Roland Qafoku: Partitë e vogla i shërbejnë demokracisë në Shqipëri

Drejtori i përgjithshëm i grupit mediatik “Fjala”, Roland Qafoku deklaroi sonte se partitë e vogla ndihmojnë Shqipërinë në procesin e demokratizimit të vendit.

I ftuar në emisionin “Arena” nga Dritan Hila në RTV Ora, Qafoku deklaroi se ne jemi në një demokraci të brishtë dhe në qoftë se nuk do të ishin partitë e vogla Shqipëria do ishte në krizë të madhe.

“Ne shyqyr që i kemi partitë e vogla. Imagjinoni sikur ne të kishim në spektrin politik vetëm PD dhe PS se çfarë do të ndodhte. Ne jemi në një demokraci të brishtë. Jemi një demokraci në formimin e saj. Partitë e vogla janë të kushtëzuar nga disa formula.

Shqipëria shyqyr që i ka partitë e vogla. Nëse ne nuk do i kishim partitë e vogla nga LSI-ja, deri tek partia me një anëtar Shqipëria do ishte në krizë të madhe.

Ne kemi disa parti që i quajmë të vogla, por e vërteta është se liderët e tyre janë shumë interesant. Madje formati i tyre dhe personaliteti i tyre është shume herë më i madh se deputetët e partive të mëdha.

A ka në Partine Socialiste apo në Partinë Demokratike një Agron Duka nuk ka.  Unë nuk e paralelizoj dot, apo Dashamir Shehi dhe Artur Roshi,” deklaroi ndër të tjera Qafoku.

La.Mi/Fjala.al