Nga sekretet e ish-shërbimit informativ gjermano-lindor. Ç’përmbajnë arkivat për Shqipërinë
Deutsche Welle shtroi një pyetje “Çfarë përmbajnë arkivat e ish-sigurimit gjermano-lindor, STAS-it, për Shqipërinë? Me këtë pyetje kolegët e redaksisë shqipe iu drejtuan arkivit në Berlin. Nga dokumentet e mbledhura përgatitën materialet në vijim:
Kanë kaluar shumë vite që kur qytetarët e RDGJ-së u sulën drejt selisë qendrore të Sigurimit të Shtetit në Berlinin Lindor. Aty ata themeluan një institucion të vetin, i cili mori emrin: “Emisari federal i ngarkuar me dokumentet e shërbimit të sigurimit të shtetit të ish-RDGJ-së”.
Ky institucion përgatiti vendosjen e dosjeve në dispozicion të të prekurve. Me kalimin e viteve u demaskuan shumë prej ish-bashkëpunëtorëve të STAS-it. Shumë viktima mësuan se çfarë përmbanin arkivat për to dhe se kush i kishte spiunuar.
Në shumë vende të Evropës Lindore ka pasur shërbime sekrete të ngjashme, por puna me dosjet funksionon me siguri shumë ndryshe. Edhe pas gati 30 vjet pas përmbysjes, shumë shoqëri merren me trashëgiminë e shërbimit sekret.
Spiunët
Çfarë shkruanin “spiunët” që vizitonin Shqipërinë në vitet tetëdhjetë? Në shumicën e rasteve raportet kanë qenë banale. Si jetojnë shqiptarët për shembull, ose çfarë mendojnë ata për kushtet sociale. Shqiptarët i kanë quajtur spiunë.
STAS-i, i quante bashkëpunëtorë jozyrtarë. Një i tillë, me pseudonimin “Sarkazma”, ka vizituar për disa ditë Shqipërinë në shkurt të vitit 1980, i bashkangjitur në një delegacion të fabrikës së cigareve Tabak-Kontores Drezden. Delegacioni vizitonte Shqipërinë për të biseduar për importimin e duhanit.
“Sarkazma”
Dy javë pasi kthimit nga Shqipëria, “Sarkazma” u vizitua në shtëpinë e tij nga kapiteni Müller, një punonjës i Ministrisë së Brendshme. Ai ka raportuar nga ora 8 deri në 10 të mbrëmjes, dy orë rresht, çfarë ka parë e dëgjuar në Shqipëri.
Ja pjesë nga raporti: “Duhet thënë se pala shqiptare prezantoi fillimisht një lloj tjetër duhani, me kualitet më të dobët dhe me çmim më të lartë. Bisedimet u rënduan dhe rrezikonin të ndërpriteshin. Por synimi ekonomik u arrit.
Gjatë udhëtimit, u pa se qytetarët shqiptarë, partnerët e bisedimeve, personeli i hoteleve ose qytetarët e tjerë i largoheshin çdo lloj diskutimi për çështje politike, ose për gjendjen sociale në Shqipëri. Gjendja sociale vlerësohet në varfëri të papërshkrueshme.
“Sarkazma” ka pasur mundësinë të vizitojë disa shtëpi, ku ka parë kushte primitive jetese. Mundësitë për të blerë janë shumë të kufizuara, madje edhe në Tiranë. Në dyqane ka vetëm gjëra primitive. Rrugët gjatë ditës janë thuajse bosh, vetëm mbrëmjeve nga ora 18:00 deri në orën 20:00 qytetarët dalin në rrugë dhe sheshe, dhe pas kësaj ore qyteti zbrazet sërish.
Gjatë një udhëtimi me makinë delegacioni ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Kur gjatë një pushimi të shkurtër “Sarkazma” ka bërë disa fotografi, kalimtarët i kanë thënë se fotografimi ndalohet. Tabela për të treguar këtë nuk ka. Kur ka qëndruar i mrekulluar për të parë përreth, “Sarkazma” ka parë disa pozicione artilerie.
Pozicione të tilla ka parë edhe në zona të tjera. Në të gjitha qytetet e vizituara, pas gati çdo shtëpie është duke u ndërtuar një bunker, nëse nuk ekziston një i tillë. Bunkerët përbëhen nga pjesë gjysmë të rrumbullakta betoni, që sillen të gatshme dhe maskohen me dhe e bar. Bunkerët janë jashtëzakonisht primitivë.
