Publikohet ditari i panjohur i udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, të mbajtur plot 60 vite më parë, gjatë periudhës tetor-nëntor 1960, kur ai së bashku me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në udhëheqjen e lartë të PPSH-së së asaj kohe, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, morrën pjesë më festimet e 43-vjetorit të “Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit” si dhe mbledhjen e 81 partive komuniste nga e gjithë bota që u mbajt në sallën “Gjeorgjevskaja” të Kremlinit në Moskë.
Çfarë shkruan ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë për atë ngjarje që konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në historinë e vëndeve komuniste të mbarë botës, por edhe në marrdhëniet në mes Tiranës zyrtare dhe Kremlinit, e cila çoi edhe në prishjen përfundimtare të marrdhënieve në mes tyre, si dhe ç’ndodhte me delegacionin shqiptar, që nga mbërritja e tyre në Moskë, takimet me delegacionet e huaja të partive komuniste që merrnin pjesë aty, bisedimet e acaruara me palën sovjetike të kryesuar prej Nikita Hrushovit, që protestuan për dënimin e Koço Tashkos e Liri Belishovës, etj., e deri në ditën e fundit që ata u detyruan të largoheshin me tren nga Bashkimi Sovjetik…?!
Ditari i Enver Hoxhës për mbledhjen e 81 partivë në Moskë
E HENE 24 TETOR 1960
HYSNIU DHE RAMIZI U KTHYEN NGA BASHKIMI SOVJETIK
Hysniu dhe Ramizi u kthyen nga Moska
E HENE 31 TETOR 1960
BYROJA POLITIKE APROVON FJALEN QE DO TE MBAHET NE MBLEDHJEN E MOSKES
Në mbledhjen e sotme të Byrosë Politike diskutuam dhe aprovuam fjalën e Komitetit Qendror të PPSH që do të mbahet në Mbledhjen e partive komuniste e punëtore në Moskë në nëntor 1960.
E MARTE 1 NENTOR 1960
PLENUMI I KQ APROVON FJALEN QE DO TE MBAHET NE MBLEDHJEN E MOSKES
Sot Plenumi i 20-të i Komitetit Qendror të Partisë dëgjoi dhe aprovoi fjalën që do të mbaj unë, në emër të KQ të PPSH, në Mbledhjen e përfaqësuesve të 81 partive komuniste e punëtore në Moskë në nëntor 1960. Në këtë mbledhje të Plenumit aprovuam dhe përbërjen e delegacionit që do të marrë pjesë në Mbledhjen e Moskës dhe në festimin e 43-vjetorit të Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit. Plenumi përjashtoi Maqo Çomon nga radhët e Komitetit Qendror të Partisë.
TIRANE – BUDAPEST, E ENJTE 3 NENTOR 1960
NISEMI PER NE BASHKIMIN SOVJETIK
U nisëm me avion për në Bashkimin Sovjetik, ku do të marrim pjesë në festimet e 43-vjetorit të Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit, si dhe në Mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore që do të mbahet në Moskë. Gjatë rrugës u ndalëm në Budapest. Në mbrëmje u dha një darkë nga Karoli Kish, në të cilën asistoi edhe ambasadori sovjetik në Hungari, Ustinov.
HUNGARI – BASHKIMI SOVJETIK, E PREMTE 4 NENTOR 1960
NE UZHGOROD
Sot në mëngjes, në orën 8 e 20, u nisëm me tren të posaçëm nga Budapesti për në Çop (kufiri hungarezo-sovjetik). Na shoqërojnë ministri i Drejtësisë i RP të Hungarisë dhe shumë shokë të tjerë. Hungarezët po tregohen të dashur dhe të hapur me ne. Në orën 22°°, me orën e Moskës, arritëm në Çop. Aty na priti sekretari i komitetit të partisë të Uzhgorodit dhe shokë të tjerë sovjetikë. Bisedë dhe darkë e ftohtë. Pastaj me automobil shkuam dhe pamë Uzhgorodin. Ishte natë, por na bënë përshtypje dyqanet, të cilat, megjithëse po afrohej festa e 7 Nëntorit, ishin shumë të varfra.
MOSKE, E DIEL 6 NËNTOR 1960
ARRITEM NE MOSKE
Në orën 83°, me orën e Moskës, arritëm në stacionin hekurudhor “Kievskaja” në Moskë. U pritëm nga F. Kozlovi, sekretar i KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe anëtar i Byrosë Politike. Në stacion pritja ishte zyrtare me rojë nderi, me bandë dhe me trupin diplomatik. Në stacion kishin dalë gjithashtu studentët shqiptarë, të cilët na pritën me entuziazëm të madh. Pastaj Kozlovi na shoqëroi deri në vilën e zakonshme në Zareçie. Pasdite morëm pjesë në mbledhjen solemne në pallatin e sportit “Lluzhniki”, me rastin e 43-vjetorit të Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit.
