Pamjet vijnë nga brenda kampit Al-Hol në Siri, ku janë të strehuar disa shqiptarë, mes tyre dhe fëmijë.
Forcat e Antiterrorit, kanë publikuar sot pamjet nga operacioni i riatdhesimit të shqiptarëve në këtë kamp, nga ku fatmirësisht u morën 4 fëmijë dhe një grua dhe u riatdhesuan.
Mësohet se operacioni në fjalë u zhvillua teksa trupat kurde ndërronin turnin. Në pamje shihen vendbanimet e shqiptarëve, të cilët jetojnë në kushte tejet të vështira brenda këtij kampi.
Në video shfaqen pamje të trishta, rroba fëmijësh të nderura në tel, pellgje dhe depozita me ujë e çadra të vendosura në mes të shkretëtirës, ndërsa shihet teksa forcat Antiterror janë në aksion për gjetjen e shqiptarëve.
Nën ferrin e luftës për disa vite, 4 fëmijët shqiptarë mbërritën mesditën e sotme në aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për 12 vjeçarin Endri Dumani dhe 3 fëmijët dhe nusja e familjes Shuli.
Ata shoqëroheshin nga kryeministri Edi Rama dhe ministri Sandër Lleshaj, të cilët ishin në Beirut për ti marrë drejt Shqipërisë. Jashtë ambienteve të aeroportit ata priten nga familjarë të shumtë./Bl.Ba/Fjala.al