SHBA/ Situata e krijuar nga COVID-19 e rënduar më shumë se më parë

Shtetet e Bashkuara mbeten vendi më i prekur në botë, si për nga infektimet ashtu dhe nga vdekjet. Konkretisht, mbi 7.6 milionë raste infektimi dhe mbi 213 mijë e 530 vdekje, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins.

Të dhënat janë bërë publike nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas të cilës kontinentet amerikane mbeten më të prekurat, duke përbërë thuajse gjysmën e rasteve globale, ose mbi 17.5 milionë raste.

Pas tyre vijnë Azia jug-lindore dhe Evropa, përkatësisht me mbi 7.74 dhe 6.67 milionë njësi.

Numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në mbarë botën kaloi kuotën e 36.3 milionëve, ndërsa bilanci i vdekjeve shkoi mbi 1 milion e 50 mijë viktima.

Problematike mbetet situata edhe në Indi, ku në 24 orët e fundit janë verifikuar mbi 70 mijë e 490 raste të reja, duke i çuar shifrat mbi 6.9 milionë të prekur dhe thuajse 150 mijë të vdekur.

Në Evropë, Franca regjistroi thuajse 20 mijë e 340 raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar bilancin në rreth 691 mijë e 970. Ndërkohë, vdekjet janë rritur me 109 njësi, duke shkuar në 32 mijë e 630 viktima.

Pas saj vjen Mbretëria e Bashkuar, që ka regjistruar thuajse 14 mijë raste të reja në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 575 mijë e 680 njësi.

Problematike situata paraqitet edhe në Rusi, ku në të njëjtin hark kohor u regjistruan mbi 12 mijë e 120 raste me COVID, një rritje rekord kjo që e çon totalin mbi 1 milion e 272 mijë njësi.

Ndërkohë, Italia po ia del më mirë se vendet e tjera të kontinentit të vjetër. Vendi fqinj regjistroi 5 mijë e 330 raste të reja në 24 orët e fundit dhe 28 vdekje.

Lexo edhe :  Koreografitë e derbit të Tiranës, 'Guerrils' dhe 'Fanatics' dhurojnë spektakël

Ndërsa Spanja raportoi thuajse 6 mijë raste në 24 orë, duke arritur në 861 mijë e 110 raste dhe në 32 mijë e 930 vdekje, pas 240 viktimash të regjistruara në një ditë. Ru. Do/ Fjala.al