Dom Shtjefën Kurti/Pushkatimi i priftit katolik që nuk e pranoi akuzën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Zbardhen dokumente të reja nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991. Këtë herë AIDSSH-ja publikon dosjen e dom Shtjefën Kurtit. Profili i mëposhtëm është përfshirë në ekspozitën “E shkuara e pakryer” të zhdukur në diktaturë, bashkëpunim i AIDSSH-së me ICMP-në, IIPP-në dhe gazetaren Fatmira Nikolli, mbështetur nga fondacioni “Konrad Adenauer” Tiranë.

I lumi dom Shtjefën Kurti është vetëm njëri prej klerikëve të krishterë që janë ekzekutuar në komunizëm dhe ende pa varr. I ardhur nga Kosova, më 1930, në shtator 1943, ai lajmëronte Arkipeshkvinë se po pagëzonte hebrenj, me gjasë për t’i shpëtuar nga nazistët, sepse me pagëzimin merrnin emra të rinj e pasaporta shqiptare. U arrestua për herë të parë më 28 tetor 1946, për agjitacion e propagandë dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai kishte refuzuar të shkëputej nga Vatikani dhe e çuan në Burrel, por nuk u dorëzua as mes torturave.

E çuan të hapte varrin e tij, por nuk e pranoi akuzën. E kthyen në qeli, ku natën e Krishtlindjes dëgjohej të thoshte meshën, i përlotur. Dikur e liruan nga burgu. Kishat ishin mbyllur dhe e dërguan në Gurrëz (Milot), ku e lanë të punonte magazinier në kooperativë. U arrestua përsëri më 11 qershor 1970. Gjyqi për të zhvillohej në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godinë e kthyer në vatër kulture pas prishjes së institucioneve të kultit sipas vendimit të diktatorit për të ndaluar besimin fetar. U dënua me vdekje “in odium fidei”, pse pagëzoi ilegalisht një fëmijë. Një ditë të trishtë vjeshte, 20 tetorin e vitit 1971, ai u mor nga qelia dhe u vu para togës së pushkatimit. Kur e pyetën nëse i vinte keq për jetën, tha: “Më vjen keq që po ma merrni ju”. Akuza zyrtare kishte qenë sabotim. Por koha do të hidhte dritë. Në vitin 2011, nipi i tij, Nikolin Kurti, ka mundur të takojë prokurorin që kërkoi dënimin, Hajredin Fugën, dhe gjykatësin që mori vendimin, Jani Vasilin.

Të dy i kanë lënë një ndjesë të shkruar me dorë, për çfarë ka ndodhur me meshtarin. Nikolin Kurti i ka botuar letrat në janar 2019, duke respektuar dëshirën e Fugës e Vasilit që letrat të publikoheshin pas vdekjes së tyre. Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke arritur deri në Gjykatën Kushtetuese. Në letrën e tij të ndjesës, prokurori Fuga ka thënë se çështja për dom Shtjefnin pati nisur me pak drithë të vjedhur në kooperativë, derisa në të përfshinë edhe emrin e priftit. Në letër ai vëren se atë kohë çështja iu hoq Krujës dhe e mori Ministria e Brendshme, por shtonte se, sipas vartësit të tij, që kishte qenë i pranishëm, ekzekutimi ishte bërë natën. Vetë Fuga nuk kishte dijeni për të dhëna që mund të ndihmonin në gjetjen e eshtrave.

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar së fundmi procesverbalin mbi “ekzekutimin e Shtjefën Jak Kurtit”, ku thuhet se “mbas fjalës së fundit u krye ekzekutimi dhe mbasi u konstatua nga mjeku Asim Ylli se kishte vdekur, u veprua sipas autorizimit përkatës, duke iu dhënë rezultati Dr. Asim Yllit/ nënshkruar nga Kote, Suli, Lalmi dhe Ylli”. Termi “rezultat” që i jepet doktor Asim Yllit, nënkupton që trupi i pajetë i është dhënë njërit prej mjekëve që rezulton edhe në raste të tjera të ketë tërhequr trupa të pajetë të dënuarish për nevoja të Fakultetit të Mjekësisë, në mësimin e lëndës së anatomisë. Dervishi thotë se “për ndonjë rast, kam dyshime se mund të jetë varrosur në parcelën e spitalit të burgut në Tufinë, aty ku janë varrosur edhe ata që vdisnin gjatë vuajtjes së dënimit në Tiranë”

Nikolin Kurti:

