi të premten e kaluar nga detyra gjyqtaren e Apelit Shpresa Beçaj, pasi nuk ka dorëzuar deklaratat e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës për procesin e vetingut. Ditët e para të korrikut, një tjetër gjyqtare do të dilte jashtë sistemit të drejtësisë. Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pohoi se zonja Beçaj nuk i ka paraqitur tri deklaratat kryesore për procesin e vetingut, atë të pasurisë, atë të figurës dhe atë të anës profesionale. KPK-ja argumetoi se mosparaqitja e këtyre deklaratave sjell humbjen e statusit të gjyqtares dhe komisioni nuk mund t’i vazhdojë hetimet ndaj Beçajt.

Një javë më pas gjyqtari i radhës që nuk do t’i kalonte filtrat e vetingut ishte Hysni Demiraj. Ai nuk arriti ta bindte trupën gjykuese të komisionerëve për pasuritë e tij, për vendimet që ka dhënë gjatë punës si gjyqtar, pavarësisht se ai i kundërshtoi të gjitha gjetjet që kishte përgatitur trupa gjykuese e komisionerëve. Gjithashtu, gjatë këtij viti Kolegji i Posaçëm të Apelimit vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Fatos Qato. Qatoja u shkarkua nga KPK-ja, pasi nuk arriti një nivel të besueshëm lidhur me kriterin e pasurisë. Sipas komisionit, ish-gjyqtari nuk ia doli të justifikonte shpenzime në vlerë 5,4 milionë lekë.

Një gjyqtar tjetër që u shkarkua me vendim të formës së prerë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ishte edhe Ervin Metalla. Vendimi u dha nga trupa gjykuese Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj. Në vendimin për shkarkimin e tij kolegji argumentoi se janë gjetur probleme në lidhje me pasurinë e gjyqtarit. Organet e vetingut gjatë vlerësimit për tri kriteret e gjyqtarit Metalla, konstatuan se ai kishte nënshkruar kontrata fiktive dhe kishte përfituar kredi të butë në shkelje të ligjit. /Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Berisha zbulon detajet udhëtimin në Berlin: Në Gjermani presin me padurim fitoren e PD-së

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zbuloi detaje nga udhëtimi në Berlin. Ai u shpreh se në Gjermani presin me...

Disa tërmete godasin Napolin në zonën pranë vullkanit

Zona përreth qytetit jugor italian të Napolit u godit nga disa tërmete sot në mëngjes, njoftoi Instituti Kombëtar për Gjeofizikën dhe Vullkanologjinë (INGV). INGV tha...

Çela takon Prodën, masa për hetimin e shpejtë të krimeve zgjedhore

Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela është takuar ditën e sotme me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela...

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, sanksionet deri në 10 milionë euro

Ligji i ri “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” përcakton rregullat për mbrojtjen e personave fizikë në lidhje me përpunimin e të dhënave personale...

Kjo është Zonja e parë e re e Sirisë, por çfarë dihet deri më tani për të?

Latifa al-Daroubi është zonja e re e parë e Sirisë, ajo është bashkëshortja e Ahmed al-Sharaa, presidenti i përkohshëm i Sirisë pas rrëzimit të...

Lajme të tjera

Web TV