Vllaznia fiton miqësoren “e fundit” me Kastriotin, i falet një autogoli

Një autogol i Bojomit në fillimin e pjesës së parë u jep triumfin shkodranëve. Në atë që me shumë gjasa do të jetë miqësorja e fundit e këtij pragsezoni të stërzgjatur nga bojkoti i Ligës Profesioniste të Futbollit, Vllaznia ka mundur të mërkurën minimalisht Kastriotin.

Në fakt, ka qenë një autogol që ka vendosur fatin e ndeshjes, ndërsa spikati fakti që të dy trajnerët aktivizuan praktikisht dy skuadra, nga një për secilën pjesë loje, edhe duke synuar nga njëra anë të mbajnë lojtarët në tonus, e nga ana tjetër, t’i ruajnë ata për përballjet e mundshme të javës së parë të Kategorisë Superiore.

Kështu, Vllaznia e ka nisur takimin me Zogoviçin në portë, e më pas me Gurishtën, Adilin, Imamin, Isaevskin, Krymin, Markun, Krujën, Viktor da Silvan, Imerin dhe Dilaverin, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Tomas Brdariç aktivizoi në portë Qarrin, e më pas Lekaj, Isufin, Shehin, N. Hoxhajn, Ramadanin, Jonuzin, Kalajën, Sidorenkon, A. Hoxhajn dhe Çobajn.

Ndërkohë, edhe homologu Ramadan Ndreu bëri një numër të madh të ndryshimesh, sidomos në pjesën e dytë, duke u dhënë minuta të gjithë grupit. Në fakt, fati i këtij takimi është vendosi pas vetëm 8 minutash lojë, pas një një autogol i mbrojtësit të Kastriotit, Bojom.Me epërsinë njëgolëshe të shkodranëve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta nuk do të sjellë gola të tjerë dhe Vllaznia e fiton kështu me rezultatin 1-0 këtë miqësore ndaj Kastriotit.

la.mi/Fjala.al