Miratimi i Kodit Zgjedhor/ BE: Na vjen keq që s’u arrit konsensusi politik

Në lidhje me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor ka reaguar edhe Unioni europian në Shqipëri.

Në reagim thuhet se këto ndryshime nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR mbi Reformën Zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të Marsit.

Reagimi i plotë:

Morëm njoftim mbi miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve të tjera në Kodin Zgjedhor. Kujtojmë se këto nuk kanë lidhje me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbi reformën zgjedhore siç referohet në Konkluzionet e Këshillit të marsit.

Shprehim keqardhjen që nuk u arrit asnjë kompromis në Këshillin Politik para se ndryshimet të votoheshin në Parlament.

Me gjithë rezultatin pozitiv të marrëveshjes mbi rekomandimet e OSBE / ODIHR-it të arritur më 5 qershor 2020, dialogu politik në vend duhet të përmirësohet.

Ne inkurajojmë të gjithë palët e interesuara të mbajnë fokusin te zbatimi i reformave të nevojshme për vendin për të përparuar në rrugën e integrimit në BE, përfshirë reformat e parashikuara në marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të sillte standarde më të larta të integritetit dhe transparencës në procesin zgjedhor, çka është thelbësore për të ardhmen politike të vendit.

 

Pa.Va/Fjala.al