Disa njerëz braktisin jetën, punën, shtëpitë dhe familjet e tyre. Në Japoni, ka kompani që u vijnë në ndihmë të gjithë atyre që vendosin një ditë ta hedhin këtë hap.
Përgati Alessia Selimi
Në të gjithë botën, nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Britania, disa njerëz zhduken pa lënë gjurmë – duke lënë shtëpitë, punën dhe familjet e tyre në mes të natës, për të filluar një jetë të dytë, shpesh pa parë ndonjëherë mbrapa. Në Japoni, këta njerëz ndonjëherë quhen “jouhatsu”. Kjo është fjala japoneze për “avullim”, por gjithashtu u referohet njerëzve që zhduken me qëllim në ajër të hollë dhe vazhdojnë ta fshehin vendndodhjen e tyre – potencialisht për vite, madje edhe dekada. “Jam ngopur me marrëdhëniet njerëzore. Mora një valixhe të vogël dhe u zhduka”, thotë 42-vjeçari Sugimoto.
“Thjesht shpëtova!” Ai thotë se përsëri në vendlindjen e tij të vogël të gjithë e njihnin atë, për shkak të familjes së tij dhe biznesit të tyre të shquar lokal, të cilin Sugimoto pritej të vazhdonte. Por, pasi ai rol i ngulitur mbi të i shkaktoi një shqetësim të tillë, ai papritmas u largua nga qyteti përgjithmonë dhe nuk i tregoi askujt se ku po shkonte. Nga borxhi i pashmangshëm te martesat pa dashuri, motivet që shtyjnë “jouhatsu-t” të avullojnë mund të ndryshojnë. Pavarësisht nga arsyet, ata u drejtohen kompanive që i ndihmojnë gjatë procesit. Këto operacione quhen “shërbime lëvizëse gjatë natës”, një lëvizje e natyrshme e fshehtë e të bërit “jouhatsu-n”.
Ata ndihmojnë njerëzit që duan të zhduken në mënyrë diskrete dhe mund të sigurojnë strehim për ta në një vendndodhje të fshehtë. “Normalisht, arsyeja për të lëvizur është diçka pozitive, si hyrja në universitet, marrja e një pune të re ose martesa. Por ka edhe lëvizje të trishtueshme – për shembull, si braktisja e universitetit, humbja e një pune ose arratisja nga një përndjekës”, thotë Sho Hatori, i cili themeloi një kompani lëvizëse natën në vitet ’90, kur shpërtheu fluska ekonomike e Japonisë. Në fillim, ai mendoi se shkatërrimi financiar do të ishte e vetmja gjë që i shtynte njerëzit të largoheshin nga jeta e tyre e trazuar, por shpejt zbuloi se kishte edhe “arsye shoqërore”. “Donim thjesht t’i mbështesnim njerëzit për të filluar një jetë të dytë”, thotë ai.
Sociologu Hiroki Nakamori ka hulumtuar rreth termit “jouhatsu” për më shumë se një dekadë. Ai thotë se “jouhatsu” filloi të përdorej për herë të parë për të përshkruar njerëzit që vendosën të zhdukeshin në vitet ’60. Shkalla e divorcit ishte (dhe ende është) shumë e ulët në Japoni, kështu që disa njerëz vendosën se ishte më lehtë të ngriheshin dhe t’i linin bashkëshortet e tyre, në vend që të kalonin nëpër procedurat e hollësishme zyrtare të divorcit. “Në Japoni, është thjesht më e lehtë të zhdukesh”, thotë Nakamori. Privatësia është e mbrojtur rreptësisht: personat e zhdukur mund të tërheqin para lehtësisht nga ATM-të dhe anëtarët e familjes së tyre nuk mund të kenë qasje në videot e sigurisë. “Policia nuk ndërhyn, nëse nuk ka ndonjë arsye tjetër – si një krim apo aksident. E vetmja gjë që familja mund të bëjë është të paguajë një shumë të majme parash për një detektiv privat.”
“U shokova”
Për të dashurit që mbeten pas, braktisja dhe kërkimi i vazhdueshëm i “jouhatsu-ve” mund të jetë e padurueshme. “Unë isha e tronditur”, thotë një grua që dëshiron të mbetet anonime, kur përmend djalin e saj 22-vjeçar. “Ai dha dy herë dorëheqjen nga puna. Duhet të jetë ndier i mjeruar me dështimin e tij.” Ndonëse ajo iu drejtua vendit ku ai jetonte, lokaleve që frekuentonte dhe më pas priti ditë me radhë në makinën e saj, për të parë nëse do të shfaqej, 22-vjeçari kurrë nuk e bëri këtë gjë. Gruaja thotë se policia nuk ka qenë e dobishme dhe shton se i është thënë se mund të përfshiheshin vetëm nëse do të bëhej fjalë për një vetëvrasje të dyshuar.
“E kuptoj që ka ndjekës – informacioni mund të keqpërdoret. Ky është një ligj i domosdoshëm, mbase. Por kriminelët, ndjekësit dhe prindërit që nuk mund të kërkojnë fëmijët e tyre? Të gjithë ata trajtohen në të njëjtën mënyrë, për shkak të mbrojtjes. Çfarë është kjo?”– shprehet ajo. “Me ligjin aktual, pa para, gjithçka që mund të bëj është të kontrolloj, nëse një trup i vdekur është djali im.”
Të zhdukurit
Ndjenjat e trishtimit dhe pendimit qëndrojnë me “jouhatsut-t” shumë kohë pasi lënë jetën e tyre prapa. “Unë vazhdimisht kam një ndjenjë se kam bërë diçka të gabuar”, thotë Sugimoto, biznesmeni që la gruan dhe fëmijët e tij në një qytet të vogël. “Unë nuk i kam parë fëmijët e mi për një vit. U thashë atyre se jam në një udhëtim pune.” Pendimi i tij i vetëm, thotë Sugimoto, ishte largimi nga ata. Aktualisht, Sugimoto po qëndron në një shtëpi të vendosur në një lagje rezidenciale të Tokios. Kompania lëvizëse gjatë natës që po strehon atë, drejtohet nga një grua e quajtur Saita.
Ajo ishte vetë një “jouhatsu”, e cila u zhduk 17 vite më pare, pasi ishte në një marrëdhënie fizikisht abuzive. “Në një farë mënyre, unë jam një person i zhdukur edhe tani”, thotë Saita. “Unë kam lloje të ndryshme klientësh”, vazhdon ajo. “Ka njerëz që ikin nga dhuna serioze në familje ose egoja dhe interesi vetjak. Unë nuk gjykoj. Unë kurrë nuk them: Çështja juaj nuk është mjaft serioze. Të gjithë kanë luftën e tyre individuale.” Për njerëz si Sugimoto, kompania e saj ndihmoi në adresimin e luftërave të brendshme. Por edhe pse Sugimoto arriti të zhdukej, përndjekja e së shkuarës është e pashmangshme. “Vetëm djali im i parë e di të vërtetën. Ai është 13 vjeç”, thotë Sugimoto. “Fjalët që nuk do t’i harroj kurrë janë: Ajo që babai vendosi, është vetëm jeta e tij, dhe këtë nuk mund ta ndryshoj. Tingëllon më i pjekur se unë, apo jo?”
*Kjo pjesë është bazohet në videon BBC Reel, të prodhuar nga Andreas Hartman, dhe është një kthim në tekst i pjesës së radios për serinë Rulebreakers nga Shërbimi Botëror i BBC, në bashkëpunim me Institutin Sundance. Përshtatur nga Bryan Lufkin.