Shumë shumë, thotë “Sarkazma”, ata mund të të mbrojnë nga shiu dhe çdo familje i ngre ata vetë. “Sarkazma” ka kërkuar hyjë në një bunker, por kjo i është ndaluar kategorikisht. Në Tiranë ai ka parë se ambasada kineze ruhet shumë mirë dhe se kurrkush nuk i afrohet asaj më shumë se 20-30 metra.
Këtu merr fund raporti për Shqipërinë. “Sarkazma” vazhdon me tregimet për anëtarët e tjerë të delegacionit që ka vizituar Shqipërinë. Njëri prej tyre ka dëshiruar të vizitojë Gjermaninë Perëndimore, për të blerë një fustan dhe një magnetofon për vajzën. Për të mundësuar këtë, ai ka kërkuar ndihmën e “Sarkazmës”.
Si shpërndahej literatura
Në datën 25 tetor punonjësi drejtues i ambasadës së RPS të Shqipërisë në RD Gjermane, i shoqëruar nga shoferi dhe gruaja e tij kanë vizituar një nga bashkëpunëtorët tanë në shtëpinë e tij. Vizita nuk ka qenë e paralajmëruar dhe është zhvilluar në orët e para të mbrëmjes.
Gjatë vizitës personi… i ambasadës i ka dhënë bashkëpunëtorit tonë veprën më të fundit të kryetarit të PPSH-së, Enver Hoxha, drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik dhe bashkimit të vendeve socialiste, “Hrushovianët”, Kujtime, botuar nga Instituti i Studimeve Marksiste Leniniste, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1980, për ta studiuar vetë dhe për ta shpërndarë mes qytetarëve të RDGJ-së dhe Bashkimit Sovjetik, si dhe pjesëtarëve të ushtrisë sovjetike në zonën e Kotbusit.
Kështu ai ka marrë 17 ekzemplarë në gjuhën gjermane dhe 15 ekzemplarë në gjuhën ruse. Njëkohësisht ai ka marrë revistën “Shqipëria e re” numrin 3 të vitit ‘80 në gjuhën ruse dhe gjermane (nga 10 ekzemplarë për secilën). Punonjësi i ambasadës ka paralajmëruar se do të sjellë ekzemplarë të tjerë të “Hrushovianëve” në gjuhën frënge dhe atë spanjolle, për t’ua shpërndarë qytetarëve të huaj, për shembull atyre algjerianë.
Nga biseda me bashkëpunëtorin tonë diplomati donte të merrte informacione se si kanë reflektuar qytetarët e RD Gjermane ndaj ngjarjeve të Polonisë. Thëniet e bashkëpunëtorit tonë se shumë punëtorë janë bërë agresivë dhe kritikë, u pranuan nga diplomati.
Ai vetë përfaqëson mendimin zyrtar të PPSH-së, sipas të cilës, revoltat në Republikën Popullore të Polonisë kanë shumë “përmbajtje pozitive”, por ato keqpërdoren nga fuqitë imperialiste për qëllimet e tyre agresive.
Diplomati u vu në dijeni nga punonjësi ynë se anëtarët e KPD – Partisë Komuniste Gjermane kanë nxjerrë një urdhëresë që të kufizojnë vizitat në ambasadën e RPSSH-së për të shmangur rënien në sy të organeve të sigurimit të DDR-së.
Posti i ambasadorit
Gjuhëtari nga Gjermania Perëndimore, dr. Këteric, i ka thënë palës shqiptare që, nëse marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve rifillojnë, atëherë do të kishte qenë mirë sikur postin e ambasadorit ta merrte albanologu dr. Schmid, nga Universiteti i Freiburgut, meqenëse ai zotëron mirë gjuhën shqipe.
Një rol të veçantë, shkruhet në raport, për parapërgatitjen e marrëdhënieve diplomatike midis RPSSH-së dhe RDGJ-së ka luajtur një farë prof. Knoblauch (Knoblau), i cili është me prejardhje nga Gjermania Lindore, por aktualisht ka dy nënshtetësi, atë gjermano-perëndimore dhe austriake.
