Kapërcimi i të vdekurve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ese nga Pirro Loli

Poetët dhe artistët e mëdhenj mbeten të tillë sidomos pas vdekjes. Dhe pas vdekjes ata, pa e ditur, lindin, shumëfishohen duke e shtuar jetën e tyre madje, edhe me qindra e mijëra vjet. Të gjithë shkrimtarët kanë një copë lindje nga të vdekurit e mëdhenj. Por ata duhen kapërcyer.

***

Borgesi është shkrimtari dhe esteti i kufijve të rrezikuar. Ndoshta është i vetmi që ka ardhur plotësisht nga një realitet specifik, nga libri. Shkrimtar ardhur nga shkrimtarët, nga biblioteka dhe njëkohësisht më origjinali. Ai e pohon vetë se leximet dhe rileximet kanë qenë kualifikimet e tij. Ai ndikohej nga të mëdhenjtë e vdekur e të gjallë, por për estetët duhet të tërheqë vëmendjen teza e tij se “ Mbi mua kanë influencuar ata që nuk i kam lexuar kurrë, por që janë brenda meje”.

Dhe Luis Borges është Homeri dhe Sokrati, Robert Browining dhe Wiliam Blanke, Franz Kafka dhe …dhe…, por ai më origjinali i origjinalëve, është vetë ai, Jorge Luis Borges; një tjetër i madh, Gabriel Garsia Marquezi deklaron me modesti gjeniale se e ka bërë shkrimtar “Metamorfoza” e F. Kafkës, Jorgo Seferi pohon se ne nga Homeri kemi lindur të gjithë; Kazanxaqi me krenari deklaron se në shpirtin e tij ka lënë gjurmë Buda dhe Niçja, Homeri dhe Bergsoni – pa harruar përvojën “artistike” të personazhit të tij aq unikal, Zorbës.

Mund ta hiqnim fillin kështu shumë gjatë me të vdekurit e vjetër dhe me varre të rinj, por nuk gabojmë të themi se talentet e mëdha në rang vendi e kontinenti i kanë ngjallur të vdekurit e preferuar, pra, i kanë kapërcyer ata. Ky përfundim optimist bie ndesh me trishtimin e shpallur të “Vdekjes së muzave”. Sidoqoftë , sikur secili të ndezë një qiri të vockël në botën e tij krijuese, quhet detyrë e mbaruar sepse kështu kanë bërë dhe të vdekurit para nesh.

Çdo poet ngrihet në një poet, si në një rrënjë që lëshon trung e degë të reja. Çdo krijues është një rreth që, paçka se sa e ka rrezen, perimetri nuk mund të jetë fatalisht i mbyllur. Apo mos në këtë vargmal të nëndheshëm piramidal kemi të bëjmë me një trafik të ligjshëm vlerash,(?) apo duhet të pranojmë që të gjithë gurët vendosen pas gurit të parë, ose gurit të qoshes, e kështu fondi letrar është një mur gjigant që nuk ka rëndësi guri i përveçëm. Pra, është e paevitueshme rëndësia e gurit të parë. Si pikë referimi dhe ndikimi. Ernesto Saboto, ndoshta ka të drejtë kur thotë: Nuk ekziston as në art as në ndonjë vepër tjetër të njeriut. Gjithçka ngrihet mbi diçka të mëparshme”

…Pas rënies së sistemit komunist, etja e krijuesve tanë për të rënë në kontakt e për të imituar letërsinë moderne perëndimore ishte gërryese. Uri dhe mos ngopje. Përtypje pa përtypur. Grahën ndër ne qyteteve e fshatrave, katedrave e akademive, shoqatave e shkrimtarëve dhjetëra korifenj të të gjitha zhanreve në letërsi e në arte dhe ne, të etur u hodhëm dorën në qafë e të gjithë ata na dolën kushërinj të parë, fshatarë nga fshati im, krushq e të afërm me Rembonë e Apolinerin, Borgesin dhe Ginsbergun, Brodskin dhe Kafkën, Eliotin dhe Erza Paundin, Ahmatovën dhe Mandeshtamin…

Të gjithë pranojmë se të ushqehesh me elitat e ruan trupin dhe shpirtin në formë, por akoma nuk po kuptojmë mirë se afrimi dhe përballja me të vdekurit e mëdhenj është e rrezikshme. Gjithçka mund të gjesh në veprat tona që synohet të jenë tonat, por mungon diçka esenciale, mungon thelbësorja, poeti (artisti) që duhet të ishte brenda tyre., mungon”unë” dhe “ti” si thelbe origjinale. Të vdekurit e mëdhenj të vrasin pakuptuar, të buzëqeshin, të duket sikur janë gati të të mbushin duart me dhurata të çmuara, “ janë gati” të të falin edhe troje e çifligje nga metaforat e tyre dhe …dhe … ti, mor vëlla, nuk je më. Gjithmonë midis shkrimtarësh e artistësh kemi një duel të heshtur.