MOSKE, E HENE 7 NENTOR 1960
FALSITET NE QENDRIMET E UDHEHEQESVE AKTUALE SOVJETIKE NDAJ NESH
Sot në mëngjes, nga tribuna e mauzoleut “Lenin- -Stalin”, asistuam në paradën ushtarake dhe në manifestimin popullor të banorëve të Moskës me rastin e 43-vjetorit të Revolucionit të Madh të Tetorit. Taktika e zbatuar nga ana e udhëheqësve aktualë sovjetikë dhe konkretisht e Kozlovit, që dje kur arritëm në Moskë na shoqëroi deri në Zareçie, nuk tregon asgjë të sinqertë nga ana e tyre, pse çdo herë tjetër që ne kemi ardhur në këtë vend, edhe në kohët e mira, domethënë pa plasur mosmarrëveshjet ideologjike midis nesh, këta vetëm sa na jepnin dorën dhe ndaheshim që në stacion. Sot Kozlovi erdhi për të ngrënë mëngjesin me ne dhe përsëri na buzëqeshte në mënyrë false. Kur u ulëm për të ngrënë bukë, ai, në mënyrë artificiale dhe të neveritshme, filloi të flasë për lidhjet dhe miqësinë që gjoja ka me ne. U përpoq të bënte disa “spunto” për të tatuar terrenin, por dhe ne i bëmë disa “kundërspunto” dhe me kaq mori fund mëngjesi. Nga shokët kinezë mësuam sot se Nikita Hrushovi, prapa krahëve dhe në prani të Liu Shao Çisë, ka sulmuar udhëheqjen e Partisë sonë. Si e pse do ta sqarojmë më mirë më vonë.
MOSKE, E MARTE 8 NENTOR 1960
NJE, VEPRIM I PANDERSHEM DHE ANTIMARKSIST I HRUSHOVIT
Nikita Hrushovi më ftoi në takim, po unë nuk shkova. Në të vërtetë ne kishim vendosur që unë të shkoja në këtë takim, ashtu siç kërkoi Nikita, edhe pse e di që ai orvatet të realizojë taktikën e përçarjes; sidoqoftë unitetin tonë s’e çan dot ky kryerevizionist. Por sot Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik na dorëzoi një letër të gjatë që më 5 nëntor 1960, i’a ka drejtuar Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe ua ka shpërndarë edhe të gjitha delegacioneve pjesëmarrëse në Mbledhjen e partive komuniste e punëtore të Moskës. Duke e lexuar këtë letër, pikërisht kur po përgatitesha për të shkuar në takim, pashë se në të vendi ynë nuk figuronte në radhën e vendeve socialiste. Pashë gjithashtu se aty sulmohej Komiteti ynë Qendror, dhe akuzohej për veprim me metoda antidemokratike kundër Liri Belishovës dhe Koço Tashkos, vetëm sepse janë “miq” të Bashkimit Sovjetik, e shpifje të tjera. Atëherë thirra Andropovin dhe i thashë se refuzoja të shkoja në takim me Nikita Hrushovin, pse ai, në mënyrë jo të ndershme, jomarksiste dhe duke shpifur, pa pritur të bisedonte më parë me mua, ka sulmuar Partinë tonë me anë të një dokumenti zyrtar ndërkombëtar, për ta diskredituar atë në sy të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Ky veprim i Nikita Hrushovit do të thotë se ai jo vetëm që na sulmoi, por, në fakt, krijoi kushte jo të barabarta për bisedime.
MOSKE, E MERKURE 9 NËNTOR 1960
PER DARKE TE MORIS TOREZI
Dje refuzuam takimin me Hrushovin. Sot, që në orën 80° të mëngjesit, më mori direkt në telefon Moris Torezi. Më ftoi të kalonim darkën së bashku dhe të bisedonim për çështje të ditës. Pranuam ftesën e tij dhe shkuam në takim. Bisedën e hapën shokët francezë. Insistuan të dinin përse refuzojmë të takojmë sovjetikët. Ua shpjeguam arsyet dhe u thamë si kanë vepruar ata hapur e prapa krahëve kundër nesh. Natyrisht, nuk u morëm vesh dhe secili qëndroi në pikëpamjet e veta. U duk qartë se ata janë me sovjetikët. Megjithëkëtë u ndamë miqësisht. Na përcollën deri te porta. Por pas këtij takimi, qëndrimi i tyre është i ftohtë. E qartë, Torezi ishte i shtyrë nga sovjetikët për të biseduar me ne, prandaj ka mundësi që biseda jonë të jetë regjistruar.
