“Listat e mbyllura pengesë”, Balla: Vota s’mund t’u besohet më politikanëve që tradhtojnë zgjedhësit e tyre

Në kuadër të takimeve organizative dhe parapërgatitore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla mori pjesë në Asamblenë Socialiste të Cërrikut.

Në fjalën e tij Balla u shpreh se shqiptarët në Zgjedhjet e 25 Prillit 2021, përmes ndryshimeve kushtetuese, ju garantua e drejta për të zgjedhur qoftë forcën politike të cilës duan t’i besojnë qeverisjen e vendit, por gjithashtu të japin preferencën e tyre për deputetin që duan në Kuvend.

“Është fakt i pakundërshtueshëm se listat e mbyllura kanë penguar fuqizimin e ndikimit të votuesve në përzgjedhjen e kandidatëve dhe kufizimin e arsyeshëm të fuqisë së udhëheqjes apo të kryetarit të partisë në përcaktimin e deputetëve. Listat e mbyllura ishin pengesë për përfaqësimin më të mirë të komuniteteve në parlament dhe lehtësimin e ndikimit të grupimeve partiake mbi komunitetet kur vjen puna te zgjedhja e individëve.

Jam shumë krenar që edhe në këtë vendim të rëndësishëm Partia Socialiste, si gjithmonë, u vendos në anën e duhur të historisë, të zhvillimit demokratik dhe të përsosjes së plurarizmit dhe në anën e duhur të popullit shqiptar, të zgjedhësve shqiptarë, të cilëve me këtë votë ne u japim mundësinë të zgjedhin, jo vetëm partinë, por dhe deputetin që duan”, tha Balla.

Sipas Ballës, vota është ushtrim i autoritetit të sovranit. “Gjatë këtij mandati të Kuvendit, 18 muaj më parë deputetë të PD dhe LSI tradhtuan mandatet që u kish dhënë popullit, për hir të një maskarade politike të pashoqe në historinë e vendeve demokratike. Këta soj politikanësh që tradhtojnë zgjedhësit e tyre, nuk mund tu besohet më vota. Politikanë që e shohin territorin nga foltorja e selisë së partisë, duke tradhtuar zgjedhësit me agjendën dritëshkurtër partiake.

Lexo edhe :  Verërat shqiptare drejt BE, miratohen certifikatat e reja

Këtu në Cërrik, në nëntë vitet e fundit ka qeverisur katër vite PD dhe më pas katër LSI. 8 vite të humbura, me një qeverisje vendore të pa-aftë dhe të korruptuar. Prej 30 Qershorit 2019 bashkia ju kthye njerëzve, popullit të Cërrikut dhe ne duhet t’i qëndrojmë besnikë pritshmërive të njerëzve. Edhe pse në vështirësitë e tërmetit dhe pandemisë, Cërriku po merr shumë investime të rëndësishme publike infrastrukturore si në ujësjellës, rrjeti i energjisë elektrike, shkolla, qendra shëndetësore etj”, deklaroi Balla./Bl.Ba/Fjala.al