Të jesh ministre e Financave dhe Ekonomisë në një vend të varfër si Shqipëria nuk është e lehtë. Po si i përgjigjet kësaj pyetje vetë shefja e parave. Ministria e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha për emisionin ‘HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU’ se nuk mund të flasim pikërisht për “Shef”.
“Fjala shefe mua më bezdis në çdo element. Unë drejtoj një institucion që ka një histori të rëndësishme në vite. Këtu flasim për një ekip të ministrisë, qoftë në drejtim të buxhetit, ashtu edhe të borxhit apo thesarit, që në qoftë se shikojmë moshën mesatare në profesion në ministrinë e Financave mund ta kalojë 15 vjet.
Që do të thotë se janë persona të cilët kanë krijuar një qëndrueshmëri dhe japin kontributin e tyre në financat publike jo vetëm për 1 vit, për një ministre apo për një shef. Kjo është baza e kësaj ministrie dhe unë them kjo ma bënë dhe punën më të lehtë. Fati i mirë është që këtë marrëdhënie me profesionistët që përmenda pak më parë e njohë më herët, që e bën dhe më të lehtë bashkëpunimin me ta, por edhe qëndrueshmërinë që i jep ky ekip të gjithë projeksioneve apo debateve teknike kur ndodhin edhe për buxhetin edhe për borxhin edhe për thesarin. Pra nuk mund të them që kjo është një meritë e një individi, por është meritë e një strukture e cila i ka rezistuar kohës dhe debateve pa fund”, tha ajo.
Më tej Denaj shtoi se, fryma e një lideri është ajo që përcakton sjelljen e një ministrie. “Unë personalisht në raportin e të qenit drejtuese e këtij institucioni kam dy element që besoj i kanë shtuar dhe i kanë dhënë vlerë.
Së pari raporti me qytetarët dhe me biznesin ku përgjigjet për secilin prej tyre duhet të jenë në kohë reale, kjo është dhe një qasje që kryeministri ka dhe e ndjek çdo javë nëpërmjet platformave të tij, por më vjen shumë natyrshëm sepse unë vij nga një drejtim i një institucioni jo më pak i rëndësishëm, pasi është një institucion bankar, ku qasja ndaj përgjigjes le të jetë negative, por duhet të jetë në kohë.
Dhe së dyti këtu ka gjithmonë një qasje nëse punojnë të gjithë me të njëjtin ritëm, jo nuk punojnë të gjithë me të njëjtin ritëm, pasi ka nga ata që punojnë më pak, ka nga ata që punojnë më shumë dhe kjo është çështje menaxhimi.
Sigurisht që unë në formën time më të mirë i motivoj që të punojnë të gjithë aq sa duhet të punojnë për të realizuar objektivin që kanë në fund dhe për të punuar në raport me imazhin që është shumë i rëndësishëm.
Financat publike, por jo vetëm Administrata Publike, duhet të shkëputet përfundimisht nga një administrim ku siç thashë pak më parë jo vetëm dhënia e përgjigjes në kohë, por dhënia e përgjigjes pasi ligji e thotë dhe është e tillë, dhe ky është I vetmi raport që kam me qytetarët dhe bizneset dhe asnjë raport tjetër, dhe për këtë nuk mjafton 20 muaj, por unë besoj që e kam reputacionin për këtë”.