https://youtu.be/TnVEVjxN2dI
Mazhoranca zien jo vetëm nga nisja e fushatës elektorale, por edhe tronditja nga lajmi që qarkullon për një ndryshim të kabinetit qeveritar, shtatë muaj para zgjedhjeve. Rama, në dilemën e lëvizjeve rrënjësore dhe mbajtjes së boshtit të qeverisë. Ministrat që nuk përligjën pritshmëritë dhe të tjerët që mund ta pësojnë se nuk po u binden urdhrave apo janë apatikë në performancë.
Nga Sebi Alla
Në mandatin e dytë qeverisës dhe shtatë muaj para zgjedhjeve, kryeministri Edi Rama duhet të krijojë kauza të reja, ose më shumë se tri të tilla, për të kërkuar një mandat të tretë. Vetë Rama, pavarësisht stekës së ngritur lart, në kërkesën për të siguruar 74 mandate në zgjedhjet e vitit 2021, është i ndërgjegjshëm se për t’u mundësuar kjo duhet të ndryshojë shumë gjëra. Kohë për lëvizje të forta nuk ka, por mund të bëjë më të thjeshtën e mundshme, rikompozimin e kabinetit qeveritar, ku disa duhet të ikin dhe të tjerë, qoftë edhe me një vërejtje ultimative, do ta mbajnë postin që kanë. Në analizën më të thellë, çfarëdo emrash të largojë apo afrojë, nuk do të ndryshonin thelbin e qeverisjes, por një mesazh jepet, si për ata bashkëpunëtorë që kanë vegjetuar me pushtetin deri tani, ashtu edhe për elektoratin.
Vetë Rama e ka deklaruar se asnjë ministër nuk mund të qëndrojë më shumë se pesë vjet. Cilido të ketë qenë suksesi, rotacioni dhe lëvizjet mund të marrin për mirë. Një pjesë e emrave që sot përfaqësojnë qeverinë nuk kanë krijuar staturë personale, por gjithnjë kanë marrë më shumë nga sa u takon, apo janë aty vetëm në saje të kryeministrit. Këtë situatë Rama nuk do ta zgjasë pafund… Fjala: “Shef, jemi mirë”-në këto momente kryeministri nuk do e dëshironte tia thonte kush nga të tijët. Ai kërkon më shumë se kaq dhe në tetor pritet të ketë ndryshime, duke e nisur me 15 emrat që ka përpara kur drejton mbledhjet, me zëvendëkryeministrin dhe 14 ministrat. Disa mund të ikin edhe për shkak të performacës dhe mbi të gjitha perceptimit publik të krijuar deri më tani, të tjerë mund të bëhen “kurban” i qëndrimit personal të tyre dhe mosbindjes në mënyrë të përunjur të çdo nisme.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe
Nëse do i jepeshin dy forma zgjedhjeje për të kuptuar se ku ndihet më mirë, në qeverisje apo opozitë, Erion Braçe do anonte nga opozitarizmi. Me agresivitet politiki, pa shumë latime në leksik, por i drejtëpërdrejtë dhe i kuptushëm, Braçe mund të quhet edhe si një “Migjen i politikës” që fliste për varfërinë, padrejtësinë apo përbuzjen. Fliste po nuk po flet… Ndoshta kjo është një nga arsyet që atë vend si numri dy i qeverisë e mban me jo pak meritë që nga tetori i vitit 2018. I papërfolur për afera, “gërricës” me nëpunës apo drejtorë që sorollasin qytetarët dhe i pafuqishëm për të ndryshuar shumëçka, numri dy i qeverisë e ka përligjur vendin që mban.
Nëse shihen edhe vendimet e Këshillit të Ministrave, ai ka marrë pjesë në një numër të madh mbledhjesh, duke i drejtuar ato nga kolltuku i Ramës. Ndonëse kurrë nuk mëtoi poste të larta, në momentin kur kryeministri Edi Rama përmendi emrin e tij si zëvendëskryeministër, Braçe u përlot nga emocionet. Ishte koha kur disa qanin nga gëzimi i marrjes së postit dhe të tjerë nga hidhërimi i lënies së tij. Sot Braçe është disi i tërhequr nga jeta publike, janë të rralla daljet publike, ndërsa në Parlament duket se ka hequr dorë nga ai podium që dikur e donte shumë. Ngado të vërtitet rreth këtij emri, Rama duket se nuk do ta vërë kurrë në diskutim largimin e Erion Braçes.