Ai duhet të ketë bërë punë të madhe për ngritjen e turizmit në Shqipëri. Dr. Köteric tha po ashtu se Kongresi tregon se Shqipëria në një farë mase është e gatshme të hapet ndaj vendeve të tjera. Jozyrtarisht u tha se mikpritja ishte shumë e madhe.
Pjesëmarrësit e Kongresit mund të porosisnin në hotel çfarë të donin dhe pagesa i kalonte palës shqiptare. Përveç kësaj, ditën e fundit të Kongresit pjesëmarrësit, të paktën ata që vinin nga jashtë, morën 100 lekë. Raporti përfundon: “burimi duhet ruajtur patjetër”.
Dëbim, nëse afroheshe me gratë shqiptare
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Sigurimi shqiptar i Shtetit vendosi nën vëzhgim të rreptë të gjithë të huajt që ndodheshin në Shqipëri. Afrimi me gratë shqiptare nuk i lejohej asnjërit prej tyre.
Më 17 shkurt 1969 kapiteni Kulka i shkruan sektorit kryesor të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit (STAS-i). Nga një udhëtim në Shqipëri vihet re se: Që prej ndodhive në Bashkimin Sovjetik, më 21.08.1968 ka filluar një kontroll jashtëzakonisht i madh i të huajve që shkojnë në Shqipëri.
Kështu, nga organet shqiptare të sigurimit vëzhgohet me vëmendje kur dilet dhe kur hyhet në hotel, ku shkohet dhe sa gjatë qëndrohet diku. Edhe kur përdoren makinat, ato ndiqen vazhdimisht nga një makinë shqiptare, në të cilën ndodhen tre persona. Nga këto masa nuk preken vetëm udhëtarët nga RDGJ-ja (DDR), por edhe udhëtarët që qëndrojnë në hotel dhe vijnë nga RP e Hungarisë dhe RP e Polonisë.
Këto masa nuk duket të jenë marrë në të njëjtën mënyrë edhe për qytetarët nga Bashkimi Sovjetik. Një dokument tjetër ka lidhje me një raport, që një punonjës nga një kombinat i Drezdenit ka dhënë pasi është kthyer nga Shqipëria, ku ka ndihmuar në ngritjen e një fabrike.
Nga raporti nuk bëhet e qartë se për cilin projekt bëhet fjalë. Viti, po ashtu nuk bëhet i njohur. Raporti ka të bëjë me vëzhgime që nuk kanë lidhje me punën, për të cilën personi ka qenë i angazhuar në Shqipëri.
Ai tregon se: Gjatë gjithë kohës së qëndrimit atje kam qenë “i shoqëruar” nga një kujdestar, si në kohën e punës, ashtu edhe gjatë kohës së lirë. Dhoma ngjitur më dhomën në hotel nuk ka qenë e zënë në asnjë nga ditët.
Aty duhet të ketë pasur ndonjë aparat përgjimi. “Gjatë bisedës përfundimtare me partnerin shqiptar u konfrontova me fakte, të cilat i kam thënë vetëm në dhomë, personalisht me shoqëruesin nga RDGJ-ja (DDR).
Nga pala shqiptare janë marrë dokumente të projektit të ekspertëve kinezë.” Bildunterschrift: Großansicht des Bildes mit der Bildunterschrift: Deti Jon i parë nga dritarja e një bunkeri Dhe më tej ai shkruan se gjatë qëndrimit atje janë bërë vazhdimisht përpjekje për ta komprometuar.
Ndër të tjera, një grua i është afruar në kantierin e ndërtimit, në një mënyrë që nuk mund të keqkuptohej. Pasi u refuzua me forcë, ajo nuk është shfaqur më në kantier. Më tutje: “Nga montatorët rumunë mësova se njëri prej tyre duhej të largohej brenda 24 orëve nga Shqipëria, për shkak të kontakteve me gratë shqiptare”.
Si arsye e dëbimit nga Shqipëria u tha, se montatori kishte lënë të binte një copë dërrasë nga 2 metra lartësi, dhe kjo kishte lënduar ixhinierin shqiptar. “Përfaqësia tregtare e RDGJ-së (DDR) nuk u informua më parë për këtë ngjarje, prandaj nuk mund të ndihmonte në sqarimin e saj. Dokumenti tjetër është i datës 2 maj 1976.
