Përkujtohet Naim Frashëri, Apostulli i Shqiptarizmës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në ditën e vdekjes së poetit kombëtar, i cili u nda nga jeta 120 vite më parë në Stamboll

Në mes tuaj kam qëndruar

e jam duke përvëluar,

që t’u ap pakëzë dritë,

natënë t’ua bënj ditë.

Sot me emrin e tij ka një dekoratë ku është stampuar në reliev edhe fytyra e tij.

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Argeta LMG” në kuadër të 120-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit kishin përgatitur ekspozitën me temë: “Ti Shqipëri më jep nder”. Ekspozita u çel në Hollin Kryesor të Muzeut Historik Kombëtar.

Tryeza shkencore

Gjithashtu, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë: “120 vjet nga vdekja e Naimit”. Tryeza e rrumbullakët shkencore u fokusua në rolin dhe veprimtarinë e Naim Frashërit, ligjëruesit në tryezën shkencore ishin:

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, referoi mbi temën: “Naim Frashëri dhe çështja pellazgjike” duke u shprehur: “Naim Frashëri cilësohet si poeti kombëtar i shqiptarëve, për kontributin e paçmuar  pasi vepra e tij jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por ushqeu fidanishtet e para të shqiptarizmës. Një aspekt pak i njohur, është pasqyrimi në letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve prej tyre. Naim Frashëri përfaqëson një nga figurat më të mëdha të kombit, pasi vlera e tij për kulturën shqiptare është e patjetërsueshme dhe madhështore”.

Prof. Dr. Persida Asllani referoi mbi temën “Mendime rreth librit të Profesor Sabri Hamitit”, duke u shprehur se: “Kjo është një vepër që del pikërisht në përkujtim të vdekjes së Naim Frashërit. Ky libër bashkon histori të leximeve, histori personale të studimit, të dedikimit të vazhdueshëm në veprën e Naimit. Një studim mbi poetikën mbi tekstin dhe natyrisht edhe mbi leximin e të tjerëve mbi Naimin, atë pasuri që shumë studiues lanë për ne sot, të cilat shërbejn si thesare për leximin e Naimit”.

Prof. Dr. Sabri Hamiti në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se: “Kam kënaqësinë të jem sot këtu, në mesin e njerëzve të cilin e duan e njohin dhe e adhurojnë Naimin. Kam dashur të analizoj veprën poetike të Naimit, i cili  vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve”.

Andrea Llukani referoi mbi temën: Mendime rreth vjershës të Naim Frashërit “Përpara Krishtit”.

Jetëshkrimi i poetit

Naim Frashëri lindi në Frashër të Dangëllisë më 25 maj 1846. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja e tij u shpërngul në Janinë, ku ndoqi gjimnazin “Zosimea”. Mbas kthimit në vendlindje, ai bëri provat e para të vjershërimit shqip nën ndikimin e bejtexhinjve, por edhe persisht, në përmbledhjen “Tehajylat” (Ëndërrime) që e botoi në vitit 1885.

Naim Frashëri mori pjesë në ngjarjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mbledhjen e degëve të Jugut të Lidhjes Shqiptare në Frashër (1878). Ai iu kushtua punës për zgjimin kombëtar përmes lëvrimit të gjuhës shqipe e të letërsisë kombëtare dhe për ngritjen e shkollës shqipe e pajisjen e saj me tekste mësimore në gjuhën amtare. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll. Me përkushtimin dhe veprimtarinë e tij të dendur atdhetare e kulturore Naim Frashëri u bë figura qendrore e Rilindjes Kombëtare dhe u pagëzua për së gjalli si “Apostull i Shqiptarizmës”.

