Të përqafuar nën rrënoja, si kthye në tragjedi dashuria e dy të rinjve grekë

Dy të rinj që humbën jetën në ishullin grek Samos janë gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit të përqafuar nën rrënoja.

Ata janë një vajzë 15-vjeçe dhe një djalë 17-vjeçar, të cilët humbën jetën si pasojë e një muri që u shemb nga tërmeti, në kohën që dy të rinjtë po kalonin aty pranë.

Mësohet se ata të dy ishin të dashuruar me njëri-tjetrin, por në momentin kur ata kanë vënë re se një bllok muri po iu binte sipër, djali e ka përqafuar vajzën, duke mos e menduar për asnjë moment më se ai do të ishte përqafimi i fundit.

Babai i 17-vjeçarit është shprehur për mediat greke se ai u shqetësua kur i biri nuk po i përgjigjej thirrjeve në telefon menjëherë pas tërmetit, duke e detyruar që të nisë kërkimet.

Dy të rinjtë u gjetën nën rrënoja disa orë pas tërmetit.

Kujtojmë se 27 persona humbën jetën dhe 804 të tjerë u plagosën si pasojë e tërmetit fatal që ka goditur ujërat e Seferihisar në qytetin e Izmirit në Turqi.

Autoritetet vendase kanë bërë të ditur se pas tërmetit 6.6 i shkallës Rihter, në vend, janë regjistruar 244 pasgoditje të vogla, 25 prej të cilave ishin mbi 4 ballë.

Operacionet e shpëtimit kanë vijuar dhe gjatë natës dhe janë ende duke vijuar. Bëhet me dije se aktualisht kërkimet janë përqendruar në 17 ndërtesa.

AFAD njoftoi se tërmeti ndodhi në ora 14:51 sipas kohës lokale në një thellësi prej 16,54 kilometrash./Re.D/Fjala.al