Pas takimit me drejtuesit të qarqeve në selinë e Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama ka bërë edhe një prononcim për mediat.
Rama tha se do të dalë kërkesa për vlerësimin e ministrave, ku në të mund të japin vlerësim edhe qytetarë që nuk janë pjesë e anëtarësisë së PS.
Ndërkohë, shefi i qeverisë nuk preferoi që të zbulojë emrat për kryesinë e re të PS-së duke thënë se ka kohë deri të premten.
“I vetmi lajm për të ardhmen vjen nga PS. Të gjitha të tjerat janë lajme të vjetra. Ne vazhdojmë punën dhe diskutojmë për gjendjen në çdo komunitet. Jemi në procesin e një ndërveprimi të ri me anëtarësinë që ka filluar të marrë kodet digjitale për të dhënë vlerësimin për deputetët e qarkut. Pasi disa ditësh do dalë dhe kërkesa për vlerësim për ministrat dhe përtej anëtarësisë. Çdokush të jetë i interesuar mund të hyjë të bëjë një vlerësim. Përgatisim dhe hapin e tretë që është ftesa për të konsideruar shprehje interesi për të përfaqësuar komunitetin në Parlament” – tha Rama.
Ai u pyet edhe për progres-raportin e BE-së, ku shtoi se nuk e ka lexuar ende.
“Për hir të së vërtetës nuk e kam lexuar ende progres raportin sepse kam qenë gjithë ditën i angazhuar me punë të tjera, nesër do pres komisionerin. Më vjen mirë që progres raporti është një pasqyrë krejt e ndryshme nga pasqyra që përpiqet t’i vënë çdo ditë përpara ata që flasin në emër të Europës. Ashtu sikundër më vjen mirë që edhe deklarata e BE-së në lidhje me reformën zgjedhore ishte krejt ndryshe nga ajo që u tha duke parashikuar re të zeza për Shqipërinë duke hedhur një re e tym që ta kapë kush ta kapë dhe të çoroditet kush ka për t’u çoroditur.”, theksoi Rama.
Pa.Va/Fjala.al