Ai mbetet një prej emrave më të rëndësishëm në panteonin e vlerave të trashëgimisë botërore. Luciano Pavarotti humbi jetën fillimshtatorin e vitit 2007, duke lënë pas një zbrazëti të madhe.
Rreth orës pesë të mëngjesit të 6 shtatorit 2007, ka mbyllur sytë në shtëpinë e tij në Modena të Italisë, pas një beteje të gjatë me kancerin, legjenda e zërit operistik.
Këngëtari i famshëm megjithëse i ishte nënshtruar trajtimeve të specializuara, asnjë deklaratë nuk ishte bërë publike për gjendjen e tij shëndetësore, deri kur ai u nda nga jeta. Lajmin e bëri të ditur menaxheri i tij, Terri Robson, i cili u shpreh: Maestro luftoi për një kohë të gjatë kundër kancerit të pankreasit, që në fund i mori jetën.
I adhuruar për aftësinë e të bërit spektakël, Pavarotti ishte i adhuruar më së shumti për mrekullinë që ishte zëri i tij. Placido Domingo, partneri muzikor dhe miku i tij u shpreh pas lajmit të vdekjes së Pavarott-it: “E kam adhuruar gjithnjë madhështinë që Zoti i kishte dhuruar zërit të tij, atë timbër të veçantë e të pagabueshëm që kapte çdo notë që një tenor mund të kapë”.
Pavarotti u shfaq për herë të fundit në një skenë të madhe dimrin e vitit 2006, me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore të Torino, ku këndoi arien e famshme “Nessun dorma”, me turmën që i shërbeu si kor, dhe që në fund e duartrokiti fuqishëm. Ka.Li/fjala.al