Legjenda e futbollit Roza Haxhiu që u shua në moshën 34-vjeçare

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

90-VJETORI I LINDJES/ (16 tetor 1930-16 tetor 2020/90 vjetori i lindjes – Abdurrahman Roza Haxhiu, legjenda e futbollit shqiptarë)

 Nga Kevin Haxhiu

Abdurrahman Roza Haxhiu, i njohur si Roza Haxhiu, lindi në qytetin e Lushnjës, më 16 tetor 1930. Djali i patriotit të shquar shqiptar Bajram bej Haxhiu, i cili ishte një nga anëtarët e komisionit nismëtar të thirrjes dhe organizimit të Kongresit të Lushnjës dhe i vëllai i atdhetarit të shquar për çështjen kombëtare shqiptare në diasporën e shqiptarëve të Egjiptit, Qerim Haxhiu.

Futbolli për Rozën ishte një ëndërr që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vendlindjes. Haxhiu ishte një futbollist dhe trajner i shquar shqiptar në vitet ‘40-‘60. Ai luajti si futbollist me Traktorin e Lushnjës, Besën e Kavajës, Partizanin, Dinamon dhe Kombëtaren shqiptare. Gjithashtu, ishte edhe trajner me Traktorin e Lushnjës. Në vitet 1945 – 1947 Roza u aktivizua me ekipin e të rinjve të Traktorit të Lushnjës, ku u dallua si titullar.

Dilaver Toptani, i cili ishte inspektor i fizkulturës, mësues, trajner dhe futbollist në Lushnjë, në vitet 1947 – 1949, kur pa cilësitë e Haxhiut, do ta dërgonte për specializim si trajner në Tiranë, në një kurs që drejtohej nga kuadro sovjetike (rusë). Gjatë kampionatit të vitit 1948 – 1949 emri i Rozës i kalon kufijtë e Lushnjës. Ai në vitin 1950 shkëlqeu si mesfushor te Besa e Kavajës, ndërsa një vit më vonë luajti për herë të parë në ekipin e Partizanit. Në vitin 1953 trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Loro Boriçi, e futi Haxhiun në formacionin e ekipit që merrte pjesë në Bukuresht, në Festivalin Botëror të Rinisë dhe Studentëve.

Në vitin 1955 Roza luante në ekipin e Dinamos dhe në fund të ndeshjes Dozha e Budapestit – Dinamo futbollisti i shquar hungarez Suza ka thënë për Rozën: “Ai është një futbollist i kalibrit evropian”. Futbollisti i talentuar Roza Haxhiu ka dhënë një kontribut të madh edhe në kombëtaren shqiptare dhe veçanërisht në fitoret ndaj Çekosllovakisë dhe Polonisë. Në vitin 1957, në finalen e kampionatit të 20-të kombëtar që zhvillohej midis dy ekipeve kryeqytetase (derbi) Partizani-Dinamo, Haxhiu bëri golin e tretë. Tifozët e Partizanit e festuan në mënyrë madhështore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” fitoren e kampionatit, gjithashtu ata e ngritën në krah futbollistin e talentuar dhe golashënuesin e ndeshjes Abdurrahman Roza Haxhiu.

Në Leipzig të Gjermanisë, Haxhiu me ekipin e Partizanit në vitin 1958 dha maksimumin e tij në fitimin e medaljeve të argjendta. Viti 1958 për Rozën ishte vit i suksesit të madh, por gjithashtu do të ishte dhe tepër i rëndë, pasi ai gjatë një ndeshjeje miqësore që zhvillonte me ekipin e Partizanit në Bullgari, gjatë lojës u godit me takë futbolli në kokë. Goditja me takë do t’i shkaktonte një sëmundje të pashërueshme, por Haxhiu nuk u largua nga futbolli, por me zemër, dëshirë dhe pasion vazhdoi të ishte në fushën e lojës edhe si trajner, edhe si futbollist deri sa ndërroi jetë.

