“Jo më dora në xhep, shtetin e ke në shtëpi”, Rama: 92% e shërbimeve do të ofrohen online

Kryeministri Edi Rama ka qenë për një vizitë në ISSH në qytetin e Durrësit. Rama ka deklaruar se nuk ka më arsye që të mbahet radhë, pasi një pjesë e mirë e shërbimeve do të merren online.

Kryeministri ka lajmëruar se E-albania është platformë për të gjitha moshat për të marrë shërbim.

“Jo më dora në xhep, shtetin e ke ne telefon, në shtëpi. E-albania është platformë për të gjitha moshat për të marrë shërbim. Edhe të moshuarit mund të marrin shërbimet online dhe të shmangin ecejaket nëpër rrugë e nëpër shi.

Përpjekja për të mbetur në shtëpi është më e mirë së sa përpjekja për të ardhur e për të qëndruar në radhë. Nëpërmjet shërbimit online, shteti i bën letrat gati për ty. Ata që s’duan ta marrin vesh mos ta marrin vesh, por kush e ka marrë vesh e kupton”, thotë Rama.

Nëpërmjet postimit në rrjetet sociale, Rama shkruan se ISSH ofron online 53 shërbime për qytetarët.

“Durrës – Shmangëm rradhët e gjata dhe sorollatjet e pafundme sa nga një zyrë në tjetrën, prej tre dekadash. Nga janari kur hyri në fazën e zbatimit Revolucioni Digjital e deri në gusht, përmes https://e-albania.al Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka marrë 104,610 aplikime online; gati çerek milioni vajtje – ardhje nëpër sportelet e ISSH janë eliminuar.

Por po të kemi parasysh që për një dokument duheshin mesatarisht 10 vërtetime nga zyra të tjera, vajtje-ardhjet e eliminura janë afro 2.5 milionë!!! Ulja e numrit të vajtje – ardhjeve vazhdon dhe qytetarët duhet të zgjedhin të gjithë rrugën digjitale, për të shmangur sorollatjet e kota!

Në fund të vitit 92% e shërbimeve do të mund të merren pa lëvizur nga shtëpia!!! 13,173 kërkesa për dokumentacionet e nevojshme janë siguruar nga ISSH-së në dobi të qytetarëve përmes e-Albania; mundësia është për shumë më tepër, prandaj drejtohuni tek https://e-albania.al, nga shtëpia, smartfoni juaj ose kompjuteri më i afërt. Kurseni kohë, merrni shërbimin pa kontakt fizik me administratën. ISSH ofron online 53 shërbime”, shkruan Rama./Bl.Ba/Fjala.al

Lexo edhe :  Rama ‘shkund’ Policinë: Syri i Tiranës ka 4-5 kate pa leje, policia shkon…

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/328445478427641/