Në fund të vitit 2022 pritet të hyjë në fuqi sistemi evropian i informacionit dhe autorizimit për udhëtimet. 62 vende që nuk janë në BE, por mund të udhëtojnë pa viza, do të përfshihen në ETIAS, ndër to edhe Shqipëria. Tashmë përpara se të udhëtojnë, shqiptarëve do t’u duhet të plotësojnë formularin ETIAS, aplikim i cili zgjat disa minuta dhe shoqërohet me një kosto
Nga Ina Allkanjari
Rritja e sigurisë për shkak të terrorizmit, menaxhimi më i mirë i kufijve, zvogëlimi i kohës së pritjes dhe i procedurave, si dhe kthimi i udhëtimeve brenda Bashkimit Evropian si një përvojë e sigurt për qytetarët, ky është qëllimi i krijimit të sistemit evropian të informacionit dhe autorizimit për udhëtimet (ETIAS). Një sistem plotësisht elektronik, ETIAS lejon dhe mban të dhënat e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në zonën Shengen. Ajo i ngjan sistemit elektronik të SHBA-së për autorizimin e udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm. Procedurat ligjore për realizmin e ETIAS-it kanë filluar në 2016 dhe sistemi pritet të jetë në fuqi në fund të vitit 2022, por nuk do të jetë i detyrueshëm deri në vitin 2023.
Ka shumë vende që nuk janë në Bashkimin Evropian (BE), shtetasit e të cilave mund të hyjnë në zonën Shengen të BE-së pa pasur nevojë për vizë. Në mënyrë të veçantë, aktualisht ka 62 vende që nuk janë në BE, por janë pa viza, të cilat do të përfshihen në ETIAS. Qytetarët e këtyre vendeve lejohen të shkojnë në vendet e zonës Shengen për qëllime biznesi ose udhëtimi deri në 90 ditë. Gjatë këtyre 90 ditëve këta vizitorë nuk lejohen të punojnë ose studiojnë, por mund të merren me veprimtari biznesi dhe turizmi. Ndërkohë sistemi ETIAS vjen me një kosto e cila është planifikuar të jetë 7 euro për secilën kërkesë, kjo vlen për çdo qytetar mbi 18 vjeç, pasi qytetarët nën 18 vjeç nuk do të paguajnë asnjë tarifë.
Çfarë është ETIAS
ETIAS kryen një kontroll të hollësishëm të sigurisë së secilit aplikant për të përcaktuar nëse ai mund të lejohet të hyjë në ndonjë vend të zonës Shengen. Qytetarët e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë, për qëllime udhëtimi deri në 90 ditë në BE, nuk kanë nevojë të kalojnë nëpër një proces të gjatë të aplikimit për vizë. ETIAS do të sigurohet që këta njerëz nuk janë një kërcënim për sigurinë. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, do të mbajë gjurmët dhe do të azhornojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët, për të përcaktuar nëse është e sigurt për ata të hyjnë në vendet e Shengen-it. ETIAS, përveç se përdoret për qëllime biznesi dhe turistike, do t’u lejojë njerëzve t’i vizitojnë vendet e Shengenit për arsye mjekësore dhe tranziti. Për më tepër, do të jetë e detyrueshme për të gjitha vendet që nuk kanë viza Shengen.
Pse nevojitet autorizimi ETIAS
Në fjalimin e tij për gjendjen e Bashkimit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë: “Ne duhet të dimë se kush po i kalon kufijtë tanë. Në këtë mënyrë do të dimë se kush po udhëton në Evropë, para se të arrijnë këtu”. Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit ETIAS është siguria. Me rritjen e rrezikut të udhëtarëve në të gjithë botën, BE-ja dëshiron të sigurojë udhëtime të sigurta në vendet e saj. ETIAS do të zvogëlojë shqetësimet e sigurisë në mënyrë thelbësore përmes informacionit dhe sistemeve të mbledhjes së të dhënave. Ajo që do të thotë kjo, është që ETIAS të zbulojë nëse një person është një kërcënim në ndonjë mënyrë për sigurinë e vendeve të Shengen-it. Kjo do të çojë në ndalimin e hyrjes së personit dhe shmangien e kërcënimit për të qenë i pranishëm brenda kufijve të BE-së. Sidoqoftë, përveç se e bën udhëtimin më të sigurt, autorizimi ETIAS do t’i ndihmojë vendet e BE-së dhe të gjithë udhëtarët në mënyrat e mëposhtme:
-Zvogëlon procedurat dhe kohën e aplikimit;
-Përmirëson menaxhimin e kufijve të vendeve të BE-së;
-Ndihmon në zbulimin dhe zvogëlimin e krimit dhe terrorizmit;
-Ndalon migrimin e parregullt
-Përforcon politikën e liberalizimit të vizave të BE-së;
Kush do të ketë nevojë për ETIAS
Siç u përmend, ETIAS synon qytetarët e vendeve që mund të hyjnë në zonën e BE-së pa viza. Kësisoj qytetarëve të 62 vendeve do t’u duhet të marrin autorizimin ETIAS. Ndër to përfshihet Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina etj. Deri në fillimin e sistemit në 2022, mësohet se më shumë vende mund të shtohen në listë, por për momentin, të gjithë shtetasit e 62 vendeve të përcaktuara, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të jenë të detyruar të marrin autorizimin ETIAS përpara se të hyjnë në ndonjë vend të BE-së. Për të përdorur si duhet autorizimin ETIAS, së pari duhet të kaloni nëpër vendin e parë që keni deklaruar në aplikimin tuaj. Nëse keni planifikuar të kaloni nëpër Gjermani, Belgjikë dhe Austri dhe keni deklaruar në kërkesën tuaj se vendi i parë që do të vizitoni është Gjermania, ju duhet ta kaloni atë para se të vizitoni Belgjikën dhe Austrinë. Pasi të keni hyrë në vendin tuaj të parë, mund të vizitoni çdo vend tjetër në zonën Shengen për 90 ditë.