Si midis paraardhësve dhe pasardhësve. Jo vetëm ndër të vdekur, por dhe midis bashkëkohësisë e që, midis saj shpesh konfliktet marrin pamje groteske. Të patalentuarit zakonisht zgjasin duart në varreza e pavarësisht nga botimet e titujt, frymojnë dhe tymosin në mosqenie. Ne jemi akoma të traumatizuar nga ish-shkrimtarët e mëdhenj të RS, nga bejlerët e asaj letërsie nga ajo mosqenie artistike që reziston, kamuflohet dhe bën ç’është e mundur të mbahet gjallë siç mbahen kufomat, pa u bërë asnjëherë autopsinë shkencore. Domethënë frymojnë si infeksion.

Rreziku është akoma më i mprehtë në abuzimet pseudo-demokratike rreth lirisë krijuese, të drejtave të shkrimit e të botimit. Po të shikosh me vëmendje botimet në liri, pa mohuar edhe vepra dhe vlera dinjitoze, nuk është vështirë të kuptosh se kjo “liria” jonë paska qenë edhe tragjike për letërsinë dhe artet, sepse njëherazi, të tregon edhe caqet e saj, maskën, falsifikimin ose të pamundurën.

* * *

Më duket se dhe letërsia e re ruse pas 1990-ës nuk i ka kapërcyer dot të vdekurit e saj të mëdhenj. As në letërsi as në arte. Ndër ta duhet të shikojmë dhe një specifikë: Të vdekurit e tyre të mëdhenj, të mohuar nëpër vende të tjera, vazhdonin të ishin gjallë edhe në dherat e huaja të realizmit socialist stalinist. Kanunet artificiale bolshevike të Stalinit, Zhdanovit, Gorkit, Fadajevit etj., megjithë egërsinë e tyre, nuk mundën dot të mohonin dot Tolstoin, Turgenievin, Gogolin, Çehovin, Dostojevskin etj, sepse ata ishin të vdekur të pa kapërcyeshëm që ishin bërë tashmë vlera të padiskutueshme botërore.

Lexo edhe :  Mbi 48 mijë objekte pasuri kulturore në Shqipëri

“Tregimet e një gjahtari” të Turgenievit, poezia aq e brishtë e tregimeve të Çehovit, “Shpirtrat e vdekur” të Gogolit, “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit kishin ushqyer mijëra letrarë kudo ne botë. Këta ishin fantazistë gjenialë dhe vetmitarë të mëdhenj të Evropës, sfiduar më pas nga irrealiteti i Kafkës a Borgesit. E, ndoshta ka një lidhje të shkurtër (elektrike) midis kujtimeve të gjahtarit dhe tregimeve të Nik Adamsit të Heminguejit. Ata që kapërcyen vetveten aq sa stepat me mëngjeset e tyre të argjendta, pyjet dhe vërshimin e lumenjve, nuk e gjenin në natyrë, por brenda vetvetes.

E gjithë poezia e tyre u gurgullonte në shpirt, prandaj ishin të papërkulur edhe ndaj metodave vrastare të harresës staliniste. Zhdanovistët tentuan të mohonin, madje edhe të dënuarit e mëdhenj, Pushkini, Mandeshtami, Ahmatova, Cvetajeva etj., pse jo dhe poetët e vetëndëshkuar komunistë, si: Majakovski, Esenin etj., dhe vërtet i mbuluan me baltë fizikisht e përkohësisht, por ata vazhdojnë të ngrihen nga balta. Të gjithë këta të vdekur nuk janë kapërcyer. Romani “Krim e ndëshkim”, p.sh., i Dostojevskit, ngërthen elemente psikologjike, etike e filozofike harmonizuar me mjeshtëri magjike.

E theksoj këtë vepër sepse ka mbetur një shembull i shkëlqyer i një realizmi të thellë dhe, jo vetëm për këtë është bërë vlerë e përbotshme. Është roman plotësisht i arsyeshëm dhe i paarsyeshëm. Krimi i Raskolnikovit, sipas logjikës së tij është i motivuar, sepse thelbi i botëkuptimit të tij ishte “gjithçka lejohet”. Krimi është ana e dukshme, e jashtmja, racionalja. Por krimi nuk ia arrin qëllimit. Përmasat e tij vrasin në nënndërgjegje, atje ku fillon reaksioni gërryes i irracionales. Thellësitë e pavetëdijes së tij rrahin me zemër të lënduar dhe synojnë për ta asgjësuar krejt ngrehinën e krimit në përgjithësi. Ndëshkimi ose vetëndëshkimi e ka shpëtuar veprën nga seriali i librave policeske.

Krimineli ynë u vetizolua dhe nga motra e nëna edhe nga prostituta e dashur Sofia. Dhe ky izolim ishte më i rëndë se burgu, nëse do ta deklaronte vrasjen. Gjatë gjithë nëntekstit ndeshet krimi dhe ndëshkimi, logjika me pavetëdijen, realizmi dhe fictioni. Raskolnikovi nuk i shpëton dot vdekjes shpirtërore. Ndëshkimi triumfon dhe pezull mbetet fundi i studentit që vrau fajdexheshën plakë, pezull mbetet “padrejtësia që një plakë në grahmat e vdekjes ka miliona dhe studenti ynë numëron kopekët për supën e darkës; pezull mbetet dhe e drejta universale për të dënuar kriminelët e mëdhenj që vrasin me mijëra e mijëra dhe i zë gjumi të qetë.