Ndjesa e prokurorit dhe e gjyqtarit komunist për xhaxhain tim të pushkatuar

Duhet të ketë qenë shumë i vështirë për Hajredin Fugën mëngjesi i datës 2 qershor 2011, kur një person me emrin Nikolin Kurti i kërkonte një takim, duke i dhënë edhe arsyen përse e kërkonte këtë takim. Kishte të bënte me një ngjarje shumë të rëndë, që lidhej me të shkuarën e Hajredin Fugës, prokuror në kohën e diktaturës komuniste. Të njëjtin takim, Nikolini i kërkoi dhe gjyqtarit Jani Vasili. Nikolin Kurti kishte 20 vjet që kërkonte eshtrat e xhaxhait të tij, dom Shtjefën Kurti, i pushkatuar në vitin 1971. Gjurmët e kërkimit e kishin çuar prej kohësh te procesi gjyqësor ndaj dom Shtjefën Kurtit, atje ku kishte qenë prokuror Hajredin Fuga e gjykatës Jani Vasili. Nikolini kishte vendosur t’i takonte për të mësuar detaje të gjyqit ku u dënua me pushkatim padrejtësisht, xhaxhai i tij, dom Shtjefën Kurti.

Hajredin Fuga dhe Jani Vasili kanë ndërruar jetë pak vite më parë. Pas rënies së sistemit komunist ata vazhduan karrierën e tyre në sistemin e drejtësisë, duke kapur majat deri në Gjykatën Kushtetuese. Për të respektuar marrëveshjen me ta, Nikolin Kurti nuk i botoi dy letrat e tyre për sa kohë ata ishin gjallë. Letra e Hajredin Fugës dhe e Jani Vasilit, me ndjesën që i kërkojnë nipit të viktimës së tyre, u botua për herë të parë në Kujto.al, me lejen e Nikolin Kurtit, nipit të dom Shtjefën Kurtit.

Takimi me prokurorin

“E mora në telefon dhe iu prezantova. I thashë dua të të takoj për çështjen e pushkatimit të dom Shtjefën Kurtit. Jam nipi i tij. M’u përgjigj pozitivisht. Më tha po, mund të takohemi dhe lamë një vend takimi. Ishte data 2 qershor. Shkova në vendin ku e kishim lënë të takoheshim dhe po e prisja. Erdhi 10 minuta pasi kisha mbërritur unë. U ngrita në këmbë. I thashë uluni… ai më tha: “Para se të ulem, dua të kërkoj të falur për dom Shtjefnin. Dua të kërkoj një ndjesë që nuk munda ta bëj ndaj dom Shtjefnit, prindërve të tij dhe gjithë ju familjarëve!” I thashë se e pranoj ndjesën. Pastaj u ul. Kisha marrë me vete dokumentin ku paraqitej kërkesa e tij si prokuror i çështjes, drejtuar gjykatës për pushkatimin e dom Shtjefën Kurtit. E pa dhe më tha menjëherë: “Është e vërtetë, është shkresa që unë kam shkruar… Por ashtu ishin kohët… etj”. Pastaj nisi të më flasë për detaje të gjyqit, falsifikimin e të gjitha akuzave, përmes të cilave u dënua me pushkatim xhaxhai im, dom Shtjefën Kurti.

Lexo edhe :  Berisha në Durrës/ Nëse s'e ndalojmë shpopullimin masiv, për 20 vite nuk do mbesë njeri

I kërkova të më bënte një nder: të gjitha çfarë po më thoshte, t’i shkruante në një letër me shkrim dore, jo me kompjuter. Më tha menjëherë Po! “Por duhet të më japësh pak ditë kohë dhe unë do ta shkruaj dhe do ta sjell”. Pas pesë a gjashtë ditësh më mori në telefon dhe më tha: E kam gati. U takuam sërish. E pashë që e kishte shkruar me detaje. Më kërkoi që të mos e bëja publike për sa kohë të ishte gjallë. “Jam i moshuar, i lodhur dhe i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin që mund të bëhet në media për këtë gjë”. I dhashë fjalën që nuk do ta botoj për sa kohë ishte gjallë. Unë e mbajta fjalën dhe nuk e botova. Tani kam vendosur ta publikoj letrën e tij dhe të Jani Vasilit, në një libër për jetën e dom Shtjefën Kurtit.

 

Letra

“Në takimin e parë të datës 2 qershor 2011, unë të shpreha keqardhjen time të thellë, për gjithçka ndodhi në Shqipëri, në periudhën e regjimit komunist ndaj qindra e mijëra shqiptarëve, përfshirë dhe rastin konkret, të cilët u persekutuan dhe u martirizuan vetëm e vetëm pse u përpoqën dhe luftuan për lirinë e mendimit dhe të fjalës së lirë. Unë e kam ndier dhe e ndiej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur. Duke lexuar, brenda dy ditëve, njërin nga librat që më dhuruat, unë munda të njihem realisht me figurën e shquar të dom Shtjefnit, si patriot, atdhetar, personalitet dhe luftëtar i paepur për çështjen kombëtare, për arsimin dhe gjuhën e vendit tonë. Ju përgëzoj për atë punë të lavdërueshme që keni bërë për njohjen dhe përjetësimin e figurës së këtij martiri. Këtë e them me sinqeritet dhe të më besoni. Kanë kaluar diçka më shumë se dyzet vjet; në largësinë e viteve do të përpiqem të jem i saktë në kujtesën time….”, është ky fillimi i një letre të gjatë të Hajredin Fugës për nipin e dom Shtjefën Kurtit, për të cilin dikur, kishte kërkuar dënimin me pushkatim. Në letër, sqaron detaje të rëndësishme, ku vërtetohet falsiteti me të cilin diktatura vriste njerëz të pafajshëm. Në fund të letrës, ish-prokurori i çështjes së dom Shtjefën Kurtit, i kërkon nipit të viktimës së tij të mbeten miq për jetë. Në atë kohë, Hajredin Fuga po mbyllte një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë në Shqipërinë postkomuniste. Kishte qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