Kjo edhe si lëvizje taktike, pasi është nga të paktët deputetë që krijojnë lidhje të forta me zonën ku janë zgjedhur dhe e ka më të lehtë të takojë një fermer sesa të qëndrojë gjatë në një darkë plot shije, të ofruar nga një biznesmen apo një drejtoruc local, i nginjun nga posti. Gjithashtu, Braçe është kthyer edhe në një pikë lidhjeje mes PS-së tradicionale dhe Rilindjes. Vetëm një vendim drastik për t’i larguar të gjithë, mund të mos e shpëtonte postin e Braçes!
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj
Ata që nuk e njihnin, për herë të parë emin e tij e kaluan nëpër sy në vitin 2012, ku Parlamenti dhe politika, mazhorancë-opozitë, ishin në kërkim të një emri konsensual për presidentin e Republikës. Si një propozim i shkrimtarit të madh Ismail Kadare, gjeneral Sandër Lleshaj për pak kohë mëtoi mes uniformës plot spaleta dhe kostumit shik të kreut të shtetit. Edi Rama, në atë kohë lider i opozitës, e hodhi emrin e tij në tavolinë si kandidat të mundshëm konsensual, por vendosmëria e kryeministrit Sali Berisha bëri që Lleshaj të largohej me shpejtësi si kandidaturë e mundshme. Rama s’e harroi, duke përfituar edhe nga një shkarkim i Lleshajt si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kalimit të tij si “ushtarak rezervë”. Sapo mori detyrën e kryeministrit në vitin 2013, Rama i ofroi pozicionin e këshilltarit të sigurisë, një post që Lleshaj nuk e refuzoi.
Në fund përfitoi edhe nga dorëheqja e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për t’u emëruar në krye të institucionit më të rëndësishëm në vend. Shpejt u vu në shenjestrën e akuzave dhe sulmeve. Kjo u intesifikua gjatë kohës që zhvilloheshin protestat e opozitës dhe përdorimi në masë i gazit lotsjellës për të shpërndarë protestuesit ishte një nga kritikat e forta, pasi në atë “betejë pa humbje”, ata që lotuan më shumë ishin qytetarët… Ndaj Ministrisë së Brendshme është e pamundur të mos lëshohen shigjeta akuzuese dhe kjo është një histori dhe histeri shumëvjeçare mbi këtë institucion. Gjithsesi, Lleshaj nuk është akuzuar për korrupsion, as për lidhje me botën e krimit. Nëse nesër do të ikte nga ajo ministri, gjenerali, tashmë pa spaleta, ka lënë diçka… nuk ka lënë parcela masive me drogë, ndonëse këtë vit ka një tentativë për shtimin e saj.
Politikisht, brenda PS-së Lleshaj nuk ngjiti, ndoshta për “faj” të karakterit të tij dhe askush nuk mund të thotë se Rama e ka ministrin aktual vetëm një “telefonatë larg” për ta kontrolluar këtë institucion aq lehtë. Ministri i Brendshëm u caktua një vit më parë si përfaqësues i Partisë Socialiste në qarkun Lezhë, pa dyshim që kjo do e katapultonte më lehtë në një karrierë më jetëgjatë politike. E shfrytëzoi për disa kohë, por jo për gjatë. Gazeta “Fjala” mëson se Lleshaj ka pasur mosmarrëveshje të hapura me drejtues lokalë në Lezhë, ku veç pushtetit ndahen edhe “sinoret” e influencës, duke nxjerrë në pah personazhe me një të shkuar dhe të tashme të dyshimtë. Ndërmjet “karakterit” dhe votave, shpesh politika ka zgjedhur votat.
Ministri i Brendshëm mund të jetë një nga të larguarit, nëse Rama vendos ta shkundë me themel kabinetin e tij. Por sa për Lleshajn, vlen një frazë e shkurtër, e thënë pak muaj më parë për emisionin “HARD TALK” nga Roland Qafoku. Kur u pyet: “E keni menduar ndonjëherë që mund të largoheni”? Përgjigjja e tij ishte pa përdredhje: -“Patjetër! Me idenë e largimit jam në çdo çast. E zhvilloj jetën time në këtë detyrë në atë mënyrë që kur të largohem, të ndihem i fituar. Dhe do të jem vërtet i fituar, sepse do të fitoj lirinë që nuk e kam sot. Largimi është gjëja më e thjeshtë që do të kem”. Këtë liri është gati ta fitojë, por kryeministri Edi Rama do të bëjë disa llogari për interes jo vetëm elektoral, por moral dhe publik. Ndaj, Lleshaj mbetet në pikëpyetje, jo gjithçka shkon aq vaj mes tij dhe kreut të qeverisë.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka
Në daljen e fundit të saj publik ishte një udhëtim me helikopter nga Tirana drejt Kakavijës, ku ndodheshin mijëra emigrantë të bllokuar në kufi. Pas qëndrimit pak orë atje bëri një ndalesë shlodhjeje në Jug të vendit, buzë detit. Gjeti kohën e papërshtatshme, edhe pse gusht pushimesh. Emri i Olta Xhaçkës së fundmi është në listën e 12 drejtuesve që do të kryesojnë fushatën në qarqet e vendit. I caktuan Dibrën. Një zonë sqimatare, por pa shumë peshë për nga numri i deputetëve që nxjerr si qark. Në disa raste ka marrë vlerësimin publik të kryeministrit, sidomos në kohë përmbytjesh apo zjarresh, ku gjendej shpesh krah ushtarakëve dhe Emergjencave Civile. Pa dyshim që “reklamimin” e pranisë së saj atje e bënte mirë mediatikisht.