MOSKE, E ENJTE 10 NENTOR 1960
FILLOI MBLEDHJA E 81 PARTIVE KOMUNISTE E PUNETORE TE BOTES
Në sallën “Georgevskij” filloi Mbledhja e Moskës e 81 partive komuniste dhe punëtore të botës. Neve na e kanë caktuar vendin afër tribunës (apostafat), bile ngjitur e në një radhë me koreanët. Në sallë sundonte një atmosferë mbytëse dhe plot “furtunë” të pashpërthyer. I pari foli Suslovi, i cili mbajti një raport në emër të Komisionit që përgatiti projektin e deklaratës. Sot në Zareçie erdhën për një takim Mikojani, Koz lovi, Suslovi, Pospjelovi dhe Andropovi. Nga ana jonë ishin të gjithë. Bisedë e tmerrshme.
Të dërguarit e Hrushovit erdhën të na mashtronin e të na “bindnin” që të hiqnim dorë nga pikëpamjet tona dhe të mos i ngrejmë ato në Mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore.
Ata jo vetëm që janë në dijeni për mosmarrëveshjet që ekzistojnë midis dy partive tona, pse vetë janë shkaktarët dhe autorët e tyre, por mbi qëndrimin që ne do të mbajmë në mbledhje ata i ka informuar edhe Moris Torezi. Pikërisht ky qëndrim i drejtë, i prerë, demaskues yni i tmerron ata. Të gjitha manovrat po i përdorin sovjetikët në kontaktet e takimet që kemi pasur gjer tani me ta. E bëjnë këtë vetëm e vetëm për të na përkulur, por pa dobi: në fillim na sulmuan, pastaj bënë sikur u zbutën, bënë edhe tërheqje taktike, “njohën” një sërë fajesh, u munduan të na lanin e të na lyenin, bile u përpoqën të bënin edhe diferencime. Por gjithmonë ata hëngrën prej nesh grushte të atilla, saqë s’i kishin parë as në ëndërr.
Këto takime po vërtetojnë mirë se e drejta është në anën tonë dhe se kemi të bëjmë me revizionistë, dredharakë, hipokritë, matrapazë, njerëz pa turp dhe tregtarë të marksizëm-leninizmit. Nga takimi i parë me ne ata ikën me duar bosh dhe plot “plagë” në fytyrë.
MOSKË, E PREMTE, 11 NËNTOR 1960
MIKOJANI KERKON TAKIM TE DYTE
Vazhdon Mbledhja, vazhdojnë edhe prapaskenat e sovjetikëve. Mikojani kërkoi një takim të dytë me ne. Ia dhamë. Erdhi në Zareçie tok me Kozlovin si delegatë të Presidiumit të Komitetit Qendror dhe kërkoi takim të ri për bisedime. Ne pranuam. Do të vemi të gjithë, si një trup. Konstatojmë se ambasada jonë është nën përgjimin e sovjetikëve me anë aparaturash speciale qysh prej 3 vjetësh, qëkurse ajo hyri për herë të parë në ndërtesën e re.
MOSKË, E PREMTE, 11 NËNTOR 1960
ME SHOKET NE ATDHE MBAJME LIDHJE TE VAZHDUESHME
Me shokët në Tiranë mbajmë lidhje të vazhdueshme. Ne i njoftojmë për punët tona këtej. ata na mbajnë në dijeni të gjendjes së punëve në atdhe. Dje shokët na njoftuan se gjithçka shkon mirë, përveç shirave të mëdha që kanë rënë ditët e fundit, sidomos në zonën bregdetare, ndërsa në zonat e Veriut po bie dëborë. Për këtë arsye mbjelljet vazhdojnë me ndërprerje.
Ata na njoftuan gjithashtu se edhe festat e 7 dhe 8 Nëntorit i kanë kaluar mirë. Por në mbledhjen solemne, që çdo vit mbahet në vendin tonë me rastin e këtyre festave, Novikovi, i ngarkuari me punë i ambasadës sovjetike, që ka përshëndetur në emër të ambasadës, nuk paska thënë asnjë fjalë për Partinë tonë. Për këtë, të pranishmit në sallë, siç e ka merituar ky agjent i Hrushovit, e paskan pritur ftohtë dhe pa asnjë duartrokitje. Kur ka mbaruar fjalimin, aty paskan shpërthyer në ovacione për Partinë tonë të lavdishme.