Lexo edhe :  Fushata elektorale, Rama me gratë dhe vajzat e Vlorës, "Marigoja" qëndis flamurin

Për më pak se 20 vjet botoi një krijimtari të gjerë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera, poema, përmbledhje lirikash, prozë artistike, si dhe vjersha e tekste për shkollat dhe përkthime. Veprat e tij më të shquara janë “Bagëti e Bujqësija” (1886), përmbledhja me lirika atdhetare e filozofike “Luletë e verësë” (1890), poema epike “Istori e Skënderbeut” (1898), lirikat në persisht “Ëndërrime” si dhe poemat në gjuhën greke “O alithis pothos ton Skyperaton” (Dëshira e vërtetë e shqiptarëve, 1886), etj..

Vepra e Naim Frashërit është botuar dhe vazhdon të botohet gjerësisht dhe është bërë objekt studimesh shkencore. Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 Tetor 1900. Eshtrat e tij u sollën në atdhe më 1937 dhe prehen në Memorialin e Rilindësve në Tiranë.

Pesë varret e Naimit

Por Naim Frashëri është poeti kombatër i cili ka pasur pesë ceremoni varrimi. Për pesë varret e Naim Frashërit është shkruar dhe më parë, por studiuesi Valter Gjoni na jep një kronologji më të saktë.

Varrimi i parë, 20 tetor 1900

Naim Frashëri vdiq në Stamboll më 20 Tetor 1900 dhe u varros në varrezat “Merdiven Koj” të Stambollit.

Varrimi i dytë, 3 qershor 1937

Në kuadrin e vlerësimit dhe nderimit të figurave patriotike, në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, me nismën e mbretit Zog u bë e mundur sjellja në Shqipëri e eshtrave të Naim Frashërit.

Varrimi i tretë, 9 prill 1940

Në 9 prill 1940, në vitin jubilar të 40-vjetorit të vdekjes nën kujdesin e Françesko Jakomonit (mëkëmbësi i Viktor Emanueli III për Shqipërinë) në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjëve, në Tiranë, u zhvillua vendosja e eshtrave në një varr të ri monumental, të ideuar dhe financuar nga Jakomoni.

Varrimi i katërt, 20 prill 1950

Varri monumental i poetit, në Kryegjyshatën Bektashiane, gjatë viteve të para të regjimit Komunist u çmontua. Atij iu hoqën simbolet dhe shkrimet e vendosura nga italianët, duke e kthyer në një varr pa identitet. Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së poetit, u bë në qendër të Tiranës varrimi i katërt i poetit, aty ku sot është “Piramida”. 

Varrimi i pestë, 10 qershor 1978

Në qershor të vitit 1978 u organizuan festime me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast u mundësua sjellja nga Turqia e eshtrave të Abdyl Frashërit, si një veprimtar i rëndësishëm i Lidhjes së Prizrenit. Qeveria komuniste, organizoi në sheshin “Skënderbej” një ceremoni të përbashkët varrimi për Abdyl dhe Naim Frashërin.

Përgatiti L.Veizi

Të fundit

Trump kërcënon Rusinë pas takimit me Zelenskin, përmend edhe sanksionet

Donald Trump ka ndryshuar përsëri qëndrim ndaj Rusisë. Menjëherë pas takimit me kreun e shtetit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy,...

Koçi: 5 miliardë lekë për lavanderinë që pastron njollat e turpit të Berishës

Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi ka reaguar me një status në rrjetet sociale, duke akuzuar kreun e PD-së Sali Berisha për përpjekje të...

Paketa e maleve frenon emigrimin! Më 3 maj hyn në fuqi ligji, ekspertët: Qeveria ndihmon

Më 3 maj hyn zyrtarisht në fuqi ligji për Paketën e Maleve. Me vetëm 1 euro ky ligj u jep mundësinë qytetarëve, ...

Në fushatë me Berishën, Interpol Athina ruan CV të pasur me krimet e Fredi Belerit

Dhionis Alfred Beleri sot Eurodeputet rezulton se ka një CV të pasur me shkelje ligjore dhe krime jo vetëm në shqipëri por po ashtu...

Amerikanët tremben nga Trump, bie mbështetja në sondazhe për presidentin

Mbështetja për Donald Trump në 100 ditët e para të presidencës së tij është më e ulëta për një president në 7 dekadat e...

Lajme të tjera

Web TV