MSH anulon Panarin e Librit/Shoqata e Botuesve: Do të zhvillohet online

Panairi i 23-të i librit do të zhvillohet online, duke respektuar kështu çdo masë të marrë për shkak të pandemisë Covid-19.

Ditën e djeshme Shoqata e Botuesve mori përgjigje negative nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për sa i përket organizimit të përvitshëm të këtij panairi në kryeqytet.

Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë erdhi si pasojë e masave shtrënguese për të frenuar sa më shumë përhapjen e Covid-19.

Ndërkohë ditën e sotme Shoqata e Botuesve, nëpërmjet një postimi në Facebook njofton se edicioni i 23-të i Panairit të Librit do të organizohet online.

“Të bindur që Panairi i Librit është një ngjarje madhore, e cila nuk duhet t’i mungojë qytetit të Tiranës, por edhe lexuesve nga gjithë vendi, të gjithë të pranishmit ishin të një mendjeje për organizmin, në ditët e caktuara që më parë, të një Panairi Libri, kësaj here në një edicion special, kryesisht online, për shkak të pandemisë.” shkruhet në njoftimin e Shoqatës së Botuesve.

Organizimi për këtë panair online ka filluar që ditën e sotme, ndërkohë që datat e parashikuara për zhvillimin e tij do të jenë po ato, 12-15 nëntor 2020. /Ra.My.Fjala.al/