Ai përmban raportin mujor për ngarkim-shkarkimin e anijes “Elmela”, si dhe mbajtjen e inventarit. Raporti thotë se nuk ka pasur probleme shumë të mëdha. Në pjesën e raportit, që lidhet më situatën financiare ka një mospërputhje shifrash. “Unë kisha porositur 100 litra karburant për muajin prill dhe i morra ato në formë tallonash.
Prej tyre m’u lejua të marr 35 litra. Por në llogarinë mujore janë shkruar 65 litra.” Pastaj raporti flet për bashkëpunimin me parnerët shqiptarë. “Dua të vë në dukje se javët e fundit kam qenë nën një vëzhgim shumë të madh të pikave të caktuara shqiptare. A kanë qenë ata punonjës të sigurimit, këtë vetëm mund ta marr me mend, sepse nuk kam dëshmi.
Ky vëzhgim i madh fillon që nga shtëpia dhe përfshin të gjithë veprimtaritë e mia, shëtitjet, udhëtimet në Durrës, blerjet në qytet, vajtjen në kinema etj. Edhe veprimtaria ime në port vëzhgohet. Te kolegët e tjerë nga Polonia nuk shihet kjo. Unë i kam raportuar drejtuesit tonë për këto.
Të gjithë kolegëve shqiptarët u kanë rënë në sy vëzhgime të tilla dhe bashkëpunimi ynë është vetëm zyrtar. Bisedat kanë vetëm karakter pune. Ndodh nganjëherë, që gjithë ditën nuk këmbejmë asnjë fjalë me punonjësit e portit, çka mund të argumentohet me frikën e madhe që kanë punëtorët.
PROPAGANDA/ Librat e Enverit në sirtarët e STAS-it
Ambasada shqiptare në RDGJ është marrë në vitet ’80 me shpërndarjen e materialeve propagandistike në Gjermani. Në shumë raste materialet propagandistike që vinin nga Shqipëria përfundonin në duart e STAS-it. Ambasada shqiptare është marrë edhe me mbledhjen e informacioneve në rrugë jozyrtare.
Këtë e tregon një dokument që gjendet në arkivat e STAS-it. Dokumenti me nr. 22854 është shkruar nga kapiteni Becker, i cili ka hedhur në letër ato çka i ka treguar IMB me pseudonimin “Runge” (bashkëpunëtor jozyrtar për përpunimin e personave të dyshuar si armiq).
Dokumenti që mban datën 6 shkurt 1985, tregon se “Runge” ka raportuar se ambasadori i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në Republikën Demokratike Gjermane ka treguar interes të madh për marrjen e informacioneve mbi aktivitetet e anëtarëve të Byrosë Politike të SED (Unionit Socialist Gjerman – Partia në pushtet) të cilat nuk publikohen në shtyp.
Po ashtu, ai ka kërkuar që për marrjen e informacioneve të tilla të përdoren edhe rrethet e miqve. Burimit i është kërkuar po ashtu të përpunojë informata për rolin dhe pozicionimin e Kishës në RDGJ dhe për temën e “Kisha si mbulesë për grupe të ndryshme opozitare”. Këto informacione ai duhet t’ia dorëzojë ambasadorit shqiptar deri në shkurt të 1985-s.
Një dokument tjetër është shkruar po ashtu nga kapiteni Becker, por ai përmban informata të dhëna nga IMS me pseudonimin “Pit” (bashkëpunëtor jozyrtar për sigurimin e objekteve).
Në të thuhet se “nga një burim i besueshëm u mësua se gjatë një bisede me një diplomat shqiptar në ambasadën e RPSSH-së në RDGJ është treguar interesim për këto informacione: si punon SED? çfarë detyrash kryejnë drejtuesit e rretheve dhe qarqeve të SED-së për përmirësimin e kushteve të punës dhe organizimit të saj, çfarë pengesash shfaqen në arritjen e rendimenteve në ndërmarrje dhe si ndikon partia për mënjanimin e tyre, çfarë roli luajnë partitë e bllokut, a kanë ata komitete nëpër ndërmarrje? Më tej janë bërë pyetje për marrëdhëniet midis RDGJ-së dhe RFGJ-së.