Aktualisht, institucioni që drejton ka një dosje hetimore në SPAK, por është mjaft herët të gjykohet jurdikisht për shkelje ose jo, ndaj Xhaçka do të matet politikisht. Ka zgjedhur një miksim mes jetës publike dhe asaj institucionale, por Ministria e Mbrojtjes është shumë më tepër se një “fatkeqësi natyrore” që Xhaçka gjithsesi di ta kthejë në kredite për veten. Dibra do të jetë një provë, por deri atëherë do t’i duhet të kthejë edhe një sy nga posti i ministers. Nëse Rama bën ndryshime, pa dyshim se ministrja nuk e ka vendin të sigurt. Sa për vetë Xhaçkën, do të kënaqej edhe si drejtuese e fushatës elektorale të PS-së në Dibër, pasi mbetet në sistem, cilido të jetë verdikti politik i shqiptarëve më 25 prill të vitit të ardhshëm.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Në kohë kovidiane çdo problem që del ka një epiqendër: Ministrinë e Shëndetësisë. Duke i ngjitur shkallët e karrierës fort ngadalë, Ogerta Manastirliu gëzon vlerësimin e kreut të qeverisë, që më parë e sprovoi kur ishte në Bashkinë Tiranë dhe në fillimin e vitit 2017 e tërhoqi në kabinetin e tij qeveritar, duke i besuar një post shumë të rëndësishëm si drejtimi i shëndetësisë. Për të analizuar sistemin shëndetësor në vend do të duheshin “dimra siberianë”, për më shumë është nga ata sektorë që gjithkush reagon, sepse mbi shëndetin askush nuk vendos askënd.
Manastirliu mbetet gjithashtu një target sulmi nga ana e opozitës, e cila ka dërguar në prokurori dosje të mëdha mbi koncesionet, por shpesh ministrja ka marrë vlerësime publike nga kreu i qeverisë, që me gjasë nuk do të ndryshojë mendim për të, edhe nëse vendos ta shkundë nga themelet kabinetin qeveritar. Ndonëse e mban këtë post që nga viti 2017, dështimi dhe suksesi janë në një vijë të hollë, por krahas vlerësimit personal, edhe për shkak të situatës së pandemisë, Manastirliu ka të drejtë të ndihet disi më e sigurtë në postin e ministers.
Ministrja e Finacave Anila Denaj
Një tekniciene që mori një barrë të rëndë, pikërisht në ditët jo të mira të ekonomisë, por pa e ditur se ditë edhe më të vështira do të vinin. Kur u përmend nga kryeministri Rama si ministrja e re, emri i Anila Denajt nuk thoshte shumë. Megjithatë, sot ajo ka krijuar një staturë të sajën, duke qenë shumë pak mediatike, por e përqendruar në punën e përditshme, për të eliminuar sa më shumë dëmet që vijnë si pasojë e pandemisë, por edhe të tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019. Denaj nuk ka as kohën e mjaftueshme për t’u provuar, por ndonëse drejton Ministrinë e Finacave as sytë “vëzhgues” të opozitës nuk e kanë vënë në qarkun e akuzave, kjo edhe për meritë të saj, si e papërfolur në afera. Në çdo rast, Denaj e ka përligjur atë karrige të rëndë që mban, qoftë edhe me modestinë e saj. Vetëm kaq, më shumë nuk mund të thuhet, sepse teknicienët në shumë raste e kanë të vështirë të bëjnë kompromise të dhimbshme politike.
