Themeluesi dhe kryetari ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, Klaus Schwab, bën thirrje për një lloj të ri të kapitalizmit post-covid-19.
Asnjë ngjarje e madhe apo e rëndësishme që nga Lufta e Dytë Botërore nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë global si COVID-19. Pandemia ka krijuar një krizë shëndetësore dhe ekonomike në një shkallë e panjohur për breza të tërë më parë, ndërsa po ndikon negativisht duke përkeqësuar një numër problemesh me natyrë sistemike siç janë pabarazitë social-ekonomike dhe qëndrimet e fuqive të mëdha.
E vetmja përgjigje e pranueshme ndaj një krize të tillë është të mendojmë e veprojmë drejt një “Rifillimi të Madh” të ekonomive, politikave dhe shoqërive tona. Ka ardhur koha për një rivlerësim të parimeve apriori të pa lëvizshme të sistemit parapandemik, por edhe për mbrojtjen e disa vlerave më afatgjata. Detyra jonë është të ruajmë arritjet e 75 viteve të kaluara në një formë më të qëndrueshme.
Në dekadat që nga Lufta e Dytë Botërore, bota bëri hapa të paparë në luftën kundër varfërisë, uljen e vdekshmërisë së fëmijëve, rritjen e jetëgjatësisë dhe edukimin e njerëzve. Sot, bashkëpunimi dhe tregtia ndërkombëtare, e cila krijoi dhe konsolidoi përmirësimet e pasluftës në këto dhe shumë fusha të tjera të progresit njerëzor, duhet të ruhet dhe të mbrohet nga një skepticizëm i ri që përpiqet të gadasë meritat e tyre.
Në të njëjtën kohë, bota duhet të mbetet e përqëndruar në çështjen thelbësore e përcaktuese të epokës para-pandemike : “revolucioni i katërt industrial” dhe dixhitalizimi i aktiviteteve të panumërta ekonomike.
Përparimet e fundit në teknologji na vënë në dispozicion mjetet dhe instrumentet që na duhen për të trajtuar krizën aktuale – veçanërisht përmes zhvillimit të shpejtë të vaksinave, trajtimeve të reja mjekësore dhe pajisjeve mbrojtëse personale.
Ne do të duhet të vazhdojmë të investojmë në kërkime dhe zhvillim, edukim dhe inovacion, ndërsa ndërtojmë sisteme mbrojtje dhe reagimi ndaj atyre që mund të keqpërdorin teknologjinë.
Por elementet thelbësore dalluese të sistemit tonë ekonomik global, gjithashtu do të duhet të rimendohen me një mendim të hapur, para së gjithash në lidhje me ideologjinë neoliberale.
Fondamentalizmi i tregut të lirë ka cënuar e gërryer të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë ekonomike, duke na cuar në një garë në fund përmes derregullimit dhe konkurrencës shkatërruese të taksave, si dhe në shfaqjen e monopoleve të reja kolosale globale.
Rregullat e tregtisë, taksave dhe konkurrencës, të cilat pasqyrojnë dekada të ndikimit neoliberal, do të duhet të rishikohen, përndryshe penduli ideologjik – tashmë në lëvizje – mund të peshojë e spostohet vetëm nga një anë, drejt proteksionizmit total dhe strategjive të tjera ekonomike humbës-humbës.
Më saktësisht, do të na duhet të rishikojmë lidhjen tonë të përbashkët me “kapitalizmin” ashtu siç ne e njohim atë. Padyshim që e gjithë kjo nuk ka të bëjë me braktisjen e motorrëve themelorë të rritjes ekonomike dhe zhvillimit.
Për pjesën dërrmuese të zhvillimit dhe progresit të kaluar shoqëror ne i detyrohemi sipërmarrjes, si dhe aftësisë për të krijuar pasuri duke marrë rreziqe dhe duke ndjekur modele inovative biznesi. Ne kemi nevojë për tregje për të alokuar në mënyrë efikase burimet, si dhe prodhimin e mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht kur kemi të bëjmë me çështje të tilla si ndryshimi i klimës.
