Zyrtarët e ngarkuar për sigurinë e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në mbarë Shtetet e Bashkuara, po marrin masa paraprake shtesë, duke u përgatitur për mundësinë jo vetëm të sulmeve të mundshme kibernetike më 3 nëntor dhe ditët që pasojnë, por edhe për dhunë të mundshme.
Paralajmërimet më të forta dhe ndoshta më të zymtat, nuk vijnë nga autoritetet federale, por nga zyrtarët shtetërorë, disa prej të cilëve thonë se fushatat dezinformuese nga shtete të huaja, mund të nxisin një sërë problemesh, që nga shqetësime të vogla e deri tek incidente shumë më të rënda.
“Vonesat në rezultatin e zgjedhjeve dhe rinumërimet mund të rezultojnë në protesta dhe përpjekje për të zaptuar zyrat e zgjedhjeve” paralajmëruan zyrtarë të Departamentit të Sigurisë në shtetin e Nju Xhersit, në një vlerësim të publikuar në fund të shtatorit.
“Incidentet e trazirave civile që rezultojnë në veprime të dhunshme dhe fatalitete do të ndërthurren me pasigurinë e zgjedhjeve, duke prodhuar konfrontime midis protestuesve dhe kundër-demonstruesve që mund të sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve,” vë në dukje deklarata.
Shenja paralajmërimesh
Zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe lokalë të zgjedhjeve po i marrin me seriozitet paralajmërime të tilla, veçanërisht pasi FBI-ja këtë muaj zbuloi dhe bëri të dështojë një komplot nga ekstremistët e një milicie anti-qeveritare për të rrëmbyer guvernatoren demokrate të shtetit të Miçiganit, Gretchen Whitmer.
Zyrtarët e Miçiganit thonë se po e rishqyrtojnë situatën duke pasur në vëmendje zgjedhjet dhe po planifikojnë të lëshojnë udhëzime shtesë në ditët në vijim.
Por komploti i rrëmbimit, i cili sipas FBI-së vinte në shënjestër gjithashtu edhe guvernatorin demokrat të Virxhinias Ralph Northam, nuk është i vetmi incident që ka shkaktuar alarm mes zyrtarëve shtetërorë të zgjedhjeve.
Disa zyrtarë kanë vënë në dukje gjithashtu një protestë në fund të shtatorit pranë një qendre të votimit të hershëm në qarkun Feirfaks, të shtetit Virxhinia – që shpejt u bë virale në mediat sociale.