Dhe ata të tipit “Napolon” që paçka se bënë shtet e kushtetutë vranë njerëz me miliona… Po them dhe unë, ata të mëdhenjtë me emrat napolon, stalin a hitler, me fitoret e vogla dhe humbjet e mëdha mbetën në histori, por nuk krijojnë dot një vepër të madhe të një krimi të vogël si Dostojevski , andaj nëse mbi ta shtohet e rëndon balta e krimit dhe e harresës, poeti ringjallet si feniks dhe si një i vdekur i pakapërcyeshëm. Fatkeqësisht letërsia jonë nuk pati vepra të këtij niveli dhe të vdekurit i ka të kapërcyeshëm.

Ka të vdekur të mëdhenj që kanë vdekur së bashku me idealet dhe iluzionet e tyre politiko-ideologjike, si ata me influenca fashiste të tipit Erza Paund, Gunter Grass, apo si qindra poetë komunistë të tipit Breht, Ricos, Aragon, Eluar, Neruda, Sartri, N. Hikmet, e mijëra të tjerë në Lindjen e kuqe, por nuk ka vdekur vepra e tyre. Njerëzit, gati-gati nuk duan të dinë për autorët, por i kanë fort për zemër “Kantot” e Erzës,, “Anastezinë lokale” të Grassit, dramat e Brehtit,, lirikat e dashurisë së Jani Ricosit, “Sytë e Elsës” të Aragonit etj. etj. Por ka dhe të vdekur të pakapërcyeshëm. Kjo do të thotë që i vdekuri i madh është “fajtor”, ose enigmë, ose misterioz.

Është Homeri, Dante, Gëte…Por më i pakapërcyeshmi, Shekspiri. Për të janë shkruar mijëra libra dhe duket sikur për të nuk ka asnjë enigmë, veçse në asnjërin nuk i janë shtuar drithërimat emocionuese të dramave të tij e njëkohësisht mbetet i padeshifrueshëm në thelbin e vet. Sepse tashmë Shekspiri nuk është në numrin njëjës; ai nuk lejon ta shtrish për t’i bërë autopsinë; është më lehtë të çash barkun tënd ; sepse aftësia e tij gjeniale ka krijuar një shekspir për çdo lexues, apo spektator; sepse Shekspiri i madh nuk ka një thelb, s’ka një univers por mijëra. Vepra e tij vazhdon “të shkruhet” në çdo gjuhë e, së fundi, çdo tentativë par ta kapërcyer(mohuar), e shumta mund të na sugjerojë për ta kuptuar më mirë… (tentoi dhe Tolstoi i madh për ta mohuar, por në fakt ai na dha një Shekspir tjetër.) Kjo është një ligjësi kokëfortë dhe e heshtur e talenteve të mëdhenj.

Edhe ne (relativisht kemi të vdekurit tanë, kemi De Radën, Naimin, Mjedën, Çajupin, Migjenin… Dhe unë nuk e them dot a është kapërcyer poema “Milosao”, “Ëndrra e jetës”; nuk e di a ka ndonjë krijues shqiptar që të rrëzonte Naimin, Migjenin e madh; nuk jam i sigurt në dhjetëra poetë lirikë të poezisë shqipe të kenë kapërcyer ato pesë perlat e Lasgushit… Ndërsa në fushën e eseistikes dhe kritikës letrare, ne nuk i kemi kapërcyer të mëdhenjtë e shquar Faik Konica, Ernest Koliqi, Mitrush Kuteli, Arshi Pipa…

…e do dëshironim të na shtoheshin sa më shumë, këta lloj të vdekurish të pakapërcyeshëm./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Upss, çfarë ishte kjo? Ledri Vula bënë veprimin e papritur ndaj Eglit

Por me veprimin e fundit Ledri ka ndez gjithë rrjetin, shkruan “Kosovarja”. Në ‘story’ Ledri ishte ai i cili ka...

Tirana, zemra ime

Nga Edi Rama Përshëndetje dhe në radhë të parë i uroj mirëseardhjen të gjithë miqve që kanë marrë avionët për të ardhur në këtë samit...

Keni bërë plane për nesër? Si fillim mësoni si do jetë moti

Ditën e enjte vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të qëndrueshme. Orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më...

Lirohet nga detyra prefekti i qarkut të Kukësit, ja kush e zëvendëson (EMRI)

Prefekti i Kukësit, Agron Geca është liruar nga detyra e tij si përfaqësues i kryeministrit në Kukës. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave...

Frika nga tërmetet në Santorini, largohet 2/3 e popullsisë

Dy të tretat e 16,000 banorëve të Santorinit janë larguar pas lëkundjeve sizmike të vazhdueshme që kanë tronditur ishullin për 13 ditë, duke vazhduar...

Lajme të tjera

Web TV