Kryeministri Edi Rama inspektoi të martën punimet në Bubq, të Krujës, ku ka përfunduar infrastruktura nëntokësore e lagjes së re qendrore të njësisë. Ai shprehu bindjen se pothuajse të gjitha shtëpitë do të jenë të përfunduara në pranverë.
Rama deklaroi se javën tjetër nis puna për shtëpitë e më pas pallatet e ulëta që do të sistemojnë në total rreth 150 familje.
“Në prill-maj me ndonjë vonesë tek-tuk, por në prill-maj këtu do të jetë pjesa e mbyllur. Shtëpitë edhe shkollat, të paktën ato që janë me financime të buxhetit të shtetit. Pastaj donatorët mendoj se do të mund të zgjaten pak më shumë, se ata i kanë procedurat pak ndryshe”, tha Rama.
Gjithashtu, kryeministri shtoi se “deri në mars të gjitha kantierët e pallateve do të jenë ngritur”.
Ministri Ahmetaj theksoi se “kjo shkollë mbaron në fund të shkurtit dhe është pjesë e lotit të fundit të shkollave”.
“Kruja bën përjashtim. Krujën e kam pak shqetësim për shkak se na u desh ta ndryshonim për arsye të terrenit, se ka tjetër specifikë”, tha Rama. Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj informoi se këtu kemi një kombinim mes ndërtimit të njësive administrative të komunës dhe një zonë për njësitë individuale dhe një zonë tjetër për ato kolektivet. “Do të jenë 76 njësi individuale dhe 46 apartamente, në një zonë gati 8.3 ha e gjitha, ku përfshihen edhe ambientet komunitare. Po ashtu do të mbillen pemë në të gjithë territorin.
Me infrastrukturën këtu po ecet me shumë shpejtësi dhe shumë shpejt do të fillohet pastaj me kombinimet e banesave kolektive dhe banesave individuale. Pallatet janë 4-katëshe dhe për 2-3 ditë fillojnë edhe banesat individuale. Vetëm me Kamzën kemi për të përfunduar procesin se në të gjitha zonat e tjera kanë përfunduar proceset dhe janë në fazën e ndërtimit, infrastrukturë plus ndërtimi i banesave kolektive dhe banesave individuale. Në Kamzë në krye të disa ditëve mbaron si proces”, u shpreh ministri.
Kryeministri Rama ishte të martën në Durrës ku inspektoi punimet në shkollën “Vëllezërit Haradinaj”, e cila është një nga 3 shkollat e ndërtura pas tërmetit para datës 26 nëntor dhe ka hapur dyert për 530 nxënësit që marrin dijet e tyre atje.
Rama u ndal dhe në Kamzë ku inspektoi dhe punimet në kopshtin “Niko Hoxha” që pritet të hap dyert për 200 fëmijë, në qendër të lagjes së re ku do të ndërtohet edhe shkolla, qendra shëndetësore, plus pallatet me 270 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti.
Pa.Va/Fjala.al