Lexo edhe :  Sonte nata e parë e “Eurovision 2025”, Shqipëria përfaqësohet nga Shkodra Elektronike

Në vitin 1959 luajti përsëri me Dinamon e më pas kthehet atje ku e nisi ëndrrën e tij në fushën e blertë të vendlindjes. Këtë herë Roza do të ishte trajner dhe futbollist njëkohësisht në ekipin e Traktorit të Lushnjës. Në vitin 1960 ekipi i futbollit lushnjar Traktori, i drejtuar nga trajneri Roza Haxhiu, shpallet kampion në Kampionatin e Kategorisë së Dytë. Në maj – korrik 1963 Haxhiu caktohet për përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14-vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa”, në Durrës. Në periudhën shkurt – mars 1964 ai punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjës “18 Tetori”.

Goditja me takë futbolli që mori në kokë gjatë lojës, i shkaktoi sëmundjen e rëndë e të pashërueshme, e cila do ta ndante nga jeta më 19 maj 1964, në moshë tepër të re, 34 vjeç. Abdurrahman Roza Haxhiu u nda nga jeta ashtu siç ai e meritonte me nderime, respekte dhe vlerësime. Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark dhe përkulet tek arkivoli me trupin e të birit “Ah mor bir… nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë…”. Abdurrahman Roza Haxhiu, përveç se një futbollist i talentuar ishte dhe tepër simpatik. Ai teksa vizitohej nga doktori italian dhe infermieret e spitalit në vitin 1947, do të thirrej ”che bella rosa” – “çfarë trëndafili i bukur”. Emri Roza do të përforcohej më tej edhe nga doktori Ihsan Çabej, pas vitit 1950, për t’u përhapur më pas jashtë ambienteve të spitalit dhe mbetur përgjithmonë i skalitur në mendjen e qindra mijërave sportdashësve e më gjerë. Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht, sepse emri dhe karriera futbollistike që ai la pas do të jenë të pavdekshme në historinë e futbollit shqiptar.

Haxhiu u nderua pas vdekjes në vitin 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm Pluralist Lushnjë, me vendim nr.124, datë 16 gusht 1991, në pikën 1 të vendimit vendosi që stadiumi i futbollit të qytetit të Lushnjës të emërohet stadiumi Abdurraman (Roza) Haxhiu. Këshilli i Bashkisë së Qytetit Lushnjë me Vendim Nr.30,datë 20 maj 1994 me votim të plotë vendosi që Zoti Abdurrahman Roza Haxhiu ti jepet titulli “Qytetar Nderi”. Në vitin 1999 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u nderua me titullin “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Së fundi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e vlerësoi futbollistin dhe trajnerin e shquar shqiptar Abdurrahman Roza Haxhiu (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” me motivacionin:-“Në shenjë vlerësimi për kontributet e jashtëzakonshme në zhvillimin e futbollit në qytetin e Lushnjës dhe lojën e tij të paharruar si lojtar i Ekipit Kombëtar. Një futbollist me aftësi të shkëlqyera, ‘dëshmor’ i fushës së blertë, një sportist model, i cili u bë shembull frymëzimi për futbollistët e rinj”.

 

Të fundit

Përplasen dy helikopterë, humbin jetën të gjithë personat që ndodheshin në to

Dy helikopterë privatë janë përplasur në Finlandë, duke lënë pas viktima. Të pesë pasagjerët e helikopterëve që u përplasën në...

Greqia padit Adidas për reklamën me Akropolin, shkelje e trashëgimisë kulturore

Autoritetet greke kanë nisur veprime ligjore pasi pamjet e një reklame të re të Adidas, ku Akropoli i shekullit të V p.e.s. shfaqet si...

Shqipëria në finalen e Eurovision/ Votoni ‘Zjerrm’, le ta çojmë atje ku e meriton

Nata finale e Eurovision, ku Shqipëria përfaqësohet me Shkodrën Elektronike dhe hitin ‘Zjerrm’ po përcjell emocione të veçanta në botën mbarëshqiptare. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe...

Opozita kontenstoi votat/ Celibashi nxjerrë blof Berishën: PD nuk ka sjellë asnjë provë

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi deklaroi se Partia Demokratike nuk ka paraqitur asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj mbi manipulimin e votave të ardhura...

Modë, muzikë dhe turizëm/ Vlora çel sezonin turistik me mbrëmje festive

Në një skenë gjigande të ndërtuar në shëtitoren Lungomare, pranë "Ujit të Ftohtë" Vlora çeli zyrtarisht mbrëmjen e sotme sezonin turistik. Çelja e sezonit u...

Lajme të tjera

Web TV