Diplomati shqiptar ka shprehur mendimin se për udhëheqjen shqiptare çështja gjermane është e mbyllur. Që Ministria e Sigurimit të Shtetit, STAS-i ka mbajtur shumë mirë evidenca për aktivitetet jodiplomatike të diplomatëve shqiptarë në RDGJ e tregon edhe një dokument tjetër, i datës 30 tetor 1980. Ai bën fjalë për shpërndarjen e materialeve politike propogandistike.
DOKUMENTET/STAS-i interes për albanologët
Ish-sigurimi gjermano-lindor ka treguar interes për Kongresin e gjuhës shqipe të zhvilluar më 7 dhe 8 dhjetor 1984 në Tiranë. Sipas dokumenteve që ndodhen në arkiv, STAS-it nuk i ka interesuar përmbajtja dhe qëllimi i kongresit, por vetëm pjesëmarrësit në të, një pjesë e të cilëve ishin albanologë të shquar që vinin nga Gjermania Lindore ose ajo Perëndimore.
Sipas dokumentit 22854, të sektorit që merrej me kundërspiunazhin në Ministrinë e Sigurimit të RDGJ-së, major Ditrich ka marrë raportin mbi kongresin e gjuhës nga bashkëpunëtori me pseudonimin “doktori”.
Bashkëpunëtori ka qenë një GMS, që do të thotë se ka qenë bashkëpunëtor shoqëror i sigurimit, një lloj i veçantë bashkëpunëtori jozyrtar, të cilët kanë filluar të regjistrohen pas vitit 1968. Dokumenti quhet – Kongresi për problemet e gjuhës shqipe, më 7 dhe 8 dhjetor 1984, në Tiranë.
Në të shkruhet: Shërbimit tonë i është bërë jozyrtarisht e ditur se kongresi zhvillohet nën kujdesin e gruas së Enver Hoxhës dhe duhet të gjejë pasqyrim të gjerë në shtypin shqiptar. Në kongres, i cili kishte në rend të ditës çështje të transformimit të gjuhës, ortografisë e gramatikës, merrnin pjesë 300 shqiptarë.
Ata ishin përveç se gjuhëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Universitetit të Tiranës edhe njerëz të kulturës e të shkencës. Përveç tyre në kongres merrnin pjesë edhe dr. Köteritz (dr. Këteric), historian gjuhe, nga Gjermania Perëndimore.
Nga Gjermania Perëndimore ishte ftuar edhe një albanolog tjetër, i cili nuk erdhi në kongres. Po ashtu, pjesë merrte një albanolog nga Suedia, katër italianë (ndër të cilët një farë dr. Altimari), një francez dhe një greke (me origjinë shqiptare).
I ftuar, po ashtu, ishte një shkencëtar jugosllav, i cili për arsye që nuk dihen nuk morri pjesë në kongres. Gjuhëtarë bullgarë nuk u ftuan. Një diplomat i ambasadës bullgare në Tiranë tregoi pakënaqësi të madhe, sepse Republika Popullore e Bullgarisë është përpjekur kohët e fundit për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë.
Në kongres morën fjalën katër shkencëtarë të huaj: dr. Këteric, dr. Altimari, një gjuhëtar nga RDGJ-ja dhe një francez. Më pas raporti tregon për çfarë është folur nëpër korridore. Për shembull, në një nga pasazhet lexohet: “Prof. Buda, nga Akademia shqiptare e Shkencave, më tha se prof. Irmscher (Irmsher) nga Akademia e Shkencave të Gjermanisë Lindore (RDGJ) do të marrë së shpejti një ftesë për të marrë pjesë në një kolegjium gjuhe në Tiranë. Tema nuk është bërë e njohur.
Buda më tha po ashtu se Akademia e Shkencave të Gjermanisë Lindore është e gatshme të ndihmojë Akademinë shqiptare të Shkencave për përpunimin e një gramatike për mësimin e gjuhës shqipe. ASHSH-ja është në çdo kohë e gatshme të konsultohet.
Më pas shkruhet: Në një diskutim me prof. Budën u bë e njohur se Shqipëria ka bërë plane për të zgjeruar mësimin e gjuhës gjermane. Gjermanishtja do të futet si gjuhë e huaj në shkolla. Jozyrtarisht thuhet se Shqipëria do t’i drejtohet Gjermanisë Perëndimore (RFGJ), nëse nuk merr ndihmën e duhur nga Gjermania Lindore.
Deutsche Welle / Përgatiti për botim L. Veizi