Sidoqoftë, duhet të rimendojmë atë që ne nënkuptojmë me “kapital” në shumë forma, qofshin ato financiare, mjedisore, sociale apo humane. Konsumatorët e sotëm nuk duan më thjeshtë produkte dhe shërbime më të mira, më shumë produkte dhe me çmime më të ulta.
Ata tani preferojnë që kompanitë të kontribuojnë në mirëqenien sociale dhe të mirën e përbashkët. Ekziston njëkohësisht një nevojë themelore dhe një kërkesë gjithnjë e më e përgjithësuar për një lloj të ri të “kapitalizmit”.
Për të rimenduar kapitalizmin, duhet të rishikojmë rolin e biznesit të madh. “Biznesi është biznes”, ka thënë ekonomisti dhe fituesi i Nobelit Milton Friedman, një pionier i neoliberalizmit (duke përmendur ish-Presidentin e SHBA Calvin Coolidge).
Sidoqoftë, në zhvillimin e tij të doktrinës së përparësisë së aksionerëve, ai konsideroi se një kompani e listuar në bursë nuk duhet të jetë vetëm një njësi tregtare, por edhe një organ shoqëror.
Kriza COVID zbuloi gjithashtu se ato kompani që kishin investuar në forcimin e vitalitetit të tyre afatgjatë, ja dolën më mirë përballë stuhisë. Në fakt, pandemia ka përshpejtuar kalimin drejt një modei të kapitalizmit të korporatave të bazuar në palët e interesuara, sapo ky koncept u miratua nga tryeza e rrumbullakët e biznesit të SHBA vitin e kaluar.
Megjithatë, që praktikat e një biznesi më të përgjegjshëm nga ana shoqërore dhe mjedisore të zbatohen, sipërrmarrjet kanë nevojë për orientime më të qarta. Pikërisht në këtë perspektivë, Këshilli Ndërkombëtar i Biznesit i Forumit Ekonomik Botëror ka zhvilluar një grup të “Masave të Kapitalizmit të Palëve të Interesit”, në mënyrë që kompanitë të evoluojnë në të njëjtën gjatësi vale kur bëhet fjalë për vlerësimin e vlerës dhe rriskut.
Nëse kriza COVID na mëson një gjë, është që qeveritë, bizneset ose grupet e shoqërisë civile nuk mund t’i përgjigjen të vetëm sfidave sistemike globale. Ne duhet të thyejmë këtë ndarje që ndan fusha të ndryshme dhe të fillojmë të ndërtojmë platforma institucionale në mbështetje të bashkëpunimit publik-privat. Po aq e rëndësishme, brezat e rinj duhet të përfshihen në këtë proces, pasi në thelb ka të bëjë me të ardhmen e tyre afatgjatë.
Së fundmi, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të njohur larminë e profileve, mendimeve dhe vlerave të qytetarëve, në të gjitha nivelet. Secili prej nesh ka identitetin e tij individual, por të gjithë i përkasim një komuniteti lokal, profesional, kombëtar dhe global të interesave të përbashkëta dhe fateve të ndërthurura.
Rrinisja e Madhe duhet të evidentojë zërat e atyre që janë lënë anash rrugës, në mënyrë që çdokush që dëshiron të “bashkë-ndërtojë” të ardhmen mund ta bëjë këtë. Rrinisja që na duhet nuk është as një revolucion dhe as një zhvendosje në ndonjë ideologji të re.
Duhet të jetë një hap pragmatik drejt një bote më elastike, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. Disa nga shtyllat e sistemit botëror do të duhet të zëvendësohen, të tjerët të rriparohen ose forcohen. Nëse duam të arrijmë progres, prosperitet dhe shëndet për të gjithë, këto do të jenë përpjekjet që duhet të bëjmë.
Përgatiti: Adrian Civici