Ngjarjet kriminale duket se po i lënë radhën njëra-tjetrës, nga njëri qytet në një tjetër.
Ngjarja e mbrëmjes së djeshme në Durrës, ku si pasojë e disa të shtënave me armë mbetën fillimisht të plagosur babë e bir, si dhe në spital u paraqit edhe një tjetër shtetas i plagosur, është dëshmi e një realiteti të hidhur.
Duket se konflikti i armatosur degjeneroi pas një sherri, ku janë përdorur edhe shkopinj bejsbolli, karrige dhe sende të tjera të forta (siç tregojnë pamjet).
Sipas informacioneve të deritanishme, konflikti ka patur si burim një pronësi të vjetër mes familjeve Tatozi dhe Baboçi.
Mësohet se djali i Armando Baboçit, 19-vjeçari Erald Gjini (i cili ka ndryshuar mbiemrin), ka qëlluar me shkop bejsbolli një nga anëtarët e familjes Tatozi.
Ndërkohë në ndihmë të djalit ka shkuar i ati, 39-vjeçari Armando Baboçi. Palët kanë përdorur leva, karrige dhe sende të tjera të forta.
Më pas, babë e bir kanë marr makinën tip ‘Alfa Romeo’ për t’u larguar, por janë ndjekur nga anëtarët e familjes Tatozi, një prej të cilëve edhe i ka qëlluar.
Babë e bir kanë mbetur të plagosur, por më pas 39-vjeçari Armando Baboçi ka ndërruar jetë në spital.
Policia ka shoqëruar 6 persona të familjes Tatozi, mes të cilëve edhe autorin e dyshuar të ngjarjes./Bl.Ba/Fjala.al