Ish-krerët e UÇK-së në Hagë/ Rama i drejtohet Berishës dhe Metës: Pse votuat pro raportit të Dick Marty në KE

Kryeministri Edi Rama reagon pas akuzave nga politikanët shqiptarë se nuk po mbron krerët e politikës së Kosovës, që po përballen me drejtësinë në Hagë për krime lufte.

Përmes një mesazhi në “Twitter”, Rama i drejtohet ish-kryeministri Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta, duke i pyetur se pse e votuan raportin e Dick Marty në Këshillin e Evropës.

Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europes,kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s’të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s’ta lejon sekreti hetimor?#KrenarpërPS??”, shkruan Rama.

Pas dorëheqjes nga posti i Presidentit, Hashim Thaçi u nis menjëherë drejt Hagës, ku do të gjykohet për krime lufte.

Në konferencën e fundit si President, ai tha se nuk do të lejonte të dilte si President i Kosovës në bankën e të akuzuarve para Gjykatës Ndërkombëtare.

Kujtojmë se në akt-akuzën e publikuar nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, kreu i PDK-së Kadri Veseli, shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi dhe ish-kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte të arrestimit, torturës, vrasjes dhe krime kundër njerëzimit mes Marsit 1998 dhe Shtatorit 1999.

Krimet që paraqiten në akt-akuzë dyshohet të jenë kryer në disa vende të Kosovës dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë. Ndër viktimat e këtyre krimeve, Gjykata Speciale përfshin persona që ishin kundërshtarë të UÇK-së, serbë, romë, katolikë, civilë që pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe dhe shqiptarë që ishin anëtarë ose kundërshtarë të partive të tjera kundër UÇK-së./Re.D/Fjala.al