 

Takimi me gjykatësin

Jani Vasili ishte caktuar nga regjimi për të drejtuar seancën gjyqësore ndaj dom Shtjefën Kurtit, për të cilin prokuroria kishte kërkuar dënim me pushkatim. Gjyqi zhvillohej në kishën e Zojës së Këshillit të Mirë në Gurrëz, godina e kthyer në vatër kulture pas prishjes së institucioneve të kultit, sipas vendimit të diktatorit për të ndaluar besimin fetar. Jani Vasili dhe trupa gjykuese dha vendimin për pushkatimin e priftit të famshëm dom Shtjefën Kurti, i cili në fakt nuk kishte kryer asnjë krim, përveçse kishte guxuar të pagëzonte ilegalisht një fëmijë.

Takimi i Nikolin Kurtit me Jani Vasilin është i ngjashëm me takimin e tij me prokurorin, Hajredin Fuga.

“Jani Vasili kishte dijeni, me sa duket nga Hajredini, se unë do ta kërkoja dhe sapo e kontaktova, më tha menjëherë po për takimin. Ishte pak javë pasi kisha takuar Hajredinin. U ulem në kafe. I tregova vendimin e tij për pushkatimin e dom Shtjefën Kurtit, ku kishte qenë relator. Po, – më tha, – është e vërtetë. I kërkova detaje se si ishte e vërteta e atij gjyqi. I kërkova që ta shkruante me dorë dhe ma solli. Më kërkoi gjithashtu të mos e botoj për sa kohë të ishte gjallë”.

 

Letra e gjykatësit

“Jani Vasili, anëtar i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. – Me kërkesë të z. Nikolin Kurti, i deklaroj se vendimi i Gjykatës së rrethit të Krujës me nr. 54 datë 31.7.1971, me të cilin, ndër të tjera është dënuar me vdekje për të ashtuquajturin krim sabotim, si dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në të cilin kam marrë pjesë edhe unë, janë tërësisht të padrejtë. Në të dyja vendimet e sipërme, është pranuar pa asnjë bazë ligjore, ndër të tjera, dënimi me vdekje i të gjykuarit Shtjefën Kurti për krimin e sabotimit. Në të dyja arsyetimet e vendimeve, është qartësisht e vërtetuar se veprimtaria e pranuar nga gjykata në ngarkim të të mësipërmve rezulton qartë se nuk ka asgjë të përbashkët me sabotimin, por është interpretimi i qëllimshëm, tejet i zgjeruar i diktaturës komuniste, për të zhdukur veprimtarinë shoqërore e fetare, sikurse i dënuari Shtjefën Kurti. Është më se e qartë, se në këtë vendim çdo gjë ishte e paragjykuar dhe e vendosur nga diktatura komuniste. I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim. Prill-maj 2012”.

 

 

 

Të fundit

VIDEO/ Interi nuk gabon, zikaltërit tregohen “cinikë” në shtëpi ndaj Comos

Interi vijon serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Komon me rezultatin 2 me 0...

Si të shmangni shtimin në peshë gjatë festave?

Festat e fundvitit janë sinonim i tryezave plot ushqime, pijeve të pafundme dhe ëmbëlsirave joshëse, por bashkë me këto kënaqësi vijnë edhe disa kalori...

Dalin analizat për mandarinat e importuara nga Shqipëria, ja rezultatet

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar sot rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e dyshuara për mbetje të pesticideve mbi nivelin e...

Moti i keq në vend/ Mbeten pa energji elektrike Kukësi dhe Gramshi

Moti i keq në vend ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike. Sipas informacioneve bashkia Kukës ka mbetur pa energji elektrike. Mendohet që të jenë stakuar...

Presidenti i zgjedhur Trump përsërit thirrjen për të blerë Groenlandën

Presidenti i zgjedhur ka përsëritur kërkesën që bëri gjatë mandatit të parë që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën nga Danimarka. Kërkesa zgjeron listën...

Lajme të tjera

Web TV