Kështu Novikovi dhe padronët e tij kanë marrë një dush të ftohtë. E meritonin.
MOSKE, E SHTUNE, 12 NËNTOR 1960
MBLEDHJE E STUHISHME ME UDHEHEQESIT SOVJETIKE
Në Mbledhjen e 81 partive vazhdojnë diskutimet dhe, në prapaskenë të saj, vazhdojnë gjithashtu edhe intrigat e sovjetikëve. Sovjetikëve u ka ndezur me ne. Dje na kërkuan një takim të ri, në Kremlin, kësaj radhe me të deleguarit e Presidiumit të Komitetit të tyre Qendror. Shkuam në këtë takim. Në mbledhje nga ana e sovjetikëve ishin Hrushovi, Mikojani, Kozlovi, Andropovi dhe Llaptjevi. Hrushovi që në fillim u orvat të na vinte në bankën e të akuzuarve. Por në këtë bankë e vumë ne atë. Ai tha se nuk tërhiqte asgjë nga ato që kishte thënë kundër nesh, na bëri edhe presione ushtarake duke na kërcënuar se mund t’a hiqte bazën detare nga Vlora. Por në këtë çështje ne e sulmuam fort dhe demaskuam qëllimet e tij.
I zënë ngushtë, ai më bëri mua një krahasim se gjoja po flisja me të, si kishte folur Makmilani. Atëherë shokët Mehmet e Hysni i kërkuan Hrushovit të tërhiqte ofezën e poshtër që më bëri dhe, kur ai tha “po ku ta fus?”, shoku Mehmet i tha: “futeni në xhepin tuaj”.
Pas kësaj ne të gjithë u ngritëm në këmbë, ndërpremë bisedimet dhe dolëm nga salla. Hrushovin dhe shokët e tij i lamë si të dhjerë dhe të poshtër, ashtu siç janë. Çdo gjë vërteton se Nikita Hrushovi është një revizionist i rrezikshëm. Prandaj shumë vigjilentë, shumë vigjilentë duhet të jemi karshi tij dhe grupit të tij!
MOSKE, E SHTUNE 12 NËNTOR 1960
NË ATDHE PUNET ECIN MIRE
Njoftimet që na dërgojnë shokët nga Tirana na e ndryshojnë atmosferën mbytëse në të cilën ndodhemi përkohësisht. Sot ata na njoftojnë se poshtë në rrethe po bëhen mbledhjet e plenumeve të Partisë dhe të këshillave popullorë për të diskutuar rreth planit. Kudo ka pasur diskutime e propozime të mira.
Për sa i përket qëndrimit të sovjetikëve, shokët na thonë se në Pashaliman ata kanë lëshuar brezin që ne t’ua shkelim e kështu të lindin incidente. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat për t’u treguar vigjilentë e të kujdesur. Shokët na njoftojnë gjithashtu se specialistët sovjetikë, në degë të ndryshme të ekonomisë sonë, kanë filluar të sillen keq.
Të njëjtën gjë po bëjnë edhe ata bullgarë. Sa gjë e shëmtuar! Duan të na bëjnë presione e të na pengojnë të themi fjalën tonë. Por më kot e kanë revizionistët sovjetikë dhe shërbëtorët e tyre.
MOSKE, E DIELE 13 NENTOR 1960
VAZHDON MBLEDHJA E 81 PARTIVE NE MOSKE
Vazhdojne diskutimet e 81 Partive ne Moskes, dhe po ashtu edhe intrigat e sovjetikeve ne prapaskenen e saj.
MOSKE, E DIEL 13 NENTOR 1960
MARRIM MASA PER T’U RTHYER ATDHE
Informuam shokët në Tiranë se mund ta marrim fjalën ditën e martë, më 16 nëntor. Fjalimit i shtuam të dhënat e fundit që mësuam këtu si dhe poshtërsitë që Hrushovi u ka thënë kinezëve kundër nesh.
Lidhur me kthimin tonë në atdhe, i njoftuam shokët se do të nisemi së shpejti dhe se mendojmë të kthehemi me det. Porositëm që një vapor yni të niset për në Kostancë të Rumanisë.
MOSKE, E HENE 14 NENTOR 1960
SOVJETIKET KERKOJNE PERSERI TAKIM
Në seancën e sotme të Mbledhjes foli përfaqësuesi kinez Ten Hsiao Pin. Sot sovjetikët na dorëzuan një dokument zyrtar të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, me të cilin kërkojnë përsëri takime për bisedime./Memorie.al
l.m/Fjala.al