Funksionimi i sistemit
Sistemi ETIAS do të jetë i thjeshtë në përdorim dhe do të kursejë kohë për aplikantët.
Ata që duan të marrin miratimin, do të duhet të ndjekin këta hapa për të aplikuar për ETIAS:
Plotësimi i formularit të aplikimit. Aplikimi ETIAS pritet të marrë rreth 10 minuta për t’u plotësuar. Do të jetë në internet, kështu që nuk do t’ju duhet të kaloni nëpër zyra. Në varësi të vendit që zgjidhni, do t’ju paraqesë disa fusha për të plotësuar. Ju duhet të jepni informacionin e mëposhtëm:
-Informacione biometrike si: Emri Mbiemri; Mbiemri në lindje; Data e lindjes; Vendi i lindjes.
-Informacion në lidhje me shtetësinë tuaj
-Adresë
-E-mail-i dhe numri i telefonit
-Edukimi dhe përvoja e punës
-Vendi i parë i BE-së që keni ndër mend të vizitoni
-Pyetjet e prapavijës dhe përshtatshmërisë që do të pyesin për gjendjen tuaj mjekësore, udhëtimin në vendet e luftës, ose vendet ku ju jeni dëbuar ose refuzuar, si dhe të dhënat kriminale
-Për të miturit, kujdestari ligjor duhet të aplikojë për ETIAS
-Për anëtarët e familjes së shtetasve të BE-së nga vendet e tjera, ju duhet të paraqisni prova të marrëdhënies, kartën e qëndrimit dhe informacione të tjera.
Dokumentacioni i nevojshëm për autorizimin
Dokumenti i vetëm që do të duhet në aplikimin për ETIAS është pasaporta juaj e vlefshme. Pasaporta juaj mund të kërkohet që të ketë këtë informacion: fotografinë tuaj digjitale, e cila nuk është ngjitur në pasaportë; një kod i lexueshëm nga makina – i cili gjendet poshtë fotos suaj të pasaportës dhe ka dy linja numrash, shkronja dhe simbole; çipi elektronik i pasaportës – i cili nuk është domosdoshmërisht i detyrueshëm, por do të ishte një avantazh. Ky mikroprocesor mund të gjendet në faqen kryesore të pasaportës tuaj në pjesën e poshtme.
Dorëzimi i aplikimit
Kur të plotësoni aplikimin, do të duhet të paguani tarifën dhe ta paraqisni atë. Sistemi do të bëjë sa vijon:
-Kontrollon nëse informacioni që keni dhënë ishte i saktë
-Kontrollon përshtatshmërinë tuaj
-Kontrollon faktorët tuaj të rrezikut
Nëse ajo që keni plotësuar në formularin e aplikimit është e saktë, dhe ju jeni të ligjshëm dhe jo të rrezikshëm për ETIAS, atëherë do të aprovoheni. E gjithë kjo procedurë pritet të përfundojë në vetëm disa minuta.
Kostoja e aplikimit
Kostoja ETIAS është planifikuar që të jetë 7 € për secilën kërkesë. Kjo vlen vetëm për të rriturit mbi 18 vjeç, pasi ata nën 18 nuk do të paguajnë asnjë tarifë. Ju mund të paguani tarifën me debit ose kartë krediti. Menjëherë pasi të keni përfunduar pagesën, autorizimi ETIAS do të fillojë të përpunohet.
Vlefshmëria e ETIAS
Nëse miratohet, ETIAS mund të jetë i vlefshëm për 3 vjet, ose deri në fund të vlefshmërisë së dokumentit të udhëtimit të regjistruar gjatë aplikimit, cilado që të jetë e para. Nëse do të merrni periudhën e parë të vlefshmërisë ose të dytën varet nga vlerësimi i sistemit për informacionin dhe rrezikun tuaj. Por çfarë ndodh nëse kërkesa për ETIAS refuzohet?! Brenda disa minutave nga paraqitja e aplikimit, qytetarët do të marrin një përgjigje mbi statusin e ETIAS-it. Nëse nuk miratohet, do të merrni mesazhin e mohimit. Në mesazhin e mohimit do të bashkëngjitet arsyeja se pse u mohua ETIAS. Më pas mund të bëhet një apelim ndaj këtij vendimi ose, bazuar në arsyen e mohimit, mund të rregulloni kërkesën tuaj dhe të provoni përsëri.
A është ETIAS një vizë
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të informacionit për vizat Shengen, autorizimi ETIAS nuk është vizë. Shtetasit e vendeve të liberalizimit të vizave do të vazhdojnë të udhëtojnë në BE pa vizë, por thjesht do të kërkohet që të marrin një autorizim udhëtimi përmes ETIAS, para udhëtimit të tyre. Një autorizim i udhëtimit ETIAS nuk paraqet përsëri detyrime të ngjashme me vizat. Nuk ka nevojë të shkoni në një konsullatë për të bërë një kërkesë, nuk mblidhen të dhëna biometrike dhe grumbullohen dukshëm më pak informacione sesa gjatë një procedure të aplikimit për vizë. Ndërsa, si rregull i përgjithshëm, një procedurë e vizës Shengen mund të zgjasë deri në 15 ditë, dhe mund të zgjatet në disa raste deri në 30 ose 60 ditë, aplikimi on line ETIAS merr vetëm disa minuta për t’u plotësuar. Vlefshmëria do të jetë për një periudhë trevjeçare, më e gjatë se vlefshmëria e një vize Shengen. /Ra.My.Fjala.al/