Ministrja e Arsimit Besa Shahini
Është rasti tipik që kur e di se do të të heqin, sa për “inat” hap fjalë se: “po iki vetë”… Në një nga daljet e fundit ministrja Besa Shahini u shpreh se kishte vendosur të largohej nga jeta politike në Shqipëri për t’u përqendruar në Kosovë, ku ka edhe familjen, duke e argumentuar këtë shkëputje vetëm për shkak të distancës. Në fakt, Prishtina është edhe më afër se Saranda dhe distanca nuk iu shtua teksa ajo mbante postin e ministres… Çështja e saj është edhe më e thjeshtë: Rama humbi bastin për të mbajtur në krye të arsimit Besa Shahinin, në kohën kur ajo “mbartte” edhe dështimin e mëparshëm të ministrisë së Arsimit, e cila u trondit me themel nga protestat e studentëve, në dhjetor të vitit 2018. Shumë ujëra rodhën në atë dikaster, por kupa u mbush dhe u derdh me provimet e maturantëve. Testi i letërsisë pati debate të forta për mënyrën e hartimit dhe pyetjeve që shfaqeshin në të. Për shumë kohë u thurën edhe barsoleta dhe, pa dyshim që u prek imazhi.
Kur preket imazhi, Rama nuk bën kompromis… Ministrja Besa Shahini, edhe nëse nuk do të ikte vetë, pa dyshim që do të ishte në listë e para për t’u shkarkuar nga Rama. Ndoshta edhe jo shumë për faj të saj apo për çështje njohurish dhe sjelljeje, Shahini nuk mundi të linte një gjurmë, nëse do kërkohet ndonjë e tillë, fatkeqësisht është negative, ndonëse është institucion që në një lloj mënyrë mbetet A-ja e së ardhmes së vendit, sepse i thonë arsim. Erdhi dhe iku!
Ministri i Diasporës Pandeli Majko
Rama bëri një miksim dhe emri i Pandeli Majkos më shumë se një vlerësim ishte një mënyrë për t’i dhënë “aromë PS-je” kabinetit të tij. Ish-kryeministër dhe ministër, Pandeli Majko pranoi një post honorifik, si Ministria e Disaporës, duke drejtuar një grusht njerëzish që disporën e kanë të vështirë ta shohin që nga Tirana… Mjaft rrallë Majko shfaqet në publik, por edhe kur duket për ndonjë fushatë elektorale, me dëshirë bëhet objekt batutash i kryeministrit Edi Rama. Për nga statura, por edhe barra që dikur mbante, Majko ka pasur edhe kundërshti me kryeministrin Rama, por pa e kaluar asnjëherë cakun dhe ato “fërkime” janë mbyllur pa shkuar shumë orë. Ndoshta posti ministror, qoftë edhe honorifik, është mënyra më e mirë për të mbetur në politikë, pavarësisht kohës që ecën. Rama gjithashtu nuk mund të luajë rëndë duke e shkarkuar Majkon, pasi mbetet një figurë që tradicianalët socialistë, mirë apo keq, e duan ta kenë, ashtu vërdallë… Me shumë gjasë nuk rrezikon largimin!
Ministrja e Shtetit Elisa Spiropali
Si qarku më i madh në vend, Tirana kërkonte jo një, por tre emra që do të drejtojnë fushatën. Ministres Elisa Spiropali i është lënë Tirana rurale për fushatë. Sa do t’i ngjisë fjala para katundarëve që mbajnë në duar bishtin e kazmës, kjo mbetet për t’u parë, por Spiropalit më së paku do t’i duhet të ndryshojë formë komunikimi, pasi sipas vendit, duhet bërë kuvendi. Edhe ajo mbetet me një sy pas, nëse kryeministri vendos të ndryshojë kabinetin, qoftë edhe vetëm shtatë muaj para zgjedhjeve. Gjithsesi, një siguri e ka që mund të mos preket, pasi vetë ministria që drejton nuk mban peshë publike apo politike.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku
Largimi i Damian Gjinurit në dhjetor të vitit 2018 solli në vendin e tij një emër që vinte nga drejtoritë e kësaj ministrie, Belinda Ballukun. E konsideruar si “shtriga” me një lloj përkëdhelie, pasi njihet për karakterin impulsiv për të vënë në lëvizje vartësit, Balluku gjithnjë e më shumë po e sheh veten krah kryeministrit. Është pjesë taktike e fushatës elektorale, pasi kudo që ka qoftë edhe një skrep që hap një trase rruge nevojitet edhe një imazh televiziv dhe mediatik për investimin. Në ditët e sotme duket se Ballukut i shërben më shumë hapja e letrave për të parë investimet që po kryhen sesa të vërë në pikëpyetje qëndrimin ose jo të saj në krye të ministrisë. Dy karta të forta ajo i ka në duar. Së pari, nuk është personazh i cili mund t’u thotë jo kërkesave të kryeministrit që lidhen me punën e ministrisë dhe, së dyti, tenton të qeverisë “me dorë të hekurt” ndaj vartësve të saj, që në situatën aktuale nuk është ndonjë mëkat.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti
Të flasësh sot për kulturë për atë që po kalon vendi, për fat të keq, duket luks. Ministrja Elva Margariti tentoi të lërë shenjë në punën e saj, por qoftë edhe për shkak të rrethanave, ndërhyrjet e saj ishin thjesht kozmetike, pa mundësuar një tjetër qasje nga paraardhësit. Në rast të rikompozimit të qeverisë, ministrja e Kulturës nuk preket për “punë të keqe”, vetëm nëse ai post do të shërbejë si trampolinë për një personazh që kryeministri e mendon ta ketë në vijim, atëherë emri i saj mund të jetë i shkruar me laps…
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi
Për nga rëndësia si ministri ajo duhet të ishte ndër radhët e para, por nga realiteti, nuk duket se ka atë mbështetje me fonde dhe strategji ekonomike. Ministri Blendi Çuçi, gjithsesi, ka ditur të ruajë profilin e tij modest dhe, pa dyshim që në politikën agresive tonën kjo është një meritë individuale. I paanatemuar, madje edhe i veçuar tërësisht nga akuzat e opozitës, Çuçi vijon i qetë detyrën e tij si minister, duke mos mbartur as akuza për korrupsion, apo afera që në një mënyrë apo tjetër ngjisin në publik. Së fundmi, ai është caktuar si drejtues i fushatës së PS-së në qarkun Gjirokastër dhe ky mbetet besim i shtuar nga ana e kryeministrit. Çuçi, për momentin, as që e mendon rrezikun.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj
Mban një barrë mbi supe, sepse Reforma në Drejtësi, qoftë edhe në mënyrë të kufizuar nga ndryshimet ligjore, e bën një rrugë nga ministria e drejtuar prej Etilda Gjonajt. Shumëçka mund të vihet në diskutim sa herë përmendet drejtësia. E ardhur si një prurje nga pjesa tekniciene, Gjonaj mundi shpejt të krijonte profilin e saj, por në rast të një ndryshimi radikal, posti që mban mund t’i vihet në rrezik, por para se të vendosë Rama duket se do të mendohet gjatë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi
Futet ndër më jetëgjatët në krye të Ministrisë së Turizmit. Shpesh e ka parë veten të lëvizë nëpër zonat turistike, por më shumë se promovim turizmi kërkohet strategji, që nuk varen tërësisht prej tij. Së fundmi është deleguar për drejtimin e fushatës në qarkun Berat, një zonë që e njeh mirë dhe në një lloj forme përligj edhe besimin e strukturave atje, duke qenë i gjithëpranueshëm. Vetëm koha e gjatë në krye të ministrisë mund ta penalizojë, por në rastin Klosi kryeministri Rama mund të bëjë përjashtim, duke e mbajtur pa drojë edhe këta muaj të mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi
Në bashki, në qeveri, në parti, Eduard Shalsi është apo aty. Pret momentin dhe më pas shfaqet sa herë thirret. Mban postin e një ministrie që sot është në hall, sa herë bëhet fjalë për sipërmarrrje të mëdha që vijnë nga jashtë, por gjithsesi mbetet një pritës-përcjellës i problemeve të sipërmarrjes me strukturat drejtuese të shtetit. Nëse kompozohet një qeveri e re dhe nevojitet një vend për dike, për një qëllim, Shalsi s’e ka të vështirë ta lërë atë post, por edhe Rama aspak të vështirë për ta lëvizuar, sepse po brenda oazës së subjektit do të jetë.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj
Drejtoi financat për një kohë të gjatë, një nga të besuarit e kryeministrit Edi Rama, ku sa herë shfaqet me të, buzëqeshjen e stampon vetishëm. Sot është ministër Shteti për Rindërtim, një dikaster i ri, i krijuar pas fatkeqësisë natyrore të tërmetit të 26 nëntorit. I anatemuar shumë nga opozita, me akuza të panumërta, por në vend të reagimit të përflaktë shpesh zgjedh heshtjen. Gëzon mbështetjen e kryeministrit dhe për aq kohë sa edhe çështja e rindërtimit është pjesë e pandashme e fushatës, Ahmetaj duket se nuk do të preket. /Ra.My.Fjala,al/