Nga Roland Qafoku
Në Shqipëri kryeministri gënjen kur thotë se policia gjatë qeverisjes së tij ka asgjesuar më shumë se çdo vit tjetër kanabis, ndërkohë që raporti i DASH thotë se Shqipëria është burim i kanabisit dhe vend trazit për kokainën dhe heroinën.
Në Shqipëri kryetari i opozitës gënjen kur thotë se sapo të bëhet kryeministër do ua heqë koncesionet oligarkëve. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë kurrë, ose nëse ndodh shteti duhet t’i paguajë oligarkët për prishje të kontratës.
Në Shqipëri deputeti gënjen jo vetëm kur bën premtime të tipit “fshati i tij do marrë status special nga OKB”, por edhe kur argumenton përse nuk i mbajti këto premtime, ai bën një gënjeshtër tjetër.
Në Shqipëri një gjykatës gënjen kur thotë se i ka dhuruar motra 400 mijë dollarë, ndërkohë në fakt ajo jo vetëm nuk ia ka dhuruar, por merret lehtë me mend se si i ka fituar ato para ky gjyqtar.
Në Shqipëri avokati funksionon me rregullin se nuk duhet të gënjejë, por ama ai nuk është i detyruar të thotë të vërtetën dhe imagjinoni se sa gënjeshtra thotë.
Në Shqipëri një biznesmen i madh gënjen kur thotë se është pagues i rregullt i taksave, ndërkohë ai nuk paguan as taksat e as punonjësit e vet për punën e bërë.
Në Shqipëri një tregtar gënjen kur thotë se në dyqanin e tij ka ulje çmimi, por në fakt ai shkruan në etiketën e mallit një çmim sikur ai më parë ishte dy fish më i lartë.
Në Shqipëri një fermer gënjen kur thotë se perimet e tij janë bio, ndërkohë në fakt i ka ngopur me pesticide dhe hormone që na sëmurin të gjithëve.
Në Shqipëri gazetari gënjen kur thotë se sipas burimeve të tij janë vrarë vrasësit e Artan Santos, por nuk jep as emra, as mbiemra, asnjë gjeneralitet, ndërsa portalet amatore shkruajnë se ky është zbulim i bujshëm i gazetarit kur në fakt të gjithë duhet të qeshin me gënjeshtrën e tij.
Në Shqipëri një botues gënjen kur librin e ka botuar me të drejtë autori, por në fakt jo vetëm që ka zgjedhur piraterinë për ta botuar, por përkthimin e ka bërë me kampionin e gafave, google translate.
Në Shqipëri gënjeshtra ka një shpërndarje pothuajse të barabartë, gati-gati siç ishte shpërndarë varfëria në komunizëm.
Në Shqipëri askush tjetër nuk është më i urryer se sa ai që thotë të vërtetën. I drejtpërdrejti, pikërisht ai është i gabuari dhe fajtori i madh. Ndërsa gënjeshtra është bërë e zakonshme, është shtrirë në mënyrë kapilare në shoqëri duke sjellë imoralitetin dhe vesin dhe vesi shkatërron jetën normale dhe të qetë.
Ky korpus gënjeshtrash ka sjellë aq shumë pasoja në shoqërinë tonë sa që shumica e njerëzve kanë karakter të deformuar. Një masivitet i tillë gënjeshtrash ka sjellë plot cene në moralin e shoqërisë. Nuk e teproj të them se shoqëria jonë është e gjymtuar dhe gënjeshtra e ka gjunjëzuar dhe e ka vënë poshtë atë. Aq alarmante është kjo saqë ndershmëria në Shqipëri duket si një fjalë e huaj dhe e papërkthyeshme. Këtu viktimë mbetet ai që nuk di të gënjejë, sepse i shkreti mendon se të gjithë thonë të vërtetën. Këtu i sinqerti vlerësohet si budalla dhe ndershmëria virtut i budallenjve. Shkurt, këtu ndershmëria trajtohet si sëmundje.
Megjithëse ndershmëria ka një fuqi që shumë pak njerëz mund ta përballojnë, atë që e zotërojnë këtë cilësi ndjehen të përjashtuar, duket sikur nuk ekzistojnë sikur nuk janë pjesë. Të ndershmit janë në minorancë dhe mazhoranca e gënjeshtarëve i mbyt, i bllokon, i rrethon, i izolon dhe dukja është që gënjeshtari fiton gjithmonë. Gënjeshtari bëhet deputet, gënjeshtari bëhet titullar, gënjeshtari fiton konkurse, gënjeshtari dekorohet.
Gënjeshtari gënjen deri edhe veten kur pyet po veten përse po e vlerësojnë kaq shumë. Ndërsa i ndershmi është i tërhequr, qëndron pas kuintave, është në hije. I ndershmi nuk angazhohet në jetën publike dhe politike se e di që do ta sulmojnë, do ta masakrojnë me fjalë se kush ishte dhe kush është, me të qena e të paqena. Në këtë betejë, i ndershmi vuan, ndërsa gënjeshtari fiton, madje edhe triumfon.
Por, ka ardhur koha për t’i thënë stop të gjithë këtij superceni në shoqërinë tonë. Dhe kjo ndryshohet duke vendosur rregulla të forta morali. Rregulla që së pari veçojmë dhe të vlerësojmë të sinqertin nga gënjeshtari dhe maskarain nga i miri.
Rregulla që vijojnë duke përçmuar gënjeshtarin, njeriun që ka marrë deri tani çdo trofe. Trofeu i vetëm i shoqërisë sonë duhet të jetë vetëm jeta e ndershme e të ndershmëve. Kurrë jo më e gënjeshtarëve. Ata, edhe tani që lexojnë këtë shkrim, kushedi se për çfarë janë duke gënjyer.