Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, e ka qenë tepër kritik për mënyrën sesi u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila u mbajt në shtunën në kryeqytet.
“Unë dë të thoja që ajo mund të ishte çdo gjë, vetëm Asamble nuk ishte, – ka deklaruar ai, duke folur për gazetën “Fjala”. – Nuk mund të flas për rregullsi apo parregullsi sa i përket përjashtimit të kandidatëve, për arsye se kjo sqarohet mbi bazë të statusit dhe nëse është respektuar statuti, atëherë përjashtimi i kandidaturave ka qenë i drejtë, nëse jo, atëherë ka qenë i padrejtë.”
“Ne kemi marrë informacion nga Federata, por, normalisht, nuk jemi ne organi kompetent për të vendosur nëse është shkelur apo jo statuti, – ka vijuar Bezhani. – Unë e thashë edhe gjatë punimeve të Asamblesë. Nuk jemi ne që ta zgjidhim këtë çështje, pasi KOKSH-i kishte vetëm rol vëzhgues, por është vetë komuniteti i shtangës që do ta bëjë një të tillë.”
Ish-mundësi u njohur i ka bërë thirrje edhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë të ndërhyjë në këtë çështje. “Unë do të thoja, që, duke parë gjithë këtë që ndodhi, është dashur që aty të ishte e pranishme dhe e përfaqësuar edhe Ministria e linjës”, – ka thënë ai.
“Edhe pse nuk ishte aty, ajo duhet ta marrë në dorë gjendjen tek shtanga, sepse vetëm ajo mund të sqarojë zyrtarisht nëse u shkel apo jo statuti nga ana e Federatës, – ka vijuar kreu i KOKSH-it. – Nëse Federata ka zbatuar statutin, atëherë procedura duhet të vijojë normalisht, nëse nuk ka ndodhur kështu, atëherë Ministria duhet të marrë masat përkatëse dhe mund të bëjmë diçka bashkarisht, sepse kjo është një nga federatat elitare, prej së cilës ne presim medalje, sepse, edhe hëpërhë ne kemi dy sportistë të saj që i mbështesim financiarisht, me shpresën se me ta do të marrim medalje, prandaj nuk duam që të ketë çrregullime të tilla.”
Para dy vjetësh e gjysmë, KOKSH-i e ka përjashtuar Federatën e Peshëngritjes nga veprimtaritë olimpike dhe Bezhani paralajmëron në rast të përsëritjes së të njëjtës gjendje që pati çuar në atë vendim. “KOKSH-i atëherë mori një vendim, një vendim që u mor mbështetur mbi disa të dhëna dhe një vendim që u mor në mënyrë unanime, – ka kujtuar presidenti. – Unë jam i bindur që ai vendim i shërbeu Federatës për të reflektuar. Ne nuk mund të flasim me emra të përveçëm, se kush mund të kandidojë e kush nuk mundet, por për ne si KOKSH, është Ministria ajo që është në pozicionin për të sqaruar gjithçka.”
“Pra, për të sqaruar nëse Komisioni i ngritur nga FSHP-ja e ka zbatuar statutin kur i ka skualifikuar kandidatin për president dhe dy anëtarët e Këshillit Drejtues, pa shkelur asnjë nen. Kjo është ajo që mendojmë ne si KOKSH, e që mendojmë se duhet të jetë edhe qëndrimi i Ministrisë.
Kreu i lëvizjes olimpike shqiptare uron që të mos rikthehet periudha e errët e dopingut në shtangë. “Dopingu është një fenomen mjaft negativ, por menduam se e kishim kapërcyer atë, duke qenë se ka afro 3 vjet që nuk ka patur më raste në peshëngritjen shqiptar, – ka thënë Bezhani. – Natyrisht, kjo ishte diçka që është problem, sepse nuk turpërohet vetëm Federata e Peshëngritjes në rast të një sportisti me doping, por e gjithë Shqipëria.”
Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila u mbajt në shtunën në kryeqytet, ka dështuar, duke i hapur kështu rrugën një Asambleje tjetër të Përgjithshme të Jashtëzakonshme Zgjedhore e cila do të mbahet muajin e ardhshëm.
